Largimi i dy kamionëve barrikadues te Kërshi i Dudës i mori KFOR-it pesë orë (VIDEO) NULL NULL nga Qendresa Tershana 03.01.2023 20:18 nga Qendresa Tershana 03.01.2023 20:18 E paralajmëruan si punë minutash, por KFOR-it iu dashtë më shumë se 5 orë për të lëvizur nga vendi barrikadat e fundit të mbetura në pjesën veriore të Kosovës. Pas konsultave mes anëtarëve të misionit të NATO-s e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës që gjithashtu ishin këtu bashkë edhe me anëtarë të EULEX, rruga u lirua për qarkullim. Koha i erdhi kontrolleve të detajuara te vendi i ngjarjes, por fillimisht poshtë urës, ku ishte vendosur barrikada të vendi që njihet si Kërshi i Dudës. E pastaj bashkë edhe me qenin e trajnuar për gjetjen e mjeteve shpërthyese, pjesëtarët e KFOR nisen drejt kamionëve të djegur që ishin vendosur aty javën e kaluar. Vazhdimisht te vendi i barrikaduar po vinin edhe përforcimet e KFOR-it. Aty ishin edhe ekipet mjekësore për çdo rast. Për mjek nuk pati nevojë kush, por këtu u desh me patjetër edhe një ekskavator për largimin e ngarkesave në kamion. Kur kamioni i parë u largua, atë e nisën në drejtim të Mitrovicës së Jugut. Ura u zhbllokua, e sipas KFOR-it synimi për lëvizje të lirë në përputhje me mandatin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, qe arsyeja e këtij aksioni. Kujtojmë që serbët veriorë nga data 10 dhjetor kishin vendosur pengesa në disa rrugë të komunave veriore, çka kishte shtyrë edhe mbylljen e dy pikave kufitare Jarinjë dhe Bërnjak.