Vetura e Bekim Fehmiut në pritje të fondeve – mbetet pa u ekspozuar në qendër të Prizrenit NULL NULL nga Liridona Gashi 19.09.2020 11:36 nga Liridona Gashi 19.09.2020 11:36 Bekim Fehmiu la gjurmë në kinematografinë e Kosovës dhe në atë të botërore. Përpos kësaj ai la pas vetes edhe gjëra që i posedonte siç është vetura e modelit PEZHO 404, njofton Klan Kosova. Aktori i ndjerë këtë veturë ia kishte blerë nënës së tij, Hedijes në vitin 1968. Atë tani e mban fotografi Burim Myftiu i cili e kishte blerë në vitin 1996 nga familja e aktorit. Fotografi nga Prizreni e ka ofruar veturën që të përdoret për ekspozim, duke thënë se ka nevojë për mbështetje në këtë aspekt nga ndonjë donatorë apo Komuna e Prizrenit. “Vetura është në Prizren ku ka qenë dhe akoma nuk është ndërmarrë ndonjë aksion nga Komuna e Prizrenit për riparimin e saj për ta sjell në gjendjen e rregullt”. “Unë po i pres që të më lajmërohen edhe pse kanë kaluar 2 vjet, por kam shpresë se do të paraqiten nga Komuna ose ndonjë donatorë për ta sjell në gjendjen e mëparshme jo vetëm për paraqitje në muze por edhe të jetë funksionale që të mund të vozitet”. “Trashëgimia kulturore e aktorit tonë të famshëm Bekim Fehmiut nuk duhet të shuhet, e kam strehuar në shtëpinë time në ambient të mbyllur që të mos dëmtohet”, ka thënë Myftiu për klankosova.tv. Pos Myftiut, interesim për këtë veturë dhe riparimin e saj ka shfaqur edhe gazetari i njohur, Fahri Musliu, i cili është marrë me jetën e aktorit, Bekim Fehmiut. Musliu ka thënë se ideja e ekspozimit të veturës në qendër të Prizrenit dhe riparimi i saj ende nuk janë duke u realizuar. “Edhe ideja për ta riparuar dhe ekspozuar makinën “Pezho 404”, nga viti 1968, që Bekimi ia kishte blerë nënës së vet Dijes, në qendër të Prizrenit, (afër shtëpisë ku ka jetuar Bekimi, tek Ura e kaltër) që e kam iniciuar para gati pesë vitesh, nuk po realizohet. Makinën në fjalë kohë të gjatë e ka përdorur Burim Myftiu të cilën ia kanë dhënë vëllezërit e Bekimit dhe ai më ka njoftuar para pesë vitesh se makina është në gjendje të mjerë në një oborr të një firme dhe kërkon një riparim të thellë për t’u ekspozuar”. “Drejtoresha e re e Drejtorisë së Kulturës, Emilija Rexhepi ka treguar gatishmëri për realizimin e të gjitha propozimeve dhe projekteve që kanë të bëjnë me figurën dhe jetën e Bekim Fehmiut, të cilit Prizreni ia ka borxh”. “Sepse Bekimi aktrimin e nisi në këtë qytet, ishte shqiptari i parë me akademi për teatër dhe film, aktori i parë nga bota komuniste i cili e theu perden e hekurt të komunizmit për të depërtuar në perëndim ku, si aktor i parë shqiptarë, i arrita majat e kinematografisë botërore, në Hollivud. Bekimi e ka dashur Prizrenin më shumë se çdo qytet në botë, për çka edhe në vëllimin e parë të librit autobiografik “E shkëlqyeshme dhe e tmerrshme” i shkruan odë qytetit, si askush deri më sot, për çka edhe vendosi që, me hirin e trupit të tij të hedhur në Lumbardh, t’i kthehet tokës, qiellit dhe ujit të Prizrenit, të cilin aq shumë e dashti”, ka tënë Musliu për klankosova.tv. Nga ana tjetër, drejtoresha e Kulturës në Komunën e Prizrenit, Emilija Rexhepi, ka thënë se është e gatshmë të ofrojë mbështetje për këtë ide. “Këtë projekt e kam parë nga Fahri Musliu edhe idenë, këtë e pëlqej dhe do ta përkrahim. Shumë shpejt do të hapim konkurs për subvencione rreth kësaj ideje, kam marrë mbështetje edhe nga kryetari i Komunës, Mytaher Haskuka”. “Kjo është diçka e madhe për qytetarët e Prizrenit pasi Bekim Fehmiu është njëri nga fytyrat më të njohura”. “Po ashtu mendoj që do të bëjmë një ekspozitë në qendër të qytetit në nder të tij”, ka thënë Rexhepi. Klan Kosova ka punuar një storie më parë për këtë çështje: ORA 7 – Vetura qe aktori Bekim Fehmiu ia dhuroi nenes se tij – Klan Kosova ORA 7 – Vetura që aktori Bekim Fehmiu ia dhuroi nënës së tij – Klan Kosova Publiée par Ora Shtate nê Klan Kosova sur Dimanche 31 décembre 2017