Prishtina e Re vazhdon ëndrrën për mbijetesë, Prishtina shuan gjasat për Evropë NULL NULL 06.05.2026 17:19 06.05.2026 17:19 Prishtina e Re ka regjistruar një fitore të rëndësishme dhe dramatike në derbin lokal ndaj Prishtinës, duke përmbysur rezultatin për të triumfuar me shifrat 3:2, në kuadër të javës së 33-të të elitës së futbollit kosovar. Ndeshja nisi më mirë për Prishtinën, e cila kaloi në epërsi në fund të pjesës së parë. Leotrim Kryeziu realizoi nga pika e bardhë në minutën e 45-të, duke i dhënë avantazhin ekipit të tij. Fillimi i pjesës së dytë i takoi sërish Prishtinës, pasi Muja dyfishoi epërsinë në minutën e 50-të për rezultatin 0:2. Megjithatë, reagimi i Prishtinës së Re ishte i shpejtë. Vetëm tetë minuta më vonë, Kargbo ngushtoi rezultatin, duke rikthyer shpresat për ekipin e tij. Momenti vendimtar i takimit erdhi në minutën e 70-të, kur Prishtina mbeti me një lojtar më pak pas një kartoni të kuq, çka ndikoi dukshëm në rrjedhën e lojës, transmeton Klankosova.tv. Duke përfituar nga epërsia numerike, Prishtina e Re shtoi presionin dhe arriti të përmbysë plotësisht rezultatin, duke shënuar edhe dy gola të tjerë për të siguruar një fitore spektakolare. Me këtë triumf, Prishtina e Re shkon në kuotën e 31 pikëve, duke mbetur në vendin e fundit, por tashmë me një diferencë prej tetë pikësh nga Llapi që ndodhet në zonën e barazhit. Në anën tjetër, Prishtina mbetet në vendin e katërt me 45 pikë, shtatë më pak se Malisheva, e cila mban pozitën e tretë që siguron pjesëmarrjen në garat evropiane dhe ka edhe një ndeshje më pak të zhvilluar. Ndeshja u transmetua direkt në Artmotion në kanalin Sport 1.