Shtatorja e Anton Çettës e sheh dritën pas katër vjetësh mbyllur në atelie (VIDEO) NULL NULL nga Adelina Blakaj 28.11.2022 10:36 nga Adelina Blakaj 28.11.2022 10:36 Pas katër vjetësh pritjeje në atelienë e skulptorit Agon Qosa, shtatorja e prijësit të Lëvizjes për Pajtimin e Gjaqeve, Anton Çetta, më në fund do të vendoset në një ambient të hapur dhe atë në hapësirën e Universitetit të Prishtinës. Por, pse iu desh kaq gjatë një shtatoreje të një veprimtari të tillë t’i gjendej një vend adekuat?! Në vitin 2018, skulptori Agon Qosa, kishte përfunduar ndërtimin e shtatores së mbledhësit të folklorit, pasi ishte përzgjedhur nga konkursi i Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale. Si lokacion i kësaj shtatoreje ishte menduar të jetë oborri i Institutit Albanologjik të Prishtinës, por ky i fundit e kishte refuzuar këtë propozim të Ministrisë së Arsimit, me arsyetimin se oborri i këtij instituti nuk ishte vend adekuat për shtatoren e pajtuesit të gjaqeve. Sipas IAP-së, për shkak të rolit historik që kishte Çetta, shtatorja do të duhej të vendosej në ndonjë shesh të madh të qytetit, i cili do të pagëzohej edhe me emrin e veprimtarit të shquar. Më 10 nëntor 2020, Kuvendi Komunal i Prishtinës kishte miratuar propozimin për vendosjen e shtatores së veprimtarit të çështjes kombëtare në parkun para Fakultetit të Filologjisë në Prishtinë. Ministrja e atëhershme e Kulturës, Vlora Dumoshi, kishte thënë se me këtë shtatore do jepnin kontributin për historinë e re të Kosovës. Ndërkaq, Ipeshkvia e Kosovës, në janarin e vitit të kaluar, kishte marrë vendim që ta vendoste një tjetër shtatore të Çettës para hyrjes së katedrales “Shën Tereza” në Prishtinë. Por, familja e veprimtarit kishte refuzuar një kërkesë të tillë, duke theksuar se për të vlerësuar figurën e Çettës, statuja duhet të vendosej në ndonjë hapësirë publike, pasi veprimtaria e tij, sipas familjes, kishte një kuptim më të lartë sesa fetar e partiak. Edhe pse iu desh të priste gjatë, shtatores së pajtuesit të gjaqeve, iu caktua data e madhe, 28 Nëntori, për përurim në hapësirat e kampusit universitar. Veprimtaria e Anton Çettës Anton Çetta, (3 janar 1920 – 4 nëntor 1995) ishte një folklorist shqiptar, akademik dhe profesor universitar. Ai lindi në Gjakovë. Shkollën fillore e kreu në vendlindje dhe të mesmen në Tiranë dhe Korçë. Ai diplomoi për gjuhë dhe kulturë romane në Fakultetin e Filozofisë në Universitetin e Beogradit. Për një periudhë kohore punoi si asistent profesor në departamentin e Albanologjisë në Beograd. Nga viti 1960 deri në vitin 1968 ligjëroi lëndët: Letërsi e Vjetër Shqipe, Histori e Letërsisë dhe Gjuhën Latine në Universitetin e Prishtinës. Nga viti 1968 ishte shef i Departamentit të Folklorit në Institutin e Studimeve Shqiptare në Prishtinë. Që nga viti 1959, Çeta grumbullonte materiale folklorike nga të gjitha trevat e Kosovës. Nga viti 1953 deri në vitin 1987 botoi 16 libra me folklor të mbledhur nga të gjitha trevat e Kosovës (përralla, mite, balada, legjenda, këngë etj.). Në vitin 1990 ai ishte themeluesi i Lëvizjes për Pajtimin e Gjaqeve në Kosovë. Ai ishte gjithashtu kryetar i Shoqatës “Nënë Tereza”, e cila ofronte kujdes mjekësor për njerëzit në Kosovë, detyrë të cilën e mori pas vdekjes së tij Dom Lush Gjergji, bashkëpunëtor i tij shumëvjeçar në fushatën kundër gjakmarrjes. Çetta vdiq në Prishtinë në vitin 1995. Më 30 prill 2010 është nderuar me çmimin “Medalja e Artë për Paqe, Demokraci dhe Humanizëm – Dr. Ibrahim Rugova”, nga presidenti i atëhershëm Fatmir Sejdiu./Klankosova.tv/.