Vuçiqi, bashkë me liderët e Koresë së Veriut, Kinës e Indisë, urojnë rizgjedhjen e Putinit NULL NULL 19.03.2024 19:09 19.03.2024 19:09 Presidenti rus Vlladimir Putin takohet me homologun e tij serb Alleksandar Vuçiq në Soçi më 4 dhjetor 2019. Foto: AP Presidenti i Serbisë, Alleksandar Vuçiq, ka përgëzuar liderin rus Vlladimir Putin për fitoren në zgjedhjet presidenciale, për të cilat perëndimi tha se nuk ishin as të drejta e as demokratike. Presidenti serb shkroi në rrjetet sociale se letrën e urimit për presidentin rus ia dorëzoi ambasadorit të këtij vendi në Beograd, Allexander Bocan Harchenko. “Në të, përveç që e kam uruar për fitoren, ia kam sqaruar edhe peshën e situatës me të cilën po përballen serbët në Kosovë, sfidat e mëdha politike me të cilat përballet Serbia, dhe e kam falënderuar Rusinë për mbështetjen e saj ndaj tërësisë territoriale të Serbisë”, shkroi ai. Vuçiqi është ndër politikanët e rrallë që kanë përgëzuar presidentin Putin. Të hënën në mbrëmje, presidenti prorus i Republikës Serbe Millorad Dodik uroi Putinin duke ndriçuar ndërtesën e presidencës së tij në Banjallukë me ngjyrat e flamurit rus. Serbia, një vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, nuk u është bashkuar sanksioneve perëndimore ndaj Rusisë për shkak të agresionit të saj në Ukrainë. Presidenti Vlladimir Putin fitoi mandatin e pestë në Kremlin me 87.28 për qind të votave, tha të hënën komisioni zgjedhor i Rusisë, pas një votimi tre-ditor në të cilin ai garoi kundër asnjë sfiduesi të vërtetë. Ndërsa miqtë dhe aleatët e Putinit nxituan ta urojnë atë, udhëheqësit perëndimorë denoncuan atë që ata i quajtën zgjedhje të paligjshme. Perëndimi i quajti zgjedhjet “aspak të lira” – Shefi i politikës së jashtme të BE-së Josep Borrell tha se zgjedhjet nuk ishin të lira dhe të ndershme dhe bazoheshin në shtypje dhe frikësim. – Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky e cilësoi rezultatin si të paligjshëm. “Të gjithë në botë e kuptojnë se ky person, si shumë të tjerë gjatë historisë, është sëmurë nga pushteti dhe nuk do të ndalet para asgjëje për të sunduar përgjithmonë”, tha ai. “Nuk ka asnjë të keqe që ai nuk do të bënte për të ruajtur fuqinë e tij personale. Dhe askush në botë nuk do të ishte i mbrojtur nga kjo”. – Franca tha se zgjedhjet u zhvilluan në mes të “represionit” dhe përshëndeti “shumë” rusë që demonstruan kundërshtimin e tyre. “Kushtet për zgjedhje të lira, pluraliste dhe demokratike nuk u plotësuan”, tha ministria e jashtme franceze, duke shtuar se votimi tre-ditor u zhvillua në mes të “shtypjes në rritje ndaj shoqërisë civile dhe të gjitha formave të opozitës ndaj regjimit”. “Franca përshëndet guximin e shumë qytetarëve rusë që kanë demonstruar në mënyrë paqësore kundërshtimin e tyre ndaj këtij sulmi ndaj të drejtave të tyre themelore politike”, shtoi ajo. – Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock e hodhi poshtë rizgjedhjen e Putinit si një votë “pa zgjedhje” pasi u shtyp e gjithë opozita e vërtetë. Procesi zgjedhor tregon “sjelljen e urryer të Putinit kundër popullit të tij”, tha Baerbock në një takim në Bruksel. “Zgjedhjet në Rusi ishin zgjedhje pa zgjedhje”. – Ministri i Jashtëm britanik, David Cameron, tha se zgjedhjet “ilegale” shfaqën “mungesë zgjedhjeje për votuesit dhe mungesën e monitorimit të pavarur të OSBE-së”, duke shtuar: “Kështu nuk duken zgjedhjet e lira dhe të ndershme”. – Ministri i Jashtëm italian Antonio Tajani tha se “zgjedhjet nuk ishin as të lira dhe as të ndershme”. “Ne po vazhdojmë të punojmë për një paqe të drejtë që do ta sjellë Rusinë t’i japë fund luftës së agresionit kundër Ukrainës, në përputhje me ligjin ndërkombëtar.” – Ministri i Jashtëm çek Jan Lipavsky i quajti zgjedhjet një “farsë dhe parodi”. Ai tha: “Këto ishin zgjedhjet presidenciale ruse që treguan se si ky regjim shtyp shoqërinë civile, median e pavarur, opozitën”. – Ish-oligarku dhe kritiku i shquar i Kremlinit Mikhail Khodorkovsky u bëri thirrje qeverive perëndimore të mos e njohin fitoren e Putinit në zgjedhje, duke pohuar se opozita ishte e bashkuar kundër sundimtarit rus. “Tani bëhet fjalë për…më në fund njohjen publike të Putinit si të paligjshëm”, tha Khodorkovsky. “Ne kemi pritshmëri të mëdha për shoqërinë perëndimore, të cilës i kërkojmë t’u drejtohen qeverive të tyre për t’u kërkuar atyre që të mos e njohin Putinin si legjitim”, tha ai. Kina, India, Turqia urojnë Putinin – Pekini e uroi Putinin, duke thënë se “Kina dhe Rusia janë fqinjët më të mëdhenj të njëra-tjetrës dhe partnerë gjithëpërfshirëse të bashkëpunimit strategjik në epokën e re”. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës, Lin Jian tha se presidenti Xi Jinping dhe Putini “do të vazhdojnë të mbajnë shkëmbime të ngushta, t’i udhëheqin të dy vendet të vazhdojnë të ruajnë miqësinë e gjatë të fqinjësisë së mirë, të thellojnë koordinimin gjithëpërfshirës strategjik”. – Kryeministri indian Narendra Modi tha në një mesazh urimi për Putinin se ai priste me padurim rritjen e lidhjeve për të zhvilluar marrëdhëniet e tyre “të veçanta”. “Mezi pres të punojmë së bashku për të forcuar më tej Partneritetin Strategjik Special dhe të privilegjuar të testuar me kohë midis Indisë dhe Rusisë në vitet në vijim”, shkroi Modi në platformën e mediave sociale X. Ai gjithashtu ofroi “urimet e tij të ngrohta” për Putinin. – Presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdogan e përgëzoi Putinin dhe i ofroi të ndërmjetësojë mes Moskës dhe Ukrainës. Në një bisedë telefonike me Putinin të hënën, Erdogani tha se “Turqia ishte e gatshme të luante një rol lehtësues për t’u kthyer në tryezën e negociatave me Ukrainën”, tha presidenca turke në një deklaratë. – Udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un në mesazhin e tij të urimit tha se votuesit rusë kishin treguar “mbështetje të palëkundur” për Putinin. “Rizgjedhja juaj në përgjegjësinë e rëndë të kreut të shtetit është vlerësimi i vlefshëm i popullit rus për lidershipin e jashtëzakonshëm dhe aftësinë këmbëngulëse ekzekutive që keni shfaqur në aktivitetet shtetërore”, tha Kim. – Udhëheqësi serb i Bosnjës Milorad Dodik tha: “Populli serb e priti me gëzim fitoren e Presidentit Putin, sepse ata shohin tek ai një burrë shteti të madh dhe një mik, tek i cili mund të mbështetemi gjithmonë dhe që do të ruajë popullin tonë”. Presidenti i Venezuelës Nicolas Maduro tha: “Vëllai ynë më i madh ka triumfuar, gjë që premton mirë për botën”. /Klankosova.tv