Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Politika “ne” dhe “ata”, kur kundërshtari bëhet “tradhtar” dhe armik!

123
string(13) "Dardan Sejdiu" string(69) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2025/12/Dardan-Sejdiu.-1.jpg"
nga Dardan Sejdiu 04.12.2025 13:58

Në politikën e sotme, ajo që shpesh quajmë “lëvizje” nuk është as spontane, as e papritur. Ajo u ndërtua mbi një tregim të ri për problemet e shoqërisë dhe një version të caktuar të asaj që quhet “populli”, ku gjuha, emocionet dhe referencat historike janë përdorë për të krijuar një identitet të ri kolektiv. Ky mekanizëm nuk është unik për një parti apo një vend, është mënyra se si ndërtohen projektet politike në shumë demokraci moderne.

Së pari, pakënaqësitë e ndryshme të shoqërisë lidhen në një zinxhir të vetëm, në një tregim që synon të duket koherent. Ky zinxhir mbahet bashkë përmes fjalëve të mëdha si liria, drejtësia, barazia, sovraniteti dhe “zhvillimi”. Këta “shënjues të zbrazët” janë fjalë me ngarkesë të madhe emocionale, por që marrin kuptime të ndryshme sipas përvojës së secilit qytetar. Kjo nuk është domosdoshmërisht negative, është mënyra se si funksionon politika. Të gjitha partitë gjithandej i përdorin këta shënjues të zbrazët për të krijuar kohezion.

Por rreziku shfaqet kur këta shënjues mbesin të zbrazët edhe pasi partitë e lëvizjet politike marrin pushtet dhe këto nuk përkthehen në politika konkrete. Shembull i qartë është nocioni i “dinjitetit të qytetarit.”  Një premtim i bukur, por pa përkthim praktik në spitale publike, shkolla, sportele, ku qytetari përballet me shtetin.

Më pas ndërtohet një vijë e padukshme mes “neve” dhe “atyre”. Kjo vijë nuk artikulohet gjithmonë hapur, edhe pse në vitet e fundit është shprehur drejtpërdrejt. Ky artikulim krijon energji, mobilizim, hapsirë për ballafaqim dhe ndjesinë e përkatësisë morale, por njëkohësisht ngre pyetje të rëndësishme: Kush futet tek “ne”? Kush shtyhet tek “ata”? Kush e vizaton këtë kufi dhe pse? Ky është një mekanizëm i njohur i politikës populiste në shumë vende, jo vetëm në Kosovë. Por intensiteti me të cilin përdoret e bën dallimin.

Hapi tjetër është stabilizimi i tregimit përmes historisë së përzgjedhur. Heroizmi vihet në qendër, ndërsa sfidat e përditshme shtyhen anash. Historia bëhet filter, jo pasqyrë. Kjo ndodh te të gjitha partitë, të cilat ndërtojnë biografi kolektive që favorizojnë rolin e tyre dhe relativizojnë gabimet. Por rreziku shtohet kur një parti që ka pretendim moral më të fortë, siç ka pasur Vetëvendosje, përdor historinë si mjet për të mbyllur debat e jo për ta thelluar.

Me kalimin e kohës, çdo projekt politik përballet me kufijtë e vet. Asnjë tregim politik nuk mund ta mbajë shoqërinë në këmbë kur flet më shumë sesa që prodhon rezultate. Vjen një moment kur realiteti fillon ta korrigjojë tregimin. Premtimet duhet të përkthehen në politika, institucionet duhet të performojnë dhe qytetarët kërkojnë rezultate të prekshme. Kur përvoja e qytetarëve nuk përputhet më me tregimin zyrtar, zinxhiri nuk këputet gradualisht, por me tension. Dalin në pah kërkesa të reja që nuk futen në kornizat e vjetra. Këtu shihet qartë sa lehtë mund të lëkundet ky tregim politik.

