Serbisë mund t’i kthehen vizat (VIDEO) NULL NULL nga Besnik Tahiri 14.10.2022 20:45 nga Besnik Tahiri 14.10.2022 20:45 Ministrja e Punëve të Brendshme të Gjermanisë, Nancy Faeser, ka paralajmëruar Serbinë për pasoja që do t’i ketë në rast se nuk i përshtat politikat e saj, me ato evropiane, të dhënies së vizave për vende të ndryshme. “Praktika e dhënies së vizave nga Serbia orientohet në atë se cilat shtete nuk e pranojnë Kosovën, kjo është e pa pranueshme. Serbia duhet që politikën e saj të vizave ta përshtat me Bashkimin Evropian, sepse aty duan që të anëtarësohen”, tha Faeser, para nisjes së takimit të ministrave të punëve të brendshme e drejtësisë së Bashkimit Evropian në Luksemburg. Ndërkohë në Berlin, Konstantin Kuhle, shef i grupit parlamentar të partisë FDP, pjesë e koalicionit qeverisës të Gjermanisë, bëri thirrje që Serbisë t’i ngrihen negociatat e hyrjes për në BE dhe t’i pezullohet liberalizimi. Kuhle i tha gazetës “Spiegel” se shteti serb po shkakton vuajtje njerëzore dhe po synon ta destabilizojë Evropën, ndërsa është partner i i madh i Rusisë. Nga ana e saj komisionarja për punë të brendshme e BE-së, Ylva Johansson pranoi tërthorazi se mund të ketë suspendim të regjimit të vizave për vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilat pos Kosovës, tash e mbi një dekadë gëzojnë të drejtën e lëvizjes së lirë në Zonën Schengen. Sipas të dhënave të institucioneve evropiane, shtetet e BE-së muajt e fundit janë “vërshuar” nga migrantë që kërkojnë azil. Ata kryesisht vijnë së pari në Serbi e cila u lëshon viza turistike për në këtë shtet. “Shpresoj dhe mendoj që Serbia dhe aleatët tjerë në Ballkanin Perëndimor do të bashkëpunojnë me ne dhe do t’i përshtatin politikat e tyre të dhënies së vizave me BE-në. Natyrisht suspendimi nuk është diçka që unë do ta përjashtoj, por shpresoj që do të kemi një bashkëpunim të mirë”, shtoi Johansson.