Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

LIVE| Vota e Kosovës: Hapen qendrat, hidhen votat e para (VIDEO)

NULL NULL
07.06.2026 06:19
Foto ilustruese

Qytetarët e Kosovës i janë drejtuar sot, më 7 qershor, kutive të votimit për zgjedhjet e nivelit nacional, duke shënuar procesin e tretë zgjedhor parlamentar brenda një periudhe prej 16 muajsh.

Pas zgjedhjeve të rregullta të 9 shkurtit 2025 dhe zgjedhjeve të parakohshme të 28 dhjetorit 2025, vendi organizon sërish zgjedhje për Kuvendin e Kosovës. Ky proces vjen pas dështimit për të arritur konsensusin e nevojshëm për zgjedhjen e presidentit të vendit.

Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), këto janë zgjedhjet e 11-ta në nivel nacional që nga përfundimi i luftës në Kosovë.

Të drejtën e votës në këto zgjedhje e kanë 2.092.174 qytetarë, ose 15.884 më shumë krahasuar me zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit 2025.

Votimi brenda Kosovës do të organizohet në 949 qendra votimi me 2.550 vendvotime.

Prej tyre, 911 qendra me 2.498 vendvotime do të shërbejnë për votimin e rregullt, ndërsa 38 qendra, nga një në secilën komunë, me 52 vendvotime do të jenë të dedikuara për votimin me kusht.

Ndërkohë, votimi jashtë vendit, përveç atij përmes postës, është organizuar në 30 përfaqësi diplomatike të Kosovës, përkatësisht në 17 ambasada dhe 13 konsullata.

Në këto përfaqësi janë vendosur gjithsej 47 vendvotime, ndërsa votimi fizik i diasporës është zhvilluar më 6 qershor 2026.

Organizimi i këtij procesi zgjedhor, sipas të dhënave zyrtare, i ka kushtuar buxhetit të Kosovës më shumë se 10.8 milionë euro.

 

Gjakovë: Atmosferë e qetë në ditën e votimit, interes i ulët i qytetarëve

Në Gjakovë po mbretëron atmosferë e qetë në ditën e votimit.

Në qendrën më të madhe të votimit, në shkollën “Fehmi Agani”, qytetarët kanë filluar të ushtrojnë të drejtën e votës që nga ora 07:00.

Nga terreni po raporton gazetarja e Klan Kosovës, Diellëza Berisha, e cila thotë se deri në këto momente nuk është vërejtur interes i lartë i qytetarëve.


Qendra e votimit në “Fakultetin Teknik”, Kurtaj: Gjithçka po shkon mirë deri në këto momente 

Qendra e votimit në “Fakultetin Teknik” në Prishtinë është hapur me kohë.
Gazetarja e Klan Kosovës, Gresa Nitaj ka thënë se deri tani në këtë qendër të votimit numri i qytetarëve që po e ushtrojnë të drejtën e tyre të votës është i vogël, raporton Klankosova.tv.

“Që nga hapja është vërejtur një numër jo i madh i votuesve që kanë ardhur për të votuar këtu”.
Menaxheri i qendrës Valon Kurtaj tha se në këtë qendër gjithçka po shkon në rregull.

“Qendra është hapur me kohë, do thotë në ora 07:00, gjithë materiali ka ardhur me kohë dhe gjithçka po shkon mirë deri në këto momente. I gjithë procesi po shkon mirë kemi gjithsej 5 vendvotime në këtë qendër dhe deri tani nuk kemi probleme”, tha ai.


Suharekë: 66 mijë votues në 34 qendra, proces i qetë në “Skender Luarasi”

Nga qyteti i Suharekës nga gazetarja e Klan Kosovës, Sala Gashi është bërë e ditur se gjithsej janë 66 mijë votues të shpërndarë në 34 qendra votimi.
Nga shkolla “Skender Luarasi”, përgjegjësi i kësaj qendre, Hamdi Bytyqi, ka thënë se dita e votimit po zhvillohet e qetë, pasi të gjitha përgatitjet janë bërë me kohë.

