Lajçaku thotë se Asociacionin do ta formojë Kosova, prandaj s’duhet të kihet frikë nga Republika Serbe (VIDEO) NULL NULL 25.01.2023 20:49 25.01.2023 20:49 22:16 – Lajçaku thotë se Asociacionin do ta formojë Kosova, prandaj s’duhet të kihet frikë se do të bëhet Republikë Serbe “Nëse kemi një person që thotë, nga i cili mund të presim të thotë se Republika Serbe është e mirë, është Milorad Dodiku, apo jo? Nuk mund të befasohemi nga kjo. Befasohem që njerëzit frikësohen nga diçka që, nën një nuk ekziston, dhe e dyta që ju vetë do ta formësoni, nuk do të imponohet”. Kështu u shpreh Miroslav Lajçak, në një intervistë ekskluzive në Rubikon të Klan Kosovës. Ai tha se Kosova ka rolin e barabartë në dialog si Serbia, dhe se janë partnerë të barabartë, “që i bie ajo çfarë do të jetë do të hartohet nga ju dhe dakordohet nga ju”. “Nuk do të shkruani diçka me të cilën nuk do të pajtoheni. Pika e dytë është se ka modele ekzistuese modele evropiane funksionale. Unë kam 15 analiza të mbrojtjes së pakicave në tryezën time në Bruksel. Disa prej këtyre modeleve ndoshta s’keni dëgjuar për to. Asnjë nga to nuk ka shkaktuar jofunksionalitet ku zbatohet ky model. Kosova e ka dërguar aplikacionin për KiE. KiE ka një kornizë të shkëlqyer ligjore për ta adresua këtë çështje. Mos u frikësoni nga diçka që ju do ta hartoni, kjo është çfarë dua të them. Po humbim shumë kohë, duke biseduar për diçka që nuk ekziston dhe për diçka që ju do të jeni bashkëautor. Sigurohuni se ka për sjellë transparencë, sundim të ligjit dhe qartësi”, deklaroi ai. “Filozofia ime është që kam qenë gjithmonë kundër krijimit të diçkaje që asnjëherë nuk është provuar diku tjetër më parë. Mendoj që bashkësia ndërkombëtare ka bërë këto gabime në të kaluarën në Ballkan, me daljen e sugjerimeve që nuk ishin testuar në vende tjera. Jo të gjitha kanë funksionuar mirë në Ballkan. Filozofia ime është ta afrojmë rajonin më shumë me BE-në. Të sigurohemi që çdo gjë që propozojmë bazohet në modelet ekzistuese dhe që funksionojnë mirë. Nuk është që marrim mekanikisht një model dhe e sjellim këtu. Shohim çfarë funksionon, eja të krijojmë një model që i përgjigjet më së miri kushteve të Kosovës, por duke u siguruar që funksionon në vendet tjera të BE-së dhe të mos frikësohemi nga diçka që funksionon në vendet tjera evropiane. Nuk do të flasë për modele, sepse menjëherë do të nxisë spekulime, por do të flas për filozofinë, dhe filozofia nënkupton modelet evropiane”, potencoi Miroslav Lajçaku në Rubikon me Adriatik Kelmendin. /Klankosova.tv 22:07 – Edhe targat do të adresohen në propozimin evropian, thotë Emisari i BE-së Shpresoj që serbët të kthehen në institucione. Kështu u shpreh Miroslav Lajçak, në një intervistë ekskluzive në Rubikon të Klan Kosovës, ku foli gjerësisht për propozimin evropian. Ai tha se janë duke e diskutuar çështjen e kthimit të serbëve të Kosovës në institucione, të cilët u larguan në muajin nëntor të vitit të kaluar. “Shpresoj që serbët të kthehen në institucione. Jemi duke i diskutuar këto çështje. Janë të rëndësishme sepse vakumi nuk është i mirë, as për funksionimin e sistemit, prandaj pres që qeveria e Kosovës të krijojë kushtet për kthimin e serbëve të Kosovës në institucione, dhe pres nga Beogradi të inkurajojë kthimin, sepse kjo nuk është situatë normale”, deklaroi Lajçaku. Ai u shpreh se është shpenzuar shumë kohë me targat, në vend që koha të shpenzohej për çështje më të rëndësishme. “Mendoj që kemi harxhuar shumë kohë në 6 muajt e fundit në çështjen e targave, kishte shumë tensione, ankth dhe probleme. Me siguri shumë më shumë se ç’meriton kjo çështje, na ka marrë shumë kohë