Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Nuk e dorëzoi licencën, infermieri i Prizrenit përfundon në komision disiplinor (VIDEO)

NULL NULL
27.07.2026 20:50

Një sinjalizim i pranuar nga redaksia e Kiks Kosovës ngriti dyshime se një infermier në Spitalin e Përgjithshëm “Prim. Dr. Daut Mustafa” në Prizren mund të ketë ushtruar profesionin pa licencë valide pune.

Dokumentet e siguruara nga emisioni tregojnë se më 18 prill 2025, Njësia e Personelit e spitalit kishte njoftuar infermierin Jollxhi Shala se posedimi i licencës valide të punës është obligim ligjor për profesionistët shëndetësorë. Megjithatë, sipas dokumentacionit, ai nuk e kishte dorëzuar licencën e kërkuar.

Një vit më vonë, më 25 maj 2026, Drejtoresha e Infermierisë në Spitalin e Prizrenit iu drejtua Odës së Infermierëve, Mamive dhe Profesionistëve të Tjerë Shëndetësorë (OIK), duke kërkuar sqarime nëse Shala figuron si anëtar i regjistruar, nëse kishte aplikuar për vazhdimin e licencës dhe cilat procedura duhen ndjekur në rastet kur mungon licenca valide e punës.

Vetëm pak orë pas kërkesës, OIK konfirmoi se Shala është anëtar i Odës, por nuk posedonte licencë valide të punës. Sipas përgjigjes së Odës, ai nuk kishte kryer asnjë procedurë elektronike për licencim, rilicencim apo edukim të vazhdueshëm profesional që nga lansimi i sistemit elektronik në vitin 2019.

Pas kësaj përgjigjeje, më 3 qershor 2026, Këshilli Drejtues i Spitalit të Prizrenit shqyrtoi rastin dhe e procedoi atë në Komisionin Disiplinor për trajtim të mëtejmë dhe marrjen e masave sipas dispozitave ligjore.

Sipas informacioneve të siguruara nga Kiks Kosova, Shala kishte aplikuar për rilicencim më 16 qershor 2026 përmes procedurës së Provimit Profesional për Rilicencim. Ai iu nënshtrua provimit më 30 qershor, ndërsa më 8 korrik iu lëshua licenca e re me vlefshmëri pesëvjeçare.

Megjithëse tashmë është pajisur me licencë valide, mbetet e paqartë për sa kohë infermieri ka ushtruar profesionin pa këtë dokument dhe nëse ndaj tij do të ndërmerren masa disiplinore lidhur me periudhën paraprake.

Oda e Infermierëve, e pyetur nga Kiks Kosova për veprimet që ndërmerren në rastet kur identifikohet ushtrim i profesionit pa licencë valide, tha se vepron brenda kompetencave ligjore të saj, ndërsa mbikëqyrja e zbatimit të kërkesave ligjore në institucionet shëndetësore u takon mekanizmave kompetentë të inspektimit dhe mbikëqyrjes.

Kiks Kosova tentoi të marrë një qëndrim edhe nga vetë infermieri. Ekipi shkoi në repartin e Dializës në Spitalin e Prizrenit, ku ai punon. Sapo u njoftua për arsyen e interesimit, Shala u largua pa pranuar të japë sqarime lidhur me rastin.

Sipas të dhënave publike, Jollxhi Shala është kryetar i Partisë së Re Rome të Kosovës (KNRP) dhe ka ushtruar më herët detyrën e zëvendësministrit në Ministrinë për Komunitete dhe Kthim gjatë periudhës 2015–2019.

Drejtori i Spitalit të Përgjithshëm të Prizrenit, Osman Hajdari, konfirmoi për Kiks Kosovën se rasti i infermierit Jollxhi Shala u zbulua gjatë një reforme të nisur në shtator të vitit 2025, e cila përfshinte verifikimin e dosjeve personale të stafit, përfshirë diplomat, kualifikimet dhe licencat e punës.

lajme të ngjashme