Rama: Rastet e montuara, shpifje të “Kinostudios Luli shpk” NULL NULL 08.10.2018 10:43 08.10.2018 10:43 Në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka folur kryesisht mbi akuzat dhe sulmet ndaj qeverisë, nga opozita e drejtuar nga Lulzim Basha, edhe pse siç theksoi ai, të dhënat mbi numrin e vrasjeve janë ulur deri në përgjysmim, apo është pesëfishuar sekuestrimi i pasurive të atyre që kanë lidhje me krimin. Duke u ndalur në rastet e shumta të denoncuara nga opozita, të cilat kryeministri Rama i ka quajtur si produkte të “Kinostudios Luli shpk”, ai ka theksuar se sulmet dhe akuzat ndaj qeverisë apo individëve të veçantë të partisë në pushtet janë të pabaza. “Në dritaret e SHQUP-it flitet vetëm për drogën dhe krimin, ndërsa tani kanë shtuar rëndshëm edhe shpifjet. Akuzat ndaj ministrit Xhafaj apo ajo ndaj kreut të grupit parlamentar, Taulant Balla, janë monstruoze. Sa i përket rastit Babale 1, ajo bisedë nuk ka ekzistuar kurrë. Vëllai i ministrit në atë përgjim është veçse një aktor mjeran i paguar. Zullimi është edhe më i trashë sesa kaq, sepse Babale 1 nuk ra nga qielli. Megjithëse lojës po i vjen fundi, ka ende pjesë të pazbuluara nga Babale 1. Edhe rasti Babale 2, ai me Xhisiela Malokun do të rezultojë sërish një përpjekje e dështuar e opozitës. Mbrëmë, asaj vajze i është hedhur lëndë plasëse në oborrin e banesës së të afërmve. Ajo vajzë u dhunua publikisht për ditë të tëra, ndaj i bëj thirrje Prokurorisë ta zbardhë deri në fund”, tha ndër të tjera Rama, raporton Tch, transmeton Klan Kosova. Sa i përket përfshirjes së Ballës në rastin e Xhisielës, Rama ka thënë se nëse ai rezulton të gjendet në ndonjë filmim, atëherë le të arrestohet. Përveç rasteve të fundit, Rama i është kthyer edhe çështjes së Saimir Tahirit, për të cilin tha se e ka përjashtuar nga jeta politike, derisa drejtësia të japë vendimin përfundimtar.