I lanë tre fëmijët vetëm në hotel për të shkuar në klub nate, dënohen prindërit NULL NULL 14.06.2026 22:42 14.06.2026 22:42 Një çift britanik është dënuar nga gjykata në Spanjë pasi dyshohet se i lanë të vetëm tre fëmijët e tyre në hotel, ndërsa dolën për të festuar në Costa del Sol. Fëmijët, një foshnjë gjashtëmuajshe, një fëmijë njëvjeçar dhe një tjetër katërvjeçar, u gjetën të vetëm në dhomën e hotelit në kompleksin turistik Holiday World Resort në Benalmadena. Pas ndërhyrjes së autoriteteve, fëmijët u dërguan në spital, ndërsa prindërit e tyre britanikë, një burrë 41-vjeçar dhe një grua 28-vjeçare, u arrestuan dhe u akuzuan për braktisje të fëmijëve, shkruan Metro, transmeton Klankosova.tv. Sipas disa raportimeve, foshnja gjashtëmuajshe rezultoi pozitive në testet për kokainë në një spital të Malagës, para se të merrej nën kujdes nga shërbimet sociale. Megjithatë, prindërit nuk e kanë pranuar këtë pretendim. Autoritetet kanë siguruar familje kujdestare emergjente për t’u kujdesur për tre të miturit. Një zëdhënës i Gjykatës së Lartë të Drejtësisë së Andaluzisë bëri të ditur se gjykata i ka ndaluar prindërit të ushtrojnë autoritetin prindëror për dy vjet e tetë muaj. Gjithashtu, për një periudhë prej dy vitesh, atyre u ndalohet t’u afrohen fëmijëve në një distancë më të vogël se 500 metra. Fëmijët aktualisht janë nën kujdestarinë e shërbimeve sociale të Qeverisë Rajonale të Andaluzisë. Sipas autoriteteve, në bashkëpunim me Konsullatën Britanike, po shqyrtohet mundësia e transferimit të tyre në Mbretërinë e Bashkuar. Policia Kombëtare në Malaga njoftoi se në rast është përfshirë njësia e specializuar UFAM, e cila merret me mbrojtjen e familjes dhe grave, ndërsa shërbimet sociale kanë marrë përkohësisht në kujdes fëmijët./Klankosova.tv