Për çka e akuzoi Dimal Basha UÇK-në dhe diasporën në punimin e tij shkencor? (VIDEO) NULL NULL nga Florentina Hoti 29.08.2025 19:18 nga Florentina Hoti 29.08.2025 19:18 Sot bart titullin e kryekuvendarit të shtetit të Kosovës, por vetëm 13 vjet më parë Dimal Basha hidhte baltë e vrer mbi luftën që i solli lirinë e këtij vendi. Në një shkrim të publikuar në vitin 2012 me temën “Globalizimi i Ballkanit Perëndimor: Krimi Transkombëtar, islami fundamental dhe aleancat e padrejta” në “OpenEdition Journals”, Dimal Basha u bë bashkëautor me Jana Arsovskan, e njohur për shkrimet e saja kundër shqiptarëve, raporton Kiks Kosova. Në punimin e tyre, jo vetëm që njollosën luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës por e portretizuan si organizëm që mbështetej e financohej nga paratë e krimit dhe bosëve të drogës, që sipas tyre, ishin shqiptarë. Baltë në atë artikull u hodh edhe mbi shqiptarët e diasporës që mblidhnin para në emër të luftës dhe ushtarët e UÇK-së, duke thënë se luftimi i tyre nuk qe në të vërtetë në mënyrë vullnetare. Sipas shkrimit të tyre, diaspora ndante para jo pse donte por pse frikësohej e kërcënohej për vdekje. Basha tash kryetar i Kuvendit të Kosovës, i propozuar nga Vetëvendosja e Albin Kurtit, në këtë punim që mban firmën e tij, luftën e UÇK-së ku ranë dëshmorë mijëra ushtarë, u vranë 12 mijë civilë e u dhunuan rreth 20 mijë gra, ka lejuar ta quajnë “konflikt etnik”. Madje punimi i tyre shkencor vë në pikëpyetje edhe kredibilitetin e ndërkombëtarëve që mbështetën Kosovën në luftën e saj të drejtë, duke thënë se ndërkombëtarët kishin mbyllur sytë karshi krimit që po bënte Ushtria Çlirimtare e Kosovës atëkohë. Por Basha i cili përveç të qenit kryetar i Kuvendit, ka qasje edhe në strukturat e larta të sigurisë, duke përfshirë AKI-në, po tenton ta mohojë atë që dikur e quante arritje akademike të tij. Në një reagim në rrjetin social Facebook, Basha kishte thënë se autorësia e tij në këtë artikull i përket vetëm një kapitulli, dhe aty përfundon përgjegjësia e tij. Tutje Basha ka shtuar se çmon luftën e UÇK-së dhe se nga duart e tij nuk është shkruar asnjëherë diçka që bie ndesh me këto vlera. /Klankosova.tv