Qyteti italian ku “të ndalohet të vdesësh” NULL NULL 04.09.2015 18:00 04.09.2015 18:00 Banorët janë në largim të vazhdueshëm dhe mes atyre pak që kanë ngelur, 6 nga 10 janë mbi moshën 60-vjeçare. Bëhet fjalë për Sellian, komunën e vogël në Kalabri të Italisë, e cila rrezikon të boshatiset. Për të shmangur zhdukjen e këtij vendi, kryebashkiaku i ka “urdhëruar” banorët që të mos vdesin. Qytetari i parë ka firmosur një urdhër të vërtetë ku “ndalohet të vdesësh”, duke i ftuar gjithë banorët që të bëjnë kujdes ndaj shëndetit të tyre. Ky urdhër mban numrin 11 dhe është firmosur më 5 gusht 2015 nga kryebashkiaku Davide Zicchinella, mjek pediatër. Por Sallia nuk është e vetmja komunë kalabreze në rrezik zhdukjeje, pasi janë një sërë zonash në rajon në rrezik mbijetese. Urdhri parashikon kujdes maksimal për shëndetin, duke i ftuar banorët që të qëndrojnë në formë. “Përgjigjja e qytetarëve ndaj këtij urdhri ishte mjaft inkurajuese, ku rreth 100 persona u janë nënshtruar kontrolleve shëndetësore, duke e përkrahur nismën tonë”, ka thënë Zicchinella, raporton kohajone.