Maqedonia po hesht sot, voton nesër – Demiri jep detaje për procesin NULL NULL 18.10.2025 20:47 18.10.2025 20:47 Qytetarët e Maqedonisë së Veriut nesër do t’i drejtohen kutive të votimit për t’i zgjedhur kryetarët e komunave. Në lidhje me këtë proces ka folur nënkryetari i Komisionit Shtetëror Zgjedhor të Maqedonisë së Veriut, Abdush Demiri, i cili tha se ky institucion i ka ndërmarrë dhe po i ndërmerr ende të gjitha veprimet e nevojshme në përputhje me kodin zgjedhor për të realizuar një proces të suksesshëm zgjedhor. Demiri tha se nuk kanë pasur ndonjë vështirësi të theksuar në përgatitjen e këtij procesi, teksa dha detaje se sa persona kanë të drejtë vote nesër. “Të drejtën e votës mund ta shfrytëzojnë 1 milion e 832 mijë e 415 votues për 80 komuna dhe qytetin e Shkupin në 3 mijë e 480 vendvotime në të gjithë Maqedoninë e Veriut”. “Qytetarët mund të votojnë për gjithsej 309 kandidatë për kryetarë të komunave dhe 10 mijë e 499 kandidatë për anëtarë të këshillave të komunave”, u shpreh ai në Klan Kosova. Tutje, ai tha se aktualisht po vijon ende procesi i votimit për personat e sëmurë dhe të pafuqishëm, personat që po vuajnë dënimin me burg ose ndodhen në paraburgim si dhe personat që janë paraqitur për votim dhe janë të vendosur në institucionet e përkujdesit jashtë familjar.