11:00, 5 Nëntor 2016 Autor: Liljana Smajlovic

Kur Batoni thotë “demokraci të re me gjuhë dhe diskurs të vjetër nuk bëhet”, shpresoj se nuk sugjeron që në këtë demokraci të re të mos ketë vend për “Politikën” që ekziston tashmë 112 vjet, respektivisht që në demokracinë “e re” e gjithë historia e “Politikës” të mbahet mend vetëm sipas rubrikës “Odjeci i Reagovanja”. 

 

Me kënaqësi e kam pranuar dialogun me Batonin, të cilin e njoh vetëm nga emri. Më pëlqen shkëmbimi i mendimeve, nuk hezitoj nga konfrontimi, ndërsa nga natyra nuk jam shpirtngushtë. Nëse unë e Batoni nuk mund të nisim një dialog të ndershëm e konstruktiv, kush mundet? Jemi kolegë, pranojmë parimet profesionale anglosaksone, e në momentet kyçe që të dy kemi punuar ne medie të pavarura të financuara nga Perëndimi. E njohim argumentimin, gjuhën dhe zakonet e shteteve që kanë pasur ndikim kryesor në fatin e mëmëdheut tonë të dikurshëm të përbashkët.

I mirë është edhe propozimi i Batonit për të filluar nga gjuha, respektivisht mënyra e të folurit të serbëve për shqiptarët dhe shqiptarëve për serbët. Ai thotë që pas luftës nga mediat kosovare është larguar gjuha e urrejtjes, racizmit dhe paragjykimeve ndaj serbëve, ndërsa pastaj thotë që mediat beogradase në këtë kontekst janë prapa mediave në Kosovë dhe nga unë kërkon të sqaroj arsyet e dominimit të diskursit të ashpër ndaj shqiptarëve dhe Kosovës në publikun serb.

Për mua kjo është risi; që mediat kosovare shkruajnë pa paragjykime dhe urrejtje për serbët, por nuk e di gjuhën shqipe andaj nuk jam në gjendje të verifikoj këtë pohim. Batoni ka një përparësi krahasuar me mua: ai mund të lexoj shtypin serb, unë nuk mundem atë në shqip. Shpresoj se ai nuk do ta thotë që unë, si serbe menjëherë po ankohem për pozitën jo të barabartë! Jo, unë me të vërtetë ja kam zili. Me kujtohet kur në vitin 1989, gjatë punës gjashtëmujore në rubrikën e qytetit të një gazete amerikane në Klivlend, e takoja Dimitër Rupelin, i cili asokohe qëndronte në Amerikë si stipendist, i cili më pastaj u bë ministri i parë i Sllovenisë i Punëve të Jashtme. Në muajt e parë të qëndrimit të përbashkët në Ohajo insistonte që të flasim anglisht pasi unë refuzoja ta dëgjoja në sllovenisht, gjuhë të cilën nuk isha në gjendje ta përcjellja me kuptim të mjaftueshëm. Pastaj kapitulloi: ishte mërzitur me Miduestin amerikan përderisa në Jugosllavi zhvilloheshin ngjarje ngazëlluese për të cilat donte të fliste me të njohur, prandaj më ftoi në drekë gjatë të cilës menjëherë kaluam në serbisht. Por fillimisht me një ton shumë serioz më tërhoqi vërejtjen: “Vetëm ta dini, nëse mbesim në shtetin e përbashkët, me të vërtetë duhet të mësoni sllovenishten”. Unë në atë kohë isha më se bindur që zotëri Rupel disi është një separatist qesharak dhe që ne me siguri do të mbesim në shtetin e përbashkët, por u bë më se e qartë për mua që në një gjë ka të drejtë: në shtetin e përbashkët duhet ta mësojmë gjuhën e njëri-tjetrit.

Kërkoj falje për digresion, por nga kjo miqësi në një vend të huaj kam mësuar që problemi me paragjykimet qëndron në atë që njeriu nuk është i vetëdijshëm për paragjykimet e veta, ndërsa të huajat i vëren menjëherë. E kam të lehtë të pajtohem me Batonin që fjalët e ashpra dhe retorika e vrazhdë prodhojnë realitetin e vet, respektivisht që përdorimi i përhershëm i terminologjisë së vjetër shpie në rikthimin e po atyre konflikteve të vjetra. Por në artikullin e Batonit ma tërheq vëmendjen mungesa e një fjale të vjetër dhe për mua shumë të rëndësishme, respektivisht një emri. Flas për “Politikën” e Beogradit.

Lexuesi ndoshta nuk e din, prandaj në fillim të dialogut dua ta sqaroj. Jam e lindur në Sarajevë, kam punuar në “Oslobođenje” (sh.p. Çlirimi) në Sarajevë, fillimi i luftës qytetare në Kroaci më zuri në vendin e korrespodentit të “Oslobođenje” nga Brukseli. Nuk desha të qëndroj jashtë vendit dhe u ktheva në Jugosllavi, ku në janar të vitit 1993 gjeta një vend pune në “Vreme” (sh.p. Koha) opozitare, e më pastaj kam kaluar në “Evropljanin” (sh.p. Evropiani) të Sllavko Quruvias, e pas vrasjes së tij në “NIN”, për të cilin kam raportuar për gjykimine Sllobodan Millosheviqit nga Haga. Të gjitha redaksitë e mia beogradase ishin anti-millosheviqiane, por si kurorë të karrierës sime e konsideroj kohën të cilën, pas 5 tetorit, në dy raste e kam kaluar në krye të “Politikës”. Nuk e kam lejuar cenimin e politikës sime redaktuese prandaj më kanë shkarkuar dhe larguar nga puna, por pa marrë parasysh këto mossuksese, ishte nder i veçantë të jem redaktore kryesore e “Politikës”.

