Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Punimet nisën para shpronësimit: Projekti 374 mijë eurosh për rrëshqitjen në Klinë prek pronë private (VIDEO)

NULL NULL
22.06.2026 19:54

Një projekt i Ministrisë së Infrastrukturës për stabilizimin e një rrëshqitjeje të dheut në segmentin rrugor Klinë-Gurrakoc ka nxjerr probleme jo vetëm për mënyrën e prokurimit të kontratës, por edhe për faktin se punimet kanë hyrë në një pronë private para përfundimit të procedurës së shpronësimit.

Bëhet fjalë për një investim prej 373 mijë e 614 eurosh për sanimin e rrëshqitjes së dheut në zonën e njohur si “Shembja e Skelëve” në Krushevë të Vogël të Klinës. Reshjet e shumta të shiut gjatë muajit janar shkaktuan lëvizje të mëdha të dheut, duke dëmtuar një pjesë të trupit të rrugës dhe duke krijuar rrezik për qarkullimin e automjeteve në këtë segment.

Megjithëse, dëmet ishin evidente që në fillim të vitit, kontrata për sanimin e rrëshqitjes u nënshkrua vetëm më 5 qershor 2026. Ministria e Infrastrukturës përdori procedurën e negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë, duke e arsyetuar me urgjencën e situatës. Megjithatë, fakti që kontrata u lidh afro gjashtë muaj pas ndodhjes së rrëshqitjes ka ngritur pikëpyetje nëse rrethanat përmbushnin kriteret e një emergjence që justifikon shmangien e tenderit të hapur.

Kontrata iu dha kompanisë “Granit” nga Istogu. Dokumentacioni teknik përfshin fotografi të gjendjes në terren dhe përmend qartë se ndërhyrja do të prekë edhe prona private përgjatë zonës së rrëshqitjes.

Sipas projektit, nuk bëhet fjalë për një riparim të zakonshëm të rrugës. Janë planifikuar mbi 2,400 metra kub gërmime, ndërtimi i një muri mbajtës me sistem Terramesh, vendosja e rreth 2 mijë metrave katrorë geogrid për përforcimin e terrenit, drenazhimi i ujërave dhe ndërtimi i pilotave të betonit të armuar me diametër 1.2 metra dhe thellësi deri në 15 metra.

Një pjesë e këtyre punimeve po realizohet brenda një parcele private pranë rrugës. Pronari i tokës thotë se një mëngjes pa makineritë duke hyrë në pronën e tij dhe duke nisur gërmimet pa asnjë marrëveshje paraprake, pa vendim për shpronësim dhe pa ndonjë dokument zyrtar nga institucionet.

Sipas tij, ndërhyrjet kanë prekur pjesë të ndryshme të oborrit, përfshirë zonën përreth pusit të ujit, hyrjen e pronës, rrethojën dhe hapësira të tjera që ai pretendon se i ka mirëmbajtur ndër vite. Ai thotë se nuk e kundërshton projektin dhe e konsideron të domosdoshëm për sigurinë e rrugës, por kërkon që institucionet të ndjekin procedurat ligjore dhe të sqarojnë statusin e pronës së tij.

Pronari pretendon se ka udhëtuar disa herë nga Gjermania në Kosovë për të kërkuar informacione nga institucionet, por deri tani nuk ka marrë asnjë dokument zyrtar që do të sqaronte nëse prona e tij do të shpronësohet dhe si do të trajtohen dëmet që pretendon se janë shkaktuar gjatë punimeve.

Ai shpreh shqetësim edhe për ndikimin që gërmimet mund të kenë në pusin e ujit që ndodhet brenda parcelës, duke pretenduar se pas nisjes së punimeve uji është turbulluar dhe se devijimi i rrjedhave mund të ndikojë në furnizimin e tij në të ardhmen.

Nga ana tjetër, Ministria e Infrastrukturës pranon se një pjesë e punimeve po zhvillohet në një parcelë që ende nuk ka kaluar procedurën e shpronësimit. Sipas ministrisë, situata në terren ka qenë emergjente dhe ndërhyrja nuk ka mundur të presë përfundimin e procedurave administrative, pasi segmenti paraqiste rrezik serioz për qarkullimin dhe për banorët e zonës.

Ministria thotë se procedura e shpronësimit do të zhvillohet paralelisht me realizimin e projektit dhe se pronari është udhëzuar për dokumentacionin që duhet të dorëzojë për këtë proces. Sipas institucionit, qëllimi kryesor ka qenë sigurimi i aksit rrugor dhe eliminimi i rrezikut që paraqiste rrëshqitja e dheut.

Ndërsa makineritë vazhdojnë punën në terren dhe projekti po avancon drejt fazave të tjera të realizimit, mbetet të shihet nëse me të njëjtin ritëm do të zgjidhen edhe çështjet që lidhen me pronën private dhe procedurat e shpronësimit.

 

lajme të ngjashme