Ushtria amerikane vret 8 persona në sulme të reja në Paqësorin Lindor NULL NULL 16.12.2025 08:12 16.12.2025 08:12 Shtetet e Bashkuara kanë konfirmuar se tetë persona janë vrarë gjatë sulmeve të fundit ndaj tre anijeve në ujërat ndërkombëtare të Oqeanit Paqësor Lindor, në kuadër të operacioneve ushtarake kundër trafikut të drogës. Sipas Komandës Jugore të Ushtrisë Amerikane sulmet u kryen me goditje vdekjeprurëse, me urdhër të Sekretarit të Mbrojtjes, Pete Hegseth. Tre persona u vranë në anijen e parë, dy në të dytën dhe tre në të tretën. Autoritetet amerikane pretendojnë se viktimat ishin të lidhura me trafikun e drogës, pa dhënë prova konkrete. Që nga muaji shtator, të paktën 90 persona janë vrarë në sulme të ngjashme amerikane në Paqësor dhe në Detin e Karaibeve, pranë Venezuelës. Ekspertë të së drejtës ndërkombëtare i kanë kritikuar këto veprime, duke i cilësuar si vrasje jashtëgjyqësore. Sulmet e fundit vijnë në një kohë kur SHBA po rrit ndjeshëm praninë ushtarake në Amerikën Latine dhe Karaibe. Pentagoni ka dislokuar anije luftarake, një nëndetëse, dronë dhe avionë luftarakë, duke thënë se qëllimi është lufta kundër kontrabandës së drogës.