Po e përmendi këtë pasi Batoni ka të drejtë kur thotë që përzgjedhja e fjalëve nga ana jonë tregon shumë për qëllimet tona të vërteta. Përdorimi i termeve të caktuara është indikator i shkëlqyer i një politike dhe kufiri deri të cili është e gatshme të shkoj, por besoj që do të pajtohemi që shumëçka mund të kuptohet edhe nga tejkalimi dhe mos përmendja. Pse Batoni në vitin 2016 shmanget që të përmend “Politikën” me emër? Pse e përmend vetëm si skenë të famëkeqes “Odjeci i reagovanja” nga koha e Millosheviqit?

Ndoshta edhe gabohem, por më duket që redukcionizmi i tij ndoshta nuk është vetëm reflektiv. E kuptoj shijen e hidhur të cilën “Politika” nga koha e “Odjeci i reagovanja” e ka lënë në Kosovë, nuk e nënçmoj. Ndër të tjera, më kujtohet edhe habia ime diku nga mesi i dekadës së kaluar, gjatë mandatit të parë në “Politika”, kur kisha kuptuar që korrespondenti i dikurshëm i “Politikës” në Kosovë, Zejnel Zejneli, fare nuk e përdorte gjuhën shqipe, që e njihte fare pak dhe se prandaj nuk mundet të përcjell dhe mbuloj shtypin shqiptar në Kosovë; gjë që ishte detyra e punës të cilën e kisha menduar për të në kohën e ekzilit nga Kosova.

Por kjo prapë nuk nënkupton që 112 vjet të ekzistimit të gazetës më të rëndësishme serbe duhet të nivelohen me “Odjeci i reagovanja“. Shpresoj që dy gazetarët do të pajtohen me këtë shumë lehtë. Gazeta të cilën Ribnikarët e kishin themeluar në vitin 1904 që moti është bërë e pandashme nga kombi, fatin e ashpër e të cilit e ndan më shumë se për një shekull, ndërsa ka edhe mendime që Serbia vetëm me “Politikën” është bërë “një komb i vërtetë politik”. Një gazetë e madhe është mrekulli e rrallë botërore, nuk e kanë të gjithë, e kjo gazetë nuk është shtypur vetëm kur Serbia ishte mundur ushtarakisht, ndërsa kryeqyteti i ishte okupuar dy herë. Një gazetë e tillë paraqet të mirën kombëtare, në pronësi të kujtdo qoftë, e kjo është aksioma të cilës në rastin e “Politikës”, së paku deri në një masë, i janë përmbajtur madje edhe komunistët, të cilët kanë qeverisur pa opozitë.

Çdo pushtet është dashur të llogaris në fuqinë e jashtëzakonshme të “Politikës” mbi imagjinatën morale të kombit serb. Nganjëherë trajtohej si ferrë në sy, e gjithmonë si plaçkë e dëshirueshme. Identifikimi i Serbisë me “Politikën” është ngulitur aq thellë në nënvetëdijen kolektive të popullit sa që sjell pasoja edhe të papritura edhe jo gjithnjë të lumtura. I shtyn njerëzit ta duan – ose assesi, me të vërtetë assesi, ta mos e duan. Lexuesit më vështirësija falin gabimet. Në kohen pa konkurrencë, kur në Serbi në disiplinën e bërjes së gazetës serioze më askush fare nuk garon, një publik kaq kërkues është më i vlefshëm edhe se sa vet miti neoliberal i tregut të lirë. Madje, as sot nuk mund të gjeni diçka më të mirë në kioskënë Serbi.

Ma merr mendja që Batoni edhe “Politikën” e ka futur në mesin e mediave serbe që në përgjithësi i përmbahen diskursit të ashpër ndaj shqiptarëve. Nuk e mohoj. Fatkeqësisht, ne jemi larguar aq shumë saqë mediat serbe për shqiptarët e Kosovës raportojnë gati vetëm në kontekstin e sulmit ndaj qytetarëve dhe pronësserbe si dhe mosndëshkimin e kryesve, dëmtimin e varrezave serbe, paraburgimin e padrejtë e të gjatë të Olliver Ivanoviqit, rrezikimin e manastireve, mbivotimin e serbëve në parlament, mosplotësimin e detyrimeve ndaj pakicës serbe sipas Marrëveshjes së Brukselit …

Por, kur thotë se “demokraci të re me gjuhë dhe diskurs të vjetër nuk bëhet”, shpresoj që Batoni nuk po sugjeron që në këtë demokraci të re të mos ketë vend për “Politikën” 112 vjeçare, respektivisht që në demokracinë “e re” e gjithë historia e “Politikës” të mbahet mend vetëm sipas rubrikës “Odjeci i reagovanja”.

Le të jetë kjo pyetja ime për Batonin.

 

(Nga gjuha serbe tekstin e përktheu Bruno Neziraj)

 

==============================================

Platforma KoSSev ka nisur rubrikën e re “Bisedë pa shkas”, me përkrahje nga Ambasada Amerikane, në kuadër të faqes së re “Dialogu”.

Në “Bisedë pa shkas” kolumne javore gjatë muajve të ardhshëm do të publikojnë Liljana Smajlovic, kryeredaktorja e deritashme e gazetës Politika nga Beogradi, dhe Baton Haxhiu, drejtor i Klan Kosovës.

Këto kolumne do të publikohen edhe në gjuhën shqipe, në portalin e Klan Kosovës.

Kjo është kolumnja e parë nga Liljana Smajlovic, kurse versioni i saj në gjuhën serbe mund të lexohet këtu

Kolumnja 1 nga Baton Haxhiu: “Ndryshimi i komunikimit për ridefinim konstruktiv të realitetit” shqip dhe serbisht

 

 

Lajme të tjera