Mustafa: LDK e mirëpret aktvendimin e Kushtetueses – VV-ja t’i japë fund arrogancës politike NULL NULL 08.08.2025 16:23 08.08.2025 16:23 Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa, në konferencë për media ka thënë se kjo parti e mirëpret aktgjykimin e sotëm të Gjykatës Kushtetuese në lidhje me konstituimin e kuvendit. Mustafa tha se LDK-ja e ripohon qëndrimin e saj se kushtetuta është mbi të gjithë dhe sipas tij, asnjë grup parlamentar, asnjë parti dhe asnjë individ nuk ka të drejtë ta sfidojë atë, e aq më pak ta shkelë atë. “Presim që të përmbushet pa asnjë vonesë obligimi kushtetues që e ka dhënë Gjykata Kushtetuese, duke rifilluar procesin nga pika 3 e rendit të ditës, të propozohet kandidati për kryetar të kuvendit përmes një procesi të rregullt, të hapur dhe në përputhje me kushtetutën”. “VV-ja duhet t’i jap fund arrogancës politike dhe qasjes anti-kushtetuese. Pushteti nuk fitohet duke shkelur rregullat, por duke i respektuar ato. LDK-ja vazhdon ta mbrojë Kushtetutën, demokracinë dhe institucionet e Kosovës”, tha Mustafa, njofton Klankosova.tv. Tutje, ai i cilësoi si të papranueshme sulmet që deputetët dhe figurat më të larta të VV-së ia kanë bërë Gjykatës Kushtetuese dhe gjyqtarëve të saj pas këtij aktvendimi, teksa tha se VV-ja përmes Deharit është përpjekur që ta kapë institucionin më të lartë të vendit, Kuvendin e Kosovës. “Gjykata ka konstatuar se Avni Dehari, si kryesues i seancës konstituive, nën direktivat e partisë së tij, Vetëvendosje, ka vepruar në kundërshtim me kushtetutën, duke injoruar vendimet e gjykatës dhe duke cenuar rëndë rregullin kushtetues të vendit”. “Ky nuk është një gabim procedural i një deputeti të VV-së. Kjo është një përpjekje e qëllimshme për ta kapur institucionin më të lartë përfaqësues të Republikës, pra kuvendin, përmes veprimeve të paligjshme dhe në kundërshtim me kushtetutën”, tha ai. Gjykata Kushtetuese: Kuvendi duhet të zgjedhë kreun e ri përmes votimit të hapur