Si do të duken amendamentet kushtetuese për vettingun? (VIDEO) NULL NULL nga Rina Mujku 07.09.2022 20:53 nga Rina Mujku 07.09.2022 20:53 “Gjyqtarët mund të shkarkohen nga funksioni, për shkak të dënimit për një vepër të rëndë penale ose për mosrespektimin e rëndë të detyrave.” Kjo është pika 4 e nenit 104 të kushtetutës, e cila synohet të amendamentohet për t’i hapur rrugë procesit të vettingut. Pjesa që do t’i shtohet mund të duket kësisoj: “4a. Mosrespektimi i rëndë i detyrave nga paragrafi 4 i këtij neni përfshin rastet kur gjyqtari është vlerësuar me performancë të pamjaftueshme, apo është gjetur se ka pasuri të pajustifikueshme, apo që ka integritet të cenueshëm, apo ka bërë shkelje të rënda disiplinore, sikur rregullohet me ligj.” Ngjashëm pritet të ndodhë edhe me pikën 6 të nenit 109 të aktit më të lartë juridik të vendit. Edhe teksti që parasheh arsyet e shkarkimit të prokurorëve nuk dallon nga ai paraprak, për gjyqtarët. “6a. Mosrespektimi i rëndë i detyrave nga paragrafi 6 i këtij neni përfshin rastet kur prokurori është vlerësuar me performancë të pamjaftueshme, apo është gjetur se ka pasuri të pajustifikueshme, apo që ka integritet të cenueshëm, apo ka bërë shkelje të rënda disiplinore, sikur rregullohet me ligj.” E i treti amendament, siç mëson Klan Kosova, ka të bëjë me trupin që do t’i vetojë kryegjyqtarët e kryeprokurorët. Është vendosur të quhet Autoritet i Kontrollit të Integritetit, trupi dy-shkallësh që do ta bëjë vettingun. Anëtarët zgjedhën në bllok, me 2/3 e deputetëve. “Mandati i Autoritetit të Kontrollit të Integritetit është dy vite nga zgjedhja e të gjithë anëtarëve të Autoritetit. Mandati i Autoritetit mund të zgjatet më së shumti edhe për një (1) vit tjetër, nëse vendoset me ligj të miratuar me 2/3 e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit.” AKI-ja e vettingut zgjidhet përmes rekrutimit që e organizon Presidenca. Presidentja mbetet edhe në vetting personi që shkarkon këdo që nuk e kalon verifikimin. Ndërkaq të përzgjedhurit për t’iu nënshtruar këtij procesi janë të obliguar të vetohen. Nëse nuk e nënshkruajnë deklaratën për kontroll, automatikisht propozohen për shkarkim. Amendament-propozimet tashmë janë dorëzuar në Kuvend nga kryeministri Albin Kurti e ministrja e drejtësisë, Albulena Haxhiu, më 4 shtator.