Sibel Halimi mohon presionin ndaj delegatëve: Le të triumfojë demokracia në LDK NULL NULL 30.07.2026 17:33 30.07.2026 17:33 Pak para nisjes së Kuvendit të Jashtëzakonshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës, anëtarja e Kryesisë së LDK-së, Sibel Halimi, tha se pret që procesi të zhvillohet në frymë demokratike, duke theksuar se është me rëndësi që delegatët të votojnë lirshëm dhe sipas bindjeve të tyre personale. Ajo mohoi se ka pasur presion ndaj delegatëve dhe shprehu bindjen se kuvendi do të kalojë pa tensione, ndërsa LDK-ja do të dëshmojë vlerat demokratike që, sipas saj, i ka kultivuar ndër vite, raporton Ekonomia Online. “Sigurisht Lidhja Demokratike e Kosovës ka një demokraci të brendshme dhe është shumë me rëndësi që sot të triumfojë demokracia, domethënë delegatët në njëfarë forme të votojnë sipas bindjeve të tyre personale dhe besoj që do t’ia dalim me sukses”, tha ajo. E pyetur se a ka pasur presion për votim, ajo kundërshtoi duke thënë që LDK do të triumfojë me vlerat që i promovon. “Jo, absolutisht jo, absolutisht. Unë jam anëtare e kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe ne padyshim që do ta bëjmë më të mirën sot që Lidhja Demokratike e Kosovës të triumfojë me vlerat të cilat edhe historikisht i ka promovuar dhe i ka përbrendësuar brenda jo vetëm programit të vet, por edhe të funksionimit si parti politike”, u shpreh ajo. Halimi u shpreh se beson që kuvendi do të kalojë mirë, pa tensione. “Unë besoj që ne sot do ta kalojmë më së miri dhe delegatët tanë kanë një vetëdije shumë të lartë për rëndësinë edhe të argumentimit, edhe fuqisë së fjalës dhe absolutisht nuk ka asnjë pretekst që sot ju të merrni informatën që do të ketë ndonjë ekses. Dhe unë besoj fuqishëm që me 36 vjet që e ka Lidhja Demokratike e Kosovës ne e kemi ndërtuar shtetin me vlerat e lirive të mendimit, të shprehjes së lirë dhe të demokracisë në përgjithësi. Kështu që unë nuk besoj që do ta merrni një informatë të tillë sepse i kam kolegë, i njoh gjithsecilin dhe çfarëdo që sot do të ndodhë, edhe përkundër që si anëtare e kryesisë, si një person që kam kontribuar shumë në diskursin publik për zhvillimin edhe të shumë çështjeve me rëndësi për vendin, nuk ka qenë koha e duhur për të organizuar një Kuvend të tillë, por megjithatë, meqë me statutin e Lidhjes Demokratike të Kosovës e kemi një mundësi të tillë, ka pasur kërkesa, është nënshkruar një listë dhe tani jemi këtu ku jemi dhe ne do të dalim faqebardhë”, shtoi ajo. E/O