Sipas tij, në këtë qendër kanë ardhur me kohë edhe organet e sigurisë, ndërsa në këtë vendvotim janë rreth 8 mijë votues.


Ferizaj: Pensioneri ankohet se bashkëshortja që s’di shkrim e lexim s’mundi të votojë 

Në qendrën e votimit “Tefik Çanga” në Ferizaj ka nisur procesi zgjedhor, ku në terren po raporton gazetarja e Klan Kosovës, Gentiana Gashi.

Gjatë një lidhjeje direkte, një pensionist është shprehur i pakënaqur pasi bashkëshortja e tij, e cila nuk di shkrim e lexim, nuk ka mundur të ushtrojë të drejtën e votës.

“Jam i pakënaqur për arsye se bashkëshortja ime s’mund të shfrytëzojë të drejtën e saj ligjore dhe kushtetuese me votu, për të cilën jemi ardh. Si gjithherë kemi ardh me votu me dokument valid, por…e kemi marrë përgjigje se nuk mundet me votu, me i ndihmu askush, sepse kjo s’din shkrim e lexim, sikur çdo herë, por dikush e ka ndihmu me asistu”, tha mes tjerash ai.


Qendra më e madhe e votimit në Skenderaj hapet me kohë

Qendra më e madhe e votimit në Skenderaj “Anton Gjeta” është hapur me kohë.
Gazetarja e Klan Kosovës, Gremisa Latifi tha se në këtë qendër votimi ka një rritje të numrit të qytetarëve me të drejtë vote nga zgjedhjet e kaluara, raporton klankosova.tv.

“Kjo është qendra më e madhe e votimit, në këtë qendër kanë të drejtë vote mbi 6 mijë persona. Në këtë qendër është shtuar numri i votuesve. Ndërsa në tërësi në Skenderaj mbi 51 mijë persona, që këtë të drejtë mund ta ushtrojnë në 33 qendra të votimit e në 77 vendvotime”, tha Latifi.


Podujevë: Procesi zgjedhor nis normalisht, interes i ulët në orët e para 

Në shkollën “Dr. Ibrahim Rugova” në Podujevë, e cila është edhe qendra më e madhe e vendvotimit në këtë komunë me 80,917 votues me të drejtë vote, procesi zgjedhor ka nisur dhe po zhvillohet normalisht.

Gazetarja e Klan Kosovës, Artina Breznica, raporton nga terreni se deri tani gjithçka po shkon pa probleme.

Por, sipas saj, interesi i qytetarëve në orët e para të mëngjesit mbetet i ulët./Klankosova.tv


Pejë: Pjesëmarrje e ulët në qendrën e votimit “Lidhja e Prizrenit” 

Nga qendra e votimit në “Shkollën Lidhja e Prizrenit” në Pejë raportohet për një numër të vogël qytetarësh në orët e para të procesit zgjedhor.
“Po kemi votuar. Në të gjitha zgjedhjet kam votuar, duhet me votu gjithmonë”, ka thënë një qytetar i intervistuar në vendvotim, duke theksuar rëndësinë e pjesëmarrjes në zgjedhje.

Nga Peja për Klan Kosova po raporton gazetarja Qëndresa Bellagoshi.


“S’kisha dashtë më zgjedhje”, thotë një votues nga Gjilani

Në qendrën më të madhe të votimit në Gjilan, procesi zgjedhor ka nisur me kohë, ndërsa qytetarët kanë filluar të paraqiten edhe para orës 07:00.

Nga aty ka raportuar gazetarja e Klan Kosovës, Endrita Bajrami, e cila ka bërë të ditur se në këtë komunë të drejtë vote kanë 102,225 qytetarë.

Një nga qytetarët e intervistuar, tha se se nuk pret më zgjedhje në vend.

“Për zgjedhje s’kisha thënë më me pas, as nuk kisha dashtë. Sipas mendimit tim mendoj se do të shkojë në rregull gjithçka”, ka deklaruar ai.