dhe energji, të cilën mund ta kishim shpenzuar në energji, për shembull. Prapë, kur flasim për targa, ky propozim është përgjigja sepse targat adresohen me këtë propozim”, tha ndër të tjera ai. /Klankosova.tv 21:53 – Lajçak: BE-në shiheni si partner e si mik, prandaj e kemi prezantuar propozimin Emisari i BE-së për Ballkanin Perëndimor, Miroslav Lajçak, në një intervistë ekskluzive në Rubikon të Klan Kosovës, ka folur gjerë e gjatë për propozimin evropian, atë që më parë njihej si propozim franko-gjerman, i cili tanimë ka nisur të quhet edhe propozim amerikano-evropian. Duke u ndaluar te premtimet e BE-së dhe mosrealizimi i tyre, si në rastin e Maqedonisë së Veriut, Lajçaku tha se rasti i Maqedonisë dhe i Greqisë është ndryshme me rastin e Kosovës dhe të Serbisë. Sipas tij, në rastin e parë, njëri vend ka qenë në BE dhe tjetri jo, kurse në rastin e dytë, asnjëri vend nuk është në BE. “Nuk mund të pajtohem kur thoni se BE-ja s’ka bërë mjaft. Askush s’ka bërë aq sa ka bërë BE-ja. Nganjëherë kjo mbështetje dhe asistencë merret si e mirëqenë, nuk po flas për Kosovën po për rajonin në përgjithësi. BE-ja ka për t’u siguruar që ajo që është dakorduar ka për t’u zbatuar, të dy palët, Kosova dhe Serbia nuk janë anëtarë të BE-së, por aspirojnë të bëhen. Pra është situatë më ndryshe me situatën e Maqedonisë. Atje njëra palë ka qenë anëtare e BE-së, e tjetra jo. Nuk ka paralele” mes dy rasteve, tha Lajçaku në këtë intervistë, raporton Klankosova.tv. Sipas tij, Kosova nuk duhet të ketë frikë se dikush nga 27 vendet anëtare të BE-së do ta bllokojë Kosovën, duke thënë se vendi tashmë ka nënshkruar MSA-në me BE-në, që është marrëveshja e parë formale kontraktuale drejt anëtarësimit dhe është mbështetur në atë kohë nga të 28 vendet, kurse tani tha se e mbështesin 27 vende, pas largimit të Britanisë. “Askush nuk e vë në pikëpyetje të ardhmen e Kosovës në Evropë. Është e rëndësishme të dihet kjo”. “E kuptoj frikën, por duhet ta shikoni BE-në si partner, si mik. BE-ja e sheh BP-së në Evropë. Kosova merr pjesë në të gjitha diskutimet ndërmjet BP-së dhe BE-së. Kosova është aty dhe nuk është e përjashtuar nga kjo. BE-ja dëshiron paqen, stabilitetin, progresin dhe prosperitetin dhe të ardhmen evropiane. Kjo është arsyeja pse jemi këtu dhe pse e kemi prezantuar këtë propozim”, theksoi shefi i Dialogut Kosovë-Serbi. Ai thotë se nënshkrimi i marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë, fillimisht ka për të dhënë një shtytje të madhe për aspiratat evropiane të dy vendeve. “Të dyja janë në shkallë të ndryshme, Kosova po e zbaton MSA-në e Serbia po i negocion disa kapituj. Është procesi i njëjtë, por Serbia dhe Mali i Zi janë më të avancuarit nga rajoni. Askush në BE nuk vë pikëpyetje të ardhmen evropiane për 6 shtetet e BP-së, përfshirë edhe Kosovën”, shtoi emisari i BE-së, Miroslav Lajçak. /Klankosova.tv 21:53 Lajçak: BE-ja do të ketë një komitet të veçantë për të kontrolluar propozimin evropian Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, ka treguar se si do të funksionojë propozimi evropian për këtë proces. Në Rubikon të Klan Kosovës, ai ka treguar se BE-ja do të ketë një komitet të veçantë për monitorimin e propozimit pas nënshkrimit të marrëveshjes për të nga Kosova dhe Serbia. “Teknikisht, do të kemi një trup të veçantë kemi një mekanizëm ku do të sigurohet që të mos të ndodh që njëra palë të bëjë detyrën, ndërsa tjetra jo”. “Çdo gjë do të mbikëqyret nga Bashkimi Evropian. Do të kemi një komitet të veçantë, pastaj BE-ja do të informohet rregullisht dhe të marrë vendimet në bazë të këtyre raportimeve të rregullta”, ka thënë