Vendimi i ZRrE-së, 450 biznese pa rrymë, rrezikohen vendet e punës (VIDEO) NULL NULL 16.08.2025 20:26 16.08.2025 20:26 Dera e fabrikës iu mbyll, ndërsa një restoranti iu reduktua shërbimi e klientela në Ferizaj. E shkak për këtë, është se të shtunën KEDS-i ua shkëputi energjinë elektrike. Kjo për faktin se i njëjti, nuk kishte nënshkruar kontratë me asnjë nga furnizuesit, në afatin për liberalizimin e tregut të rrymës. Pronari i këtyre bizneseve, Hyzer Gashi me mbi 60 punonjës ka refuzuar të bëjë marrëveshje me furnitorët të cilët ZRrE ua ka lënë si mundësi. Ky, po kërkon kohë për t’i njohur e shqyrtuar ofertat e tyre. Nëse nuk bëhet zgjidhje për problemin, ai tha se do të detyrohet ta reduktojë numrin e punëtorëve. KEDS-i bëri me dije se këtë të shtunë e nisi shkyçjen e rreth 450 bizneseve, derisa janë identifikuar mbi 1,400 njehsorë elektrikë. E krejt kjo situatë ka ngjallur reagimin e Odës Ekonomike, sipas të cilës dalja në tregun e lirë duhet të jetë graduale. Për krejt këtë situatë të paprecedent reaguan edhe dhoma e tregtisë e industrisë e lidhja e bizneseve të Kosovës, duke thënë se po rrezikohet mbetja pa punë e rreth 22 mijë të punësuarve. E gjatë këtij aksioni, pati raste kur iu ndërpre furnizimi me energji edhe një biznesi i cili veçse kishte nënshkruar kontratë, por që gjatë ditës u rikyç sërish. /Klankosova.tv