Rumania në “ethe” nga forma magjike e Zhegrovës NULL NULL 04.09.2024 15:11 04.09.2024 15:11 Edon Zhegrova, Kosova - Rumania Stadiumi “Fadil Vokrri” në Prishtinë është arena ku Kosova e zhvillon ndeshjen e parë zyrtare, nën drejtimin e trajnerit, Franco Foda. Përball është Rumania, ndaj të cilëve edhe fillon kampanja e re në Ligën e Kombeve. Të dyja kombëtaret e njohin njëra-tjetrën mirë, pasi u takuan dy herë edhe gjatë vitit 2023, njofton Klankosova.tv. Në duelin e datës 16 qershor të vitit të kaluar, një goditje maestrale me kokë e Edon Zhegrovës përfundonte në portën rumune, duke i dhënë “Dardanëve” avantazhin, të cilin e mohonte më pas VAR-i, si shkak i një pozicioni të mëhershëm jashtë loje. Nga ajo përballje që u mbyll 0-0, ka kaluar pak më shumë se një vit, por gjatë krejt kësaj periudhe, forma e fantazistit kosovar, ka shënuar ndryshime të jashtëzakonshme. Edoni ynë është duke përjetuar momentet më të mira të karrierës me skuadrën franceze të Lille, duke u shndërruar në protagonistin kryesor të tyre në muajt e fundit, raporton Klankosova.tv. Dy gola të Zhegrovës ndaj Fenerbaches të Jose Mourinhos, e kualifikuan ekipin e tij në fazën PlayOff të Ligës së Kampionëve, kurse biletën për grupet e kompeticionit kryesor për klube në Evropë, e dha përsëri asi dardan, duke realizuar sërish dy golësh ndaj Slavias çeke, por mbi të gjitha ishte shënimi kyç në Pragë, që determinoi kualifikimin e LOSC Lille. Ylli kosovar nuk u ndal me kaq, ai arriti që t’i shënoj super gol edhe njërit prej portierëve më të mirë në botë, Gianluigi Donnarumma, kur u përball me PSG-në e madhe. Se a do të mund t’i bëjnë ballë rumunët këtij momentumi të jashtëzakonshëm të sulmuesit të Kosovës, mbetet të shihet, por deri atëherë e gjithë Rumania është në ethe, pasi ngritja dhe shkëlqimi i Edon Zhegrovës ka pushtuar gjithë komunitetin ndërkombëtar të futbollit. Ndeshja Kosovë – Rumani, zhvillohet më 6 shtator në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, me fillim në orën 20:45 dhe transmetohet në Art Motion.