Nga reforma e dialogu deri te konsensusi për rrugën evropiane – krejt çka tha Antonio Costa në Prishtinë NULL NULL 04.06.2026 10:00 04.06.2026 10:00 Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, në një konferencë për media të mbajtur të mërkurën në Prishtinë, është pyetur për sulmin e ndodhur në Banjskë në shtator të vitit 2023, konkretisht për llogaridhënien e Serbisë ndaj këtij sulmi dhe vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi. Costa, para gazetarëve deklaroi se palët duhet të përqendrohen tek e ardhmja e begattë e Bashkimit Evropian. “Bashkimi Evropian është projekt për paqe. Bashkimi Evropian ka lindur nga hiri i Luftës së Dytë Botërore. Bashkimi Evropian ka lindur kur dy pjesëmarrësit e mëhershëm, Gjermania dhe Franca, kanë vendosur që t’i tejkalojnë mospajtimet dhe të përqendrohen në një të ardhme të begattë dhe përparimtare. Kjo është storia e Bashkimit Evropian dhe e ardhmja e Bashkimit Evropian”, u shpreh kreu i KE-së. Ndër të tjera, duke u ndalur te raportet mes Kosovës dhe Serbisë, Costa tha se “të gjithë ne kemi pasur ca probleme me fqinjët tonë në të kaluarën”. “Nganjëherë probleme shumë dramatike, por ne duhet të vendosim se çka duam të ndodh me vlerat, të ardhmen e përbashkët apo luftimet e të kaluarës, kur kemi luftuar me njëri-tjetrin. Ne duhet të përqendrohemi në të ardhmen e përbashkët”, deklaroi Costa, njofton Klankosova.tv. Zyrtari i lartë evropian u ndal edhe te aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian, i dorëzuar në vitin 2022, duke nënvizuar se procesi kërkon përkushtim të vazhdueshëm në zbatimin e reformave të dakorduara. “Në agjendën e reformave jemi pajtuar në procesin e anëtarësimit drejt BE-së dhe është shumë e rëndësishme që Kosova, hap pas hapi, t’i japë rezultatet e asaj që veçse jemi pajtuar”, tha Costa. Ai shprehu besimin se në fund të procesit të integrimit nuk do të ketë pengesa nga Bashkimi Evropian për Kosovën, nëse përmbushen obligimet e marra. “Unë besoj që në fund të procesit nuk do të kemi kurrfarë problemi nga Bashkimi Evropian. Mirëpo, për momentin ajo çka na nevojitet është konsensusi i madh kombëtar në lidhje me anëtarësimin në BE”, deklaroi ai. Sipas presidentit të KE-së, ky konsensus duhet të reflektohet në hapa konkretë që do të dëshmojnë përkushtimin e vendit ndaj rrugës evropiane. “Kjo mund të përkthehet në veprime konkrete duke ruajtur qartë rrugën e këtij zgjerimi”, theksoi Costa. Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa nga Prishtina ka dërguar një mesazh për liderët politikë me të cilët u takua të mërkurën duke theksuar se partneriteti me Bashkimin Evropian shoqërohet me përgjegjësi dhe angazhim konkret për reforma. Duke iu referuar zhvillimeve politike në vend dhe zgjedhjeve të parakohshme që mbahen këtë të dielë, Costa tha Bashkimi Evropian mund ta mbështesë Kosovën, por nuk mund t’i kryejë detyrat e saj, transmeton Klankosova.tv “Kosova po shkon në zgjedhje këtë fundjavë dhe mesazhi im për të gjithë liderët politik me të cilët u takova sot ishte i thjeshtë, partneriteti vjen me përgjegjësi. Bashkimi Evropian mund ta mbështesë Kosovën, por nuk mund t’i kryjë detyrat e saj, në vend të saj”, u shpreh ai. Ai theksoi se Kosova ka nevojë për institucione të forta, të qëndrueshme dhe funksionale, të afta për të zbatuar reforma dhe për të përfituar nga mundësitë që ofron BE. “Kosova ka nevojë për institucione të forta, të qëndrueshme dhe funksionale, të afta për të realizuar reforma dhe për të shfrytëzuar mundësitë që ofron Bashkimi Evropian”, tha Costa. Sipas presidentit të Këshillit Evropian, integrimi evropian duhet të jetë prioritet i përbashkët i të gjithë akterëve politikë, siç u shpreh ai, pavarësisht dallimeve dhe përçarjeve, transmeton Klankosova.tv