Krasniqi: Gratë e dhunuara gjatë luftës janë heroinat tona, të ndalet stigmatizimi i tyre (VIDEO) NULL NULL 30.03.2016 21:58 30.03.2016 21:58 Në emisionin Zona B tek Baton Haxhiu e ftuar ishte Jeta Krasniqi- këshilltare politike e presidentes Jahajga. Njohja ligjore e grave të dhunuara ishte tema e këtij edicioni, rrëfimet, dhimbjet, lufta, stigmatizimi dhe përjashtimi i këtyre grave u rrëfye nga Krasniqi e cila ishte pjesë e ekipit të presidentes ku inicioi njohjen e statusit ligjor për “heroinat” kosovare. Jeta Krasniqi tregon për takimet me këto gra që ka bërë presidentja, fillimin e këtij procesi dhe sfidat që po kalojnë ato. “Para tre vitesh kam pas rastin ta takoj një grup të grave të dhunuara në Drenas, ne shkuam pa përcjellje të policisë, shkuam fshehurazi dhe u takuam me to në një lokal. “ “Në momentin kur dëgjuam rrëfimin e tyre si dhe jetën më pas, me të vërtet mendova se lufta nuk ka përfunduar për to. Në raste të caktuara ka pasur edhe burra që kanë ardhur dhe i kanë mbështet, por ato kanë qenë shumë të rralla.” “Edhe kjo kategori e dalë nga lufta do të shkojë si pjesë e aplikimit për pensione të luftës. “ “Këto gra, këto burra nuk dalin me krenari që janë të dhunuar, prandaj është vështirë të bëhet statistika. Trupi i grave, i burrave i viktimave stigmatizohet dhe kthehet në fushëbetejë politike,” ka thënë Krasniqi, njofton Klan Kosova. Më tej Krasniqi ka folur për fëmijët që kanë lindur nga dhunimet, punën që po bëhet për rehabilitimin e këtyre rasteve. Gjithashtu këshilltarja e Presidentes tregon për forcën që kanë këto gra për jetën, solidaritetin me njëra tjetrën dhe ndihmën që iu duhet atyre. “Ka raste kur ka nëna që jetojnë me fëmijë. Unë çfarë do doja t’i them atyre fëmijëve që të mos ndihen fajtorë, sepse nuk kanë asnjë lloj faji.” “Ka pasur raste që familja i ka pranuar ata fëmijë si fëmijë të tyre, por ka pasur raste kur familja i ka larguar nga shtëpia ata fëmijë së bashku me nënën e tyre. “ “Është duke u bërë shumë punë që të rehabilitohet edhe viktima edhe familja, pasi në vuajtje në gjendje krize është edhe familja.” “Ajo çfarë kemi bërë me qeveritë e vendeve tjera, me ambasadat rezidente që janë në Kosovë është që me ndërtu një ambient normal për ta, për të jetuar këtë pasojë lufte që është e jona e gjithë neve.” “Unë nuk mund të shpreh qëndrimin 20 mijë personave të ndryshëm, por ajo që mua më impresionon është forca e tyre, forca me mbijetua, me jetu, me mbështet njëra tjetrën, me i rritë fëmijët e tyre. “ “Mungesa e mbështetjes e përkrahjes, stigmatizimi janë ato që të shkatërrojnë edhe më tej.” “Ne jemi munduar të jemi pjesë e nismave ndërkombëtare dhe me ndihmën e presidentes ia kemi dalë,” ka përfunduar Krasniqi, njofton Klan Kosova.