India do të zbatojë ligjin e migrantëve që përjashton myslimanët NULL NULL 12.03.2024 10:23 12.03.2024 10:23 Qeveria e Indisë ka njoftuar planet për të miratuar një ligj të diskutueshëm për shtetësinë, i cili është kritikuar si anti-mysliman. Akti i Ndryshimit të Shtetësisë (CAA) do të lejojë pakicat fetare jomuslimane nga Pakistani, Bangladeshi dhe Afganistani të kërkojnë shtetësi. Autoritetet thonë se kjo do t’i ndihmojë ata që përballen me persekutim. Ligji u miratua në vitin 2019 – duke shkaktuar protesta masive në të cilat dhjetëra njerëz vdiqën dhe shumë të tjerë u arrestuan. Rregullat për të nuk u përpiluan në vazhdën e trazirave, por tani janë krijuar, sipas ministrit të punëve të brendshme të vendit Amit Shah, raporton BBC, transmeton Klan Kosova. Ai e bëri njoftimin të hënën, duke shkruar në mediat sociale se kryeministri Narendra Modi kishte “përmbushur një angazhim tjetër dhe kishte realizuar premtimin e krijuesve të kushtetutës sonë për hindusët, sikët, budistët, xhainët, parsët dhe të krishterët që jetojnë në ato vende”. Ministria e Brendshme e Indisë në një deklaratë tha se ata që kualifikohen tani mund të aplikojnë online për nënshtetësinë indiane. Tashmë është krijuar një portal online për marrjen e aplikacioneve. Ministria tha se ka pasur “shumë keqkuptime” në lidhje me ligjin dhe zbatimi i tij është vonuar për shkak të pandemisë Covid-19. “Ky akt është vetëm për ata që kanë vuajtur nga persekutimi për vite të tëra dhe nuk kanë strehë tjetër në botë përveç Indisë”, shtoi ai. Kjo e ndryshon ligjin 64-vjeçar të Shtetësisë Indiane, i cili aktualisht parandalon migrantët e paligjshëm që të bëhen shtetas indianë. Sipas ligjit të ri, ata që kërkojnë shtetësi do të duhet të dëshmojnë se kanë mbërritur në Indi nga Pakistani, Bangladeshi ose Afganistani deri më 31 dhjetor 2014. Qeveria indiane nuk ka dhënë një datë se kur do të hyjë në fuqi ndryshimi i ligjit.