Historia e Referendumit të Pavarësisë në Kosovën e okupuar (VIDEO) NULL NULL 26.09.2019 18:40 26.09.2019 18:40 28 vjet më parë – më 26 shtator të vitit 1991 – është mbajtur referendumi për shpalljen e Kosovës shtet të pavarur ku qytetarët me shumicë absolute u deklaruan pro Pavarësisë së Kosovës. Referendumi për Pavarësinë e Kosovës u shënua në të gjitha dokumentet relevante ndërkombëtare si një akt sublim i vullnetit politik të popullit të Kosovës. Ish-kryetari i Komisionit për Organizimin e Referendumit, Ramush Tahiri, ka shpalosur detaje me rëndësi nga kjo ngjarje shumë e rëndësishme për Kosovën. “Kjo është një ngjarje me rëndësi historike dhe është një ngjarje që e ka rrumbullakësuar procesin e pavarësimit të Kosovës dhe të ndarjes nga Jugosllavia”. “Ne në atë kohë kemi krijuar pluralizmin politik dhe e kemi pasë Këshillin Koordinues të partive politike shqiptare të Kosovës dhe Këshillin Koordinues të partive politike shqiptare në ish-Jugosllavi”. “Në atë kohë, e kemi pasë edhe platformën për zgjidhjen e çështjes kombëtare në Jugosllavi. Kanë qenë tri variante – e para ka qenë Kosova Republikë nëse mbesin kufijtë e brendshëm dhe të jashtëm të Jugosllavisë”. “Varianta e dytë ka qenë Republika Shqiptare në Jugosllavi nëse luajnë kufijtë e Republikave të ish-Jugosllavisë. Ndërsa, varianta e tretë ka qenë që nëse shpërbëhet Jugosllavia në kufijtë e brendshëm dhe të jashtëm atëherë viset shqiptare në ish-Jugosllavi i bashkohen shtetit të Shqipërisë”. “Ka qenë një platformë politike me të cilën jemi pajtuar të gjitha partitë politike dhe është nënshkruar nga 11 liderët e partive politike. Është dorëzuar në Bruksel dhe të gjitha qendrat e rëndësishme në atë kohë”. “Ne Kosovën e kemi parë si pjesë të moszgjidhjes ose zgjidhjes së çështjes shqiptare në Jugosllavi. Kemi parë të arsyeshme që të organizojmë një referendum, pas Deklaratës së 2 Korrikut, Kushtetutës së Kaçanikut të 7 shtatorit dhe pas largimit të Kuvendit për arsye taktike nga Kosova në mënyrë që mund ta rrumbullakësojmë pavarësinë e Kosovës”. Tahiri në Magazina Zgjedhore të Klan Kosovës ka treguar më shumë detaje lidhur me gjithë organizimin që ishte bërë për mbajtjen e këtij referendumi. “Duke pasë Kuvendin në Slloveni, duke emëruar nga nënkryetar në kryetar të Kuvendit Ilaz Rrahmanin dhe duke e marrë Kuvendi vendimin për organizimin e referendumit, ne e kemi pasë një komision”. “Në këtë komision kanë qenë të gjithë përfaqësuesit e partive politike të Këshillit Koordinues. LDK në Këshillin Koordinues ka pasë tre përfaqësues, Ibrahim Rugovën si kryetar të Këshillit Koordinues, Fehmi Aganin dhe Ali Aliun”. “Partia Fshatare është përfaqësuar nga kryetari Hivzi Islami, Partia Socialdemokrate është përfaqësuar nga Shkëlzen Maliqi, Partia Parlamentare është përfaqësuar nga Veton Surroi dhe Partia Shqiptare Demokrastiane ku unë kam qenë përfaqësues”. “Në atë kohë, ne kemi qenë një qeveri brenda Kosovës që e kemi organizuar gjithë jetën paralele ose gjithë jetën autonome që ka të bëjë me rezistëncën ndaj pushtetit të Millosheviqit i cili kishte ndërmarrë veprimet ligjore dhe represive që me nxjerr shqiptarët dhe Kosovën nga sistemi jugosllav”. Ai ka folur edhe për rezultatet e referendumit të vitit 1991. “Pjesëmarrja nga 1 milionë e 100 mijë kanë marrë pjesë 87 % sepse kemi pasë edhe minoritetet dhe një pjesë që nuk ka arritur të organizohet. Rezultati i referendumit ishte 98,87 % është pro Kosovës shtet sovran dhe të pavarur me të drejtë bashkimi në Konfederatën Jugosllave”. Tahiri, po ashtu, ka dhënë më shumë detaje rreth procedurave për organizimin e referendumit që është mbajtur, si sot, 28 vjet më parë. “Organizimin e referendumit e ka bërë LDK-ja. Unë e kam udhëheq pjesën politike sepse kur është propozuar nga Ibrahim Rugova në Këshillin Koordinues që unë të jem kryetar i referendumit, unë kam thënë ‘po, por jo në pjesën organizative’. Në pjesën organizative kapacitet për organizim të referendumit ka pasë vetëm LDK-ja dhe jo edhe partitë tjera”. “Organizimin, mbledhjen dhe shpërndarjen e materialit e ka bërë LDK-ja. Teksti i tillë çfarë është është harmonizuar në Këshill Kordinues ku kam qenë unë, Fehmi Agani, Rifat Blaku, Hivzi Islami dhe të tjerët. Është harmonizuar edhe me Kuvendin, në atë kohë me Ilaz Rrahmnin që ka qenë në Slloveni”. “Formën grafike e kemi shtyp në organin e LDK-së në atë kohë që ka qenë ‘Ora’. E ka shtyp Mehmet Kraja”. Por, sa kohë më herët ishte përpiluar teksti që e shpalli Kosovën shtet të pavarur dhe sovran? “Teksti ishte shkruar pak ditë më herët sepse ne kishim dilema se çka do të bëhet në tekst. Kishim dilema për pjesën që shkruhej ‘me të drejtë bashkimi me Konfederatën Jugosllave’ sepse ne në atë kohë e kishim të drejtën e vetëvendosjes”. “Ne politikisht duhej Kosova të shpallej shtet sovran dhe i pavarur, më pas me të drejtë bashkimi ose jo në Federatë dhe Konfederatë sepse edhe nga sugjerimet ndërkombëtare nuk dëshironim që Kosova të jetë e para në shkatërrimin e Jugosllavisë dhe ta marrë përgjegjësinë për një veprim të pamatur dhe të pakoordinuar”.