Prishtinë: KQZ angazhon staf ndihmës në qendrën me kusht pas ankesave

Nga qendra e votimit me kusht, gazetarja Arbreshë Uka raporton se pas shumë kritikave dhe ankesave të vazhdueshme, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka angazhuar staf në tavolinën ndihmëse në hyrje të qendrës.

Në Qendrën me Kusht në Fakultetin e Edukimit në Prishtinë, kutitë e votimit janë hapur në orën 07:00 sipas orarit të paraparë, duke shënuar nisjen e procesit zgjedhor.


Qendra më e madhe e votimit në Prizren hapet në kohë, vonesa në disa vendvotime

Qendra më e madhe e votimit në Prizren është hapur me kohë.
Gazetarja e Klan Kosovës, Qëndresa Tërshani tha se megjithatë në disa vendvotime kishte vonesa deri në 13 minuta, raporton klankosova.tv.

“Qendra është hapur në kohë, megjithatë disa vendvotime këtu brenda ka pasur vonesa deri 13 minuta”.
Një qytetar që ushtroi të drejtën e tij të votës, u shpreh i pakënaqur me vonesat duke thënë se përgatitjet duhet të bëhen paraprakisht.

“Kish njerëz këtu që pritshin, kishin me shku në punë. Këtu njerëzit po vijnë veç po i zënë vendet e punës dhe me punu po ju vjen vështirë. Këtu së paku gjysmë ore përpara me fillu përgatitja, jo përgatitja kur të vijnë njerëz me votu”, tha ai.


Dy votuesit e parë hedhin votën në qendrën “Tefik Çanga” në Ferizaj

Procesi zgjedhor ka nisur edhe në Ferizaj, ku në qendrën e votimit “Tefik Çanga” kanë votuar dy qytetarët e parë.

Bëhet fjalë për një burrë dhe një grua që kanë shfrytëzuar të drejtën e tyre të votës në hapje të procesit.

Në terren po raporton gazetarja e Klan Kosovës, Gentiana Gashi.


Qendra më e madhe e votimit në Prishtinë hapet me kohë

Fakulteti Filologjik në Prishtinë, një nga qendrat më të mëdha të votimit në kryeqytet, është hapur me kohë për procesin e sotëm zgjedhor.
Në këtë qendër votimi janë të regjistruar rreth 8 mijë votues, ndërsa janë 8 vendvotime, njofton Klankosova.tv.

Për dallim nga zgjedhjet e kaluara, këtë herë në qendër janë vendosur edhe tavolina ndihmëse për qytetarët. Vendosja e tyre vjen pas ankesave të shumta të votuesve në procesin e fundit zgjedhor, të cilët kishin hasur vështirësi në gjetjen e vendvotimeve dhe informacionit të nevojshëm.


Hapet qendra e votimit “Faik Konica” në Prishtinë

Kosova sot voton për zgjedhjet parlamentare.

Në shkollën “Faik Konica” në Prishtinë e cila është një nga qendrat më të mëdha të votimit në kryeqytet procesi ka filluar me rregull, raporton klankosova.tv.

Gazetari i Klan Kosovës, Liridon Zeqiri ka sjellur detaje nga kjo qendër e votimit.

“Procesi i votimit ka nisur siç është paraparë, votuesi i parë ka ardhur 5 minuta para se të hapet vendvotimi dhe pastaj ka votuar pa asnjë pengesë. Të gjitha përgatitjet janë bërë me kohë në këtë qendër të votimit”.

Kujtojmë se Prishtina ka gjithsej 219 mijë e 654 votues.


Nis votimi në Mitrovicën e Jugut, 32 qendra aktive (VIDEO)

Nga shkolla “Migjeni” në Mitrovicën e Jugut është konfirmuar nisja e procesit të votimit në kuadër të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Gazetari i Klan Kosovës, Flamur Gajtani ka bërë të ditur se votimi ka filluar sipas planit në këtë qendër, e cila i përket komunës më të madhe në rajonin 02 për nga numri i votuesve.

