Dy policë dyshohen se sulmuan njëri-tjetrin brenda një stacioni në Prishtinë NULL NULL 25.06.2026 16:56 25.06.2026 16:56 Dy zyrtarë policorë dyshohen se kanë sulmuar njëri-tjetrin brenda Stacionit Policor Jugu në Prishtinë. Kjo ngjarje mes tyre dyshohet se ka ndodhur pasi që ata janë përfshirë paraprakisht në një mosmarrëveshje. Rastin e kanë konfirmuar për Klankosova.tv nga Inspektorati Policor i Kosovës. Sipas IPK-së, dy policët dyshohen për veprën penale “Sulm”. “Nga veprimet fillestare hetimore të ndërmarra nga Inspektorati Policor i Kosovës ekziston dyshimi se mbrëmë dy zyrtarë policorë gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare brenda objektit të Stacionit Policor Jugu, janë përfshirë në një mosmarrëveshje me njëri-tjetrin dhe se të njëjtit janë të dyshuar për veprën penale ‘Sulm’”, thuhet në përgjigjen e IPK-së. IPK-ja nuk ka bërë të ditur ende rrethanat që çuan në mosmarrëveshjen mes dy zyrtarëve policorë, ndërsa hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar. Sipas IPK-së, çdo veprim i zyrtarëve policorë që cenon integritetin policor apo ndikon negativisht në profesionalizmin e Policisë së Kosovës do të trajtohet me seriozitet. “Secili veprim i zyrtarëve policorë që mund të cenojë integritetin policor ose mund të ndikojë negativisht në profesionalizmin e Policisë së Kosovës do të trajtohet me seriozitet të plotë nga Inspektorati Policor i Kosovës”, thuhet në përgjigjen e IPK-së. /Klankosova.tv