Lajçak. /Klankosova.tv 21.48| Lajçak thotë se nuk kanë prekur në planin e Ahtisaarit Emisari special për dialogun, Miroslav Lajçak, është shprehur se nuk kanë prekur në Planin e Ahtisarit, por po adresojnë disa probleme për të cilat ndërhyrja qe e nevojshme. ”Nuk e kemi prekur Ahtisarin dhe jemi duke adresuar problemet që janë këtu dhe tani dhe po të mos kishte nevojë për të bërë këtë unë nuk do të isha këtu dhe nuk do të ekzistonte ky dokument, por fakti që SHBA-të dhe pastaj Gjermania, Italia dhe Franca në kapacitetin e tyre ndërkombëtar kanë bërë këtë vizitë dhe kanë shprehur mbështetje të fuqishme për këtë dokument do të thotë që jemi të zotuar dhe besojmë që ka nevojë për këtë dokument”. Për këtë plan të ri, sllovaku, u shpreh se ka nisur një mision takimesh, me vendet mosnjohëse të shtetit të Kosovës, për të diskutuar mbi mundësitë e aprovimit të këtij propozimi. Dhe siç tha ai në Rubikon me Adriatik Kelmendin, ka mesazhe pozitive, se me katër nga pesë prej këtyre vendeve, e shohin të rëndësishme që procesi të sjell rezultat. ”Jam takuar me katër nga pesë në dy ditët e fundit për të diskutuar për këtë propozim, jam takuar me ministrin e Jashtëm të Spanjës, Sllovakisë dhe Qipros, me të dërguarin e posaçëm të Greqisë dhe do të takohem me ministrin e Jashtëm të Rumanisë, sepse ishte e pamundur të bëhej brenda dy ditëve dhe këto vende janë duke e përcjellur procesin shumë afër, sepse për të tjerët e çështje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është çështje rajonale, ndërsa për këto dy vende është edhe çështje se çfarë nënkupton për pozitën e vendit të tyre prandaj është shumë e rëndësishme dhe ato dëshirojnë që ky proces të jetë i suksesshëm dhe do të reflektojnë mbi rezultatet e procesit”. 21:38 Lajçak: Vitin e ardhshëm dialogu Kosovë-Serbi nuk do ta ketë nivelin e njëjtë të vëmendjes (VIDEO) Emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, ka folur rreth çështjes se kur do të nënshkruhet propozimi evropian për Kosovën dhe Serbinë, në kuadër të procesit 12-vjeçar të bisedimeve. Në Rubikon të Klan Kosovës, ai ka theksuar se vëmendja në dialog nuk do të jetë e përqendruar si këtë vit edhe vitin tjetër nga ShBA-ja dhe BE-ja. “Do të doja që kjo të bëhet sa me shpejtë që të jetë e mundur, prapë kam mësuar disa gjëra në politikë, vëmendja politike asnjëherë nuk përqendrohet tepër në një çështje në një rajon”. “Pra, siç e thash për momentin kemi atë rregullin që na duhet, kemi bashkëpunimin më të mirë, vitin e ardhshëm BE-ja do të jetë e zënë me zgjedhjet evropiane, ShBA-ja me zgjedhjet presidenciale, dhe nuk do të kemi nivelin e njëjtë të vëmendjes. Jemi në fillim të këtij viti dhe të sigurohemi se kur të takohemi në fund të vitit mund të themi që puna është bërë mirë”, ka thënë Lajçak. /Klankosova.tv 21:24 Lajçak: Me propozimin evropian Kosova fiton shumë dhe nuk humbë asgjë Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se Prishtina vetëm do të fitojë nga propozimi evropian. Në Rubikon të Klan Kosovës, ai ka deklaruar se në këtë marrëveshje do të punojnë me hapa, duke filluar nga i pari e për të kaluar tek të tjerët. “Me këtë propozim Kosova nuk humb asgjë dhe fiton shumë. Hapi një për mua është që të përqendrohemi në hapin e parë të marrëveshjes, nuk mund të kërkoni garancione për hapin pesë, pa e bërë hapin një”,ka thënë Lajçak. Ai ka thënë se njëri prej hapave të parë do të jetë normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi. “Hapi i parë është normalizimi i marrëdhënieve, sinjali pozitiv nga këtu e rajoni. E pastaj, hapat vijues do të jenë në anën e bashkësisë ndërkombëtare”, ka thënë Lajçak. /Klankosova.tv 