Në këtë komunë janë gjithsej 80 mijë e 271 votues, ndërsa në këto zgjedhje numri është rreth 6 mijë votues më i ulët krahasuar me proceset e kaluara zgjedhore.

Në total, në Mitrovicën e Jugut janë 32 qendra votimi.


Hapet procesi i votimit në qendrën me kusht në Prishtinë, votuesi i parë ushtron të drejtën e tij

Kryesuesi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, ka hedhur i pari votën në zgjedhjet e sotme.

Pas votimit, ai u bëri thirrje qytetarëve të Kosovës që të dalin dhe të shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese për të votuar.

“Sot fillon dita e zgjedhjeve dhe për këtë ditë KQZ ka qenë e angazhuar që nga shpallja e saj për përgatitjet. Të gjitha përgatitjet deri më sot pothuajse kanë përfunduar, tash fillon procesi zgjedhor dhe më pas fillon numërimi në të gjitha qendrat komunale të numërimit. I bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës që të dalin dhe të shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese për të votuar, me zgjedhjen e tyre do të zgjedhin përfaqësuesit për Kuvendin e Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Radoniqi./Klankosova.tv


Radoniqi voton, bën thirrje për pjesëmarrje në zgjedhje

Kryesuesi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, ka hedhur i pari votën në zgjedhjet e sotme.

Pas votimit, ai u bëri thirrje qytetarëve të Kosovës që të dalin dhe të shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese për të votuar.

“Sot fillon dita e zgjedhjeve dhe për këtë ditë KQZ ka qenë e angazhuar që nga shpallja e saj për përgatitjet. Të gjitha përgatitjet deri më sot pothuajse kanë përfunduar, tash fillon procesi zgjedhor dhe më pas fillon numërimi në të gjitha qendrat komunale të numërimit. I bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës që të dalin dhe të shfrytëzojnë të drejtën e tyre kushtetuese për të votuar, me zgjedhjen e tyre do të zgjedhin përfaqësuesit për Kuvendin e Republikës së Kosovës”, ka deklaruar Radoniqi./Klankosova.tv


Radoniqi i KQZ-së hedh votën e parë në zgjedhjet e sotme

Kryesuesi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi është i pari që e hedh votën në zgjedhjet e sotme.

Ai votoi në shkollën fillore “Lidhja e Prizrenit” në Pejë, njofton Klankosova.tv.


Këto janë adresat e 38 qendrave të votimit me kusht

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar listën e përgithshme të qendrave të votimit në të cilat do të zhivllohet procesi i votimit sot në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës.

KQZ ka caktuar në çdo komunë nga një qendër votimi me kusht. Pra, në të gjithë Republikën e Kosovës, janë vetëm 38 qendra votimi me gjithsej 52 vendvotime në të cilat lejohet votimi me kusht.

Në Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, votimi me kusht është i mundur për votuesin në cilëndo komunë, pasi Kosova është një zonë e vetme zgjedhore dhe në çdo komunë shpërndahen fletëvotimet me përmbajtjen e njëjtë.

KQZ mundëson votimin me kusht për votuesit të cilët kanë emrin e tyre në listën votuese, por për arsye objektive nuk mund të votojnë në vendvotimin e caktuar.

Numërimi i votave me kusht bëhet në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, disa ditë pas ditës së zgjedhjeve, pas përfundimit të procedurave të parapara.

Procesi zgjedhor brenda vendit do të zhvillohet në 949 Qendra të Votimit, me gjithsej 2,550 vendvotime, prej të cilave 911 qendra me 2,498 vendvotime për votimin e rregullt dhe 38 qendra, nga një për çdo komunë, me 52 vendvotime për të mundësuar votimin me kusht. /Klankosova.tv


Dita e zgjedhjeve, mbi 2 milionë qytetarë me të drejtë vote

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se numri i shtetasve të Kosovës me të drejtë vote në zgjedhjet e 7 qershorit është 2,092,174 votues.

Kjo listë sipas KQZ-së, përmban 15,884 votues më shumë se në zgjedhjet e parakohshme për Kuved të cilat u mbajtën më 28 dhjetor 2025.

