Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Burg me kusht e zëvendësim me gjobë për aksidentet, dënimet e gjykatës në Gjilan që u nxorën vjet

NULL NULL
27.07.2026 19:30

Rrugët e Kosovës po marrin jetë njerëzish.

Aksidentet e shumta, me fatalitet dhe me të lënduar, të ndodhura së fundmi në vendin tonë kanë nxitur debat publik mbi parandalimin e këtyre rasteve, si dhe dënimet e shqiptuara nga organet e rendit dhe drejtësisë.

Rrezikimi i trafikut publik është vepër penale dhe sanksionohet me dënime varësisht nga dëmet dhe pasojat e shkaktuara gjatë aksidentit apo shkeljes së rregullave, raporton Klankosova.tv

Klan Kosova do t’i publikojë vendimet e gjykatave për këtë vepër penale që janë nxjerrë gjatë vitit të kaluar. 

Rajoni i Gjilanit 

Gjykatës Themelore në Gjilan më 2025 ka vendosur për 19 raste për veprën penale “Rrezikimi i trafikut publik”, ku disa prej tyre kanë përfshirë aksidente me lëndime të rënda trupore, por edhe me pasoja fatale.

Nga këto raste, 16 kanë përfunduar me aktgjykime dënuese, ndërsa tri raste me lirimin e të akuzuarve ose hudhjen e aktakuzës.

Aktgjykimi i fundit i 2025 është nxjerrë më 20 nëntor të atij viti, ndaj të akuzuarit A.B., i cili ishte shpallur fajtor për aksidentin e 1 nëntorit 2024, kur me automjet kishte goditur një motoçikletë, duke i shkaktuar drejtuesit të saj lëndime të rënda trupore. Gjykata e kishte dënuar me 3 muaj burgim, dënim që i është zëvendësuar me 600 euro gjobë, transmeton Klankosova.tv

Më 31 tetor 2025, Gjykata Themelore në Gjilan kishte shpallur fajtor N.T., i cili akuzohej se me traktor, pa patentë shoferi dhe pa regjistrim, kishte goditur një motoçikletë më 17 gusht 2024, duke i shkaktuar drejtuesit lëndime të rënda. Ndaj tij ishte shqiptuar dënim me burgim me kusht prej 180 ditësh.

Po në tetor, gjykata kishte vendosur edhe për aksidentin e 30 tetorit 2024, ku një automjet kishte goditur një këmbësor, duke i shkaktuar lëndime të rënda. Shoferja e akuzuar ishte dënuar me burgim me kusht prej një viti.

Më 7 tetor 2025 ishte nxjerrë aktgjykimi ndaj G.F., për aksidentin e 26 shtatorit 2024 në fshatin Zhegër, ku me automjet transportues kishte goditur një motoçikletë, duke i shkaktuar drejtuesit lëndime të rënda. Ai ishte dënuar me 180 ditë burgim.

Për aksidentin e 30 qershorit 2023, Gjykata Themelore në Gjilan, më 5 shtator 2025 kishte dënuar shoferin e autobusit me 120 ditë burgim, dënim që i ishte zëvendësuar me 600 euro gjobë, transmeton Klankosova.tv

Një tjetër aktgjykim ishte nxjerrë më 26 shtator 2025 për aksidentin e 13 prillit 2024, kur një shofer kishte goditur një çiklist, duke i shkaktuar lëndime të rënda. I akuzuari ishte dënuar me 3 muaj burgim.

Për aksidentin e 16 marsit 2025 në Kmetoc të Gjilanit, gjykata kishte shpallur fajtor të akuzuarin që me veturë kishte goditur një motoçiklist. Ndaj tij ishte shqiptuar dënim me 6 muaj burgim.

Me 6 muaj burgim ishte dënuar edhe një tjetër i akuzuar për aksidentin e 2 prillit 2024, kur me autobus kishte goditur një automjet tjetër, duke shkaktuar lëndime trupore ndaj tre personave.

Në korrik të vitit 2025, Gjykata Themelore në Gjilan kishte nxjerrë aktgjykim ndaj E.X., për aksidentin e 5 nëntorit 2024 në Viti. Ai kishte goditur tri vetura me automjetin e tij, duke shkaktuar lëndime trupore ndaj disa personave. Për pasojë, ishte gjykuar me dënim me burgim me kusht prej 180 ditësh.

Për aksidentin e 20 nëntorit 2023, kur një shofer kishte goditur veturën e Policisë së Kosovës dhe më pas ishte rrokullisur, duke shkaktuar lëndime të rënda ndaj një personi, gjykata kishte shqiptuar dënim prej 3 muajsh burgim, i cili ishte zëvendësuar me 800 euro gjobë.

Një dënim prej 1 viti burgim ishte shqiptuar më 14 prill 2025 ndaj K.A., për aksidentin me fatalitet të 17 shtatorit 2024, transmeton Klankosova.tv

Gjykata kishte nxjerrë aktgjykim edhe për një rast të vitit 2022, konkretisht të 13 korrikut, ku dy të akuzuarit e përfshirë në aksident trafiku ishin dënuar secili me nga 90 ditë burgim. Me pëlqimin e tyre, dënimet me burgim ishin zëvendësuar me nga 700 euro gjobë.

Në qershor të vitit 2025, një i akuzuar tjetër ishte dënuar me 1 vit burgim për aksidentin me fatalitet të 15 gushtit 2024, kur një automjet kishte goditur për vdekje një këmbësor. Krahas dënimit me burgim, gjykata kishte shqiptuar edhe masën e ndalimit të drejtimit të automjetit për një vit pas vuajtjes së dënimit.

Për aksidentin e 14 nëntorit 2023 në Komunën e Vitisë, ku një person kishte pësuar lëndime të rënda si pasojë e një vetaksidenti, i akuzuari ishte shpallur fajtor më 16 maj 2025 dhe ishte dënuar me burgim me kusht prej 180 ditësh.

Lidhur me aksidentin e 7 qershorit 2024 në Rimantishtë të Vitisë, Gjykata Themelore në Gjilan më 20 prill 2025 kishte dënuar shoferin e akuzuar me burgim me kusht prej 180 ditësh, për shkak të shkaktimit të aksidentit me lëndime të rënda.

Ndërsa për një rast tjetër të rrezikimit të trafikut publik, ku aksidenti kishte ndodhur më 13 dhjetor 2023 dhe ku një shofer kishte goditur një veturë tjetër, duke lënë dy persona të lënduar, gjykata kishte shqiptuar dënim prej 6 muajsh burgim. Ky dënim ishte zëvendësuar me 900 euro gjobë. /Klankosova.tv

lajme të ngjashme