Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Përplasje për ushqimin në Klinikën Infektive, QKUK mohon ankesat e nënave (VIDEO)

NULL NULL
27.07.2026 20:45

Është një ndër klinikat me fluksin më të madh të punës ditëve të fundit. Klinika e Sëmundjeve Ngjitëse-Infektivë, ofron shërbime mjekësore për pacientët të cilët diagnostifikohen me infeksione, e po ashtu trajton edhe raste urgjente apo epidemi.

Megjithatë, për gjendjen brenda saj dhe ankesat e pacientëve, Kiks Kosova u sinjalizua para disa javësh dhe raportoi me 6 korrik të 2026-ës.

Në redaksi të emisionit erdhën ankesa të cilat kishin të bënin me kushtet brenda për brenda reparteve të infektivës.

Madje, në një prej videove që emisioni kishte pranuar, shihej duke rrjedhur uji nga tavani, teksa mbi shtrat stafi e kishin vendosur një kovë.

Pacientët e infektivës u ankuan edhe për gjëra bazike.

Mungesa e barnave antiinflamatorë, çarçafëve e ushqimi për nënat që kujdesen për fëmijët e tyre të sëmurë.

Në emisionin e transmetuar në ditën e 6-të të korrikut, drejtoria e QKUK-së nuk ishte përgjigjur në pyetjet e emisionit.

Por, pas dy ditësh, nga ushtruesi i detyrës së Shefit të Sektorit të Kuzhinës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, u mohuan të gjitha ankesat e pacienteve.

Sipas QKUK-së, furnizimi me ushqim bëhet bazuar në kërkesat zyrtare të dërguara nga kryeinfermierët e klinikave.

Madje, spitali pohoi që ka pasur raste kur ushqimi është servuar edhe jashtë vakteve të rregullta kur pacientet kanë kërkuar.

Kësisoj, përfundimisht nga QKUK mohuan të gjitha ankesat e nënave se po detyrohen të blejnë ushqim me paratë e tyre.

lajme të ngjashme