Në këtë pikë, fillon “kriza e artikulimit”. Konflikti që dikur funksiononte si kritikë prodhuese, nën presion, rrezikon të shndërrohet në polarizim të skajshëm. Kundërshtari nuk shihet më si palë politike, por si kërcënim moral e armik. Kjo nuk është një pasojë e natyrshme e demokracisë radikale, përkundrazi, ajo synon që konflikti të jetë politik, jo armiqësor. Por në kontekste me institucione të brishta liberale, ku politika mbështetet te moralizimi i tepruar, rrëshqitja drejt delegjitimimit e shpesh edhe drejt gjuhës së urrejtjes bëhet rrezik real.

Këtu bëhet i qartë dallimi mes demokracisë liberale dhe asaj radikale. Demokracia liberale ndërtohet mbi rregulla, institucione dhe respekt për kundërshtarin. Ajo kufizon impulsin e polarizimit dhe e moderon konfliktin përmes negociatave dhe kompromisit. Demokracia radikale, përkundrazi, kërkon artikulim të konflikteve të heshtura dhe përfshirje të zërave të përjashtuar. Por funksionon vetëm kur këto dy mekanizma bashkëjetojnë. Pa kufijtë liberalë, konflikti radikal politik rrezikon të shndërrohet në përjashtim, moralizim dhe armiqësi politike.

Vetëvendosje, sidomos në vitet e para, artikuloi konflikte të rëndësishme të shoqërisë kosovare, duke vënë në qendër padrejtësitë strukturore dhe pabarazitë sociale. Por me kalimin e viteve, diskursi i saj ka rrëshqitur gradualisht nga kritika politike drejt delegjitimimit moral të kundërshtarit. Kur kritika e institucioneve barazohet me “tradhti”, kur kundërshtari etiketohet si “armik”, “i kapur” apo “i shitur”, nuk kemi më konflikt demokratik, por përjashtim politik. Ky mekanizëm është parë edhe në lëvizje të tjera radikale në botë, ku diskursi, i pamundur të mbështetet më te rezultatet, kërkon të mbështetet te armiqtë.

Ky fenomen nuk është unik për VV, por pasoja e tij është më e madhe për një parti që ka ndërtuar legjitimitetin mbi një standard moral më të lartë dhe ka marrë pritjet më të mëdha nga qytetarët. Brishtësia e saj vjen jo nga dobësia politike, por nga pesha simbolike me të cilën është ngarkuar.

Megjithatë, demokracia radikale në vetvete nuk kërkon përçarje. Ajo kërkon artikulim të pakënaqësive dhe hapje të hapësirave demokratike. Andaj problemi nuk është radikaliteti, por izolimi i tij nga kornizat liberale të rregullit, institucioneve dhe respektit për kundërshtarin.

Nëse këto tensione shihen me qetësi, bëhet e mundur të imagjinojmë tregime politike që nuk prodhojnë përjashtime të reja, por hapësirë të përbashkët. Një Kosovë ku politika ushqehet nga vetëbesimi kolektiv, jo nga frika; ku shumëllojshmëria shihet si pasuri, jo si dobësi.

Këto kapërcime nuk janë utopike. Ato ndërtohen mbi praktika që tashmë ekzistojnë: komunitete aktive, institucione që funksionojnë kur nuk politizohen, qytetarë që kërkojnë llogaridhënie e jo armiq të rinj.

Nëse kuptojmë sa të brishta janë këto arkitektura, atëherë mund të ndërtojmë një të ardhme që nuk varet nga beteja imagjinare, por nga institucione të forta dhe kulturë demokratike. Një të ardhme ku populli shihet si mozaik, jo si trup homogjen.

Kjo është faza e re; jo lëvizje që ia tregojnë popullit kush është, por qytetarë që kërkojnë shtet; jo retorikë që ndez konflikt, por institucione që japin rezultate; jo frikë, por pjekuri.

lajme të ngjashme