“Sipas të dhënave nga Lista Votuese, numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime, në Republikën e Kosovës është 1,959,962 votues, ndërkaq numri i qytetarëve që janë regjistruar për të votuar jashtë Kosovës është 132,212 votues, prej të cilëve, 100,970 janë regjistruar për të dërguar fletëvotimin në kutinë postare jashtë Kosovës, 3,518 për të dërguar fletëvotimin në kutinë postare në Kosovë dhe 27,724 për të votuar fizikisht në përfaqësi diplomatike”, thotë KQZ, transmeton Klankosova.tv.

Numri i votuesve të rinj që do të votojnë për herë të parë në zgjedhjet e parakohshme më 7 qershor, është: 22,685 votues, prej të cilëve:

  • 16,934 votues konsiderohen të rinj që, pas zgjedhjeve për Kuvend (28.12.2025), kanë arritur moshën 18 vjeç dhe do të votojnë për herë të parë në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, që do të mbahen më 7 qershor. Prej tyre 8,752 (51.68 %) janë meshkuj, ndërsa 8,182 (48.31 %) janë femra; dhe
  • 5,751 votues konsiderohen të regjistruar për herë të parë në Regjistrin Qendror Civil midis dy palë zgjedhjesh, ose votues që kanë rikthyer shtetësinë e Kosovës.

Sipas të dhënave nga ky raport, numri i përgithshëm i votuesve që janë larguar nga LPV pas zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës (28.12.2025) është 6,801. Ky numër përfshin:

  • 6,165 votues të larguar si persona të vdekur, të evidentuar nga Agjencia e Regjistrit Civil (ARC);
  • 419 votues të larguar për shkak të humbjes së shtetësisë së Republikës së Kosovës, të evidentuar nga ARC; dhe
  • 217 votues të larguar nga lista votuese pas pranimit të dhënave nga KGjK.

Procesi zgjedhor brenda vendit do të zhvillohet në 949 Qendra të Votimit, me gjithsej 2,550 vendvotime, prej të cilave 911 qendra me 2,498 vendvotime për votimin e rregullt dhe 38 qendra, nga një për çdo komunë, me 52 vendvotime për të mundësuar votimin me kusht.

“Ndërkaq, procesi zgjedhor jashtë vendit, përveç votimit me postë, do të organizohet në 30 përfaqësi diplomatike, prej të cilave 17 ambasada dhe 13 konsullata, me gjithsej 47 vendvotime. Votimi fizik në këto përfaqësi do të zhvillohet më 6 qershor 2026”, thotë KQZ./Klankosova.tv


Mbi 100 prokurorë në terren për mbrojtjen e votës

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka njoftuar se janë bërë të gjitha përgatitjet për të garantuar integritetin e procesit zgjedhor dhe mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve.

Në zgjedhjet e sotme janë angazhuar mbi 100 prokurorë të shtetit dhe zyrtarë të sistemit prokurorial, të cilët do të qëndrojnë kujdestarë në gjithë territorin e Kosovës deri në përfundimin e procesit zgjedhor.

Sipas njoftimit, angazhimi i tyre ka për qëllim trajtimin dhe procedimin e çdo parregullsie që mund të paraqitet gjatë zgjedhjeve.

 “Në këto zgjedhje janë angazhuar së bashku mbi 100 prokurorë të shtetit dhe zyrtarë të sistemit prokurorial, të cilët do të qëndrojnë kujdestarë në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, deri në përfundim të procesit zgjedhor, me qëllim të procedimit të çdo parregullsie që mund të ndodhë në këto zgjedhje. Prokurori i Shtetit i fton qytetarët e Republikës së Kosovës, të gjitha subjektet politike, institucionet apo organizatat e ndryshme, që të denoncojnë tek prokuroritë përkatëse, çdo rast, për të cilin kanë dyshime se po keqpërdoret ose manipulohet vota në çfarëdo mënyre dhe nga kushdo qoftë”./Klankosova.tv

lajme të ngjashme