Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

MPJD i dërgon notë verbale Quintit për arrestimin e ish-ushtarit të UÇK-së në Serbi

NULL NULL
25.11.2025 18:49

Ministria e Jashtme dhe Diasporës është deklaruar rreth arrestimit në Serbi të ish-ushtarit të UÇK-së, Avni Qenaj.

MPJD në një përgjigje për Klankosova.tv. thekson se lidhur me rastin iu është dërguar notë verbale vendeve të Quintit, me qëllim sigurimin e angazhimit të partnerëve ndërkombëtarë në mbrojtje të të drejtave dhe sigurisë së shtetasit të Republikës së Kosovës.

“Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi do të procedojë me paraqitjen e kërkesës zyrtare për lejimin e vizitës të personit të arrestuar, sapo të konfirmohet lokacioni i saktë ku ai po mbahet”, thuhet në përgjigjen për Klankosova.tv.

Tutje në përgjigje theksohet se menjëherë pas pranimit të informacionit mbi arrestimin e shtetasit të Kosovës, Zyra Ndërlidhëse e Kosovës, ka ndërmarrë veprimet e para duke i adresuar Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë kërkesë zyrtare për konfirmimin e arrestimit, arsyet konkrete të ndalimit, vendndodhjen aktuale ku ai po mbahet, si dhe çdo informacion tjetër të domosdoshëm për trajtimin e mëtejmë të rastit.

“Paralelisht, Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi e ka njoftuar për rastin edhe Delegacionin e Bashkimit Evropian në Serbi, duke kërkuar monitorim të shtuar dhe transparencë të plotë nga autoritetet serbe në lidhje me procedurat e ndërmarra”.

MPJD rithekson angazhimin e saj të plotë dhe të pandërprerë për ndriçimin e të gjitha rrethanave të rastit dhe siguron se opinioni publik do të informohet me kohë dhe në mënyrë të vazhdueshme për të gjitha zhvillimet.

“Edhe njëherë, MPJD i bën thirrje Bashkësisë Ndërkombëtare që të rrisë vigjilencën dhe presionin ndaj autoriteteve të Serbisë, e cila vazhdon praktikën e keqtrajtimit dhe intimidimit të shtetasve të Republikës së Kosovës, duke cenuar kështu normat dhe standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”, thuhet në fund të përgjigjes së MPJD-së për Klankosova.tv.

lajme të ngjashme