Zeqiri rrëfen ditët pas luftës: Si u përballën të burgosurit me paqartësinë për lirinë në Kosovë (VIDEO) NULL NULL 13.06.2026 08:20 13.06.2026 08:20 Sadik Zeqiri, ish-i burgosur politik Sadik Zeqiri, ish-i burgosur politik, ka folur për përjetimin e lirisë në burgun e Serbisë. Ai ishte dërguar në Serbi në kohën kur kishte mbaruar lufta dhe kur kishte fituar Kosova, por e vërteta mezi kuptohej nga rrenat e pushtetit serb në ditët e javët në vijim. “Ne kemi qenë në burgun e Lipjanit deri më datën 10 qershor të vitit 1999, në Burgun e Lipjanit na kanë dërgu pas Masakrës, nga Dubrava në Lipjan, aty kemi qëndru dikun nja 16 ditë. Aty kemi pasë marrë informacionet që po bisedohet rreth marrëveshjes mes NATO-s dhe Serbisë, por nuk e dinim si po shkojnë punët.Mëngjesin e 10 qershorit të vitit 1999, na kanë tubu nëpër dhoma, na kanë përgatitë sa i zë një autobus njerëzit e burgosur, na kanë lidhë duart pas shpine dhe na kanë transferu për burgje të Serbisë, do të thotë të gjithë të burgosurit nga Kosova i kanë nisë në mëngjesin e 10 qershorit në Serbi”, tha ai mbrëmë në emisionin “Edicioni Special” në Klan Kosova. Zeqiri tha se fillimisht atyre u ishte transmetuar se lufta kishte mbaruar dhe se Serbia kishte triumfuar, mirëpo edhe përkundër propagandës, ata kishin filluar ta kuptonin se realiteti qëndronte ndryshe. “Dikur e kuptum që Serbia jo që kish hup po ish largu krejt. Kemi me ju mytë se asnjë serb s’e keni lanë në Kosovë se janë ikë”. “Deri në korrik nuk e kemi ditë saktë se çka ka ndodh në Kosovë. Ne veç kemi supozu që e kemi fitu luftën, t’u i dëgju lajmet, t’u i deshifru ato fjalët e gazetarëve dhe reagimet e tyre. Në korrik kanë fillu lëvizjet e letrave, ka ardhë na ka vizitu Kryqi i Kuq, edhe rridhnin informacionet, edhe pse gardianët rrinin afër zyrtarëve të Kryqit të Kuq”, rrëfeu Zeqiri. /Klankosova.tv