21.22| Lajçak: Do ngelen disa çështje, por nuk është fundi i tregimit – ne do vazhdojmë Emisari special i Bashkimit Europian, Miroslav Lajçak, po thotë se me propozimin evropian, nuk mbetet fundi i tregimit, meqë vazhdon deri në atë për marrëveshjen ligjërisht e obligueshme. Ai specifikon në Rubikon me Adriatik Kelmendin, se propozimi lë disa çështje pa adresuar, megjithatë, përmban zgjidhjen e shumë problemeve, përcjell klankosova.tv. ”Propozimi është shumë i mirë që i jep shumë Kosovës, statusit të Kosovës dhe marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, qëndrimit ndërkombëtar të Kosovës, do të kisha thënë maksimumi i arritshëm në këtë moment”. ”Ky nuk është fundi i tregimit, kjo nuk është shumë e rëndësishme, tregimi vazhdon me atë që është shkruar në mandatin tim >>Marrëveshje ligjërisht e detyrueshme për normalizim të marrëdhënieve për të gjitha çështjet e hapura<< dhe kisha thënë që ky propozim adreson shumicën, do të ngelen edhe disa, dhe ajo do të ishte fundi i tregimit dhe ne nuk do të përfundojmë me këtë por do të vazhdojmë deri në fund”. Ai renditi mes tjerash edhe disa nga përfitimet që do ketë Kosova nga kjo marrëveshje. ”Kosova ka për të përfituar shumë sa i përket statusit të vetë, cilësisë së marrëdhënieve me Serbinë, do të zhbllokohet bashkëpunimi rajon”. ”Do të sillen katër liritë për bashkëpunimin ndërmjet vendeve të rajonit, në masë të madhe ka për ta përmirësuar qëndrimin e Kosovës krahas BE-së dhe bashkësisë ndërkombëtare, ka për të përmirësuar shumë elemente konkrete”. 21.14| Lajçak flet për qëndrimin e Vuçiqit mbi propozimin: Ka dhënë dy deklarata, e bëri të qartë pozitën e tij Emisari special i BE-së, për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, nuk ka komentuar qëndrimin e presidentit serb Aleksandër Vuçiq, për çështjen e propozimit evropian. Megjithatë në Rubikon me Adriatik Kelmendin, ka thënë se Aleksandar Vuçiq ka dhënë dy deklarata nga takimi i tyre që kishin, dhe sipas tij kjo e qartëson qëndrimin e tij në këtë çështje. ”Ai i ka dhënë dy deklarata që nga takimi ynë dhe mendoj se e ka bërë shumë të qartë pozitën e tij. Do të kisha pasur dëshirë që të jetë e lehtë, vërtetë është e rëndësishme që jemi në rrugën e duhur edhe me Qeverinë e Kosovës edhe me Qeverinë e Serbisë, kjo është shumë e rëndësishme”. Teksa ngjashëm pa ndonjë koment ka reaguar edhe ndaj deklaratave të kryeministrit, Albin Kurti, duke u arsyetuar se procesi është në zhvillim e sipër, transmeton klankosova.tv. ”Nuk mund të prisni të përgjigjem në këtë pyetje, sepse procesi është në zhvillim, kam thënë atë që kam thënë në emër të grupit dhe donim të dërgonim disa sinjale dhe jam këtu për të vazhduar orvatjet tona sepse me të vërtetë jam këtu për të vazhduar me nënshkrimin e kësaj marrëveshje dhe me zbatimin e saj”. 21.03| Lajçak: Jemi partnerë – nuk vijmë me kërcënime apo ultimatume, por propozimi është më i miri Emisari special i Bashkimit Europian, Miroslav Lajçak, ka thënë në Rubikon me Adriatik Kelmendin, se pret nga Kosova dhe Serbia, që ta pranojnë planin dhe ta nënshkruajnë atë. Ai mes tjerash u shpreh se nuk vijnë me kërcënime apo ultimatume, rreth kësaj çështjeje, për shkak se qëllimin e kemi drejt normalizimit të marrëdhënieve Prishtinë-Beograd, transmeton klankosova.tv. ”Jemi duke zhvilluar diskutime ndaras me palët dhe kur t’i bashkojmë do të presim që planin ta pranojnë, ta nënshkruajnë dhe ta zbatojnë natyrisht, pra të sigurohemi që ajo që do të nënshkruhet edhe të zbatohet”. ”Ne jemi partnerë, nuk vijmë me kërcënime ose ultimatume, besoj se është një grup vërtetë serioze dhe kemi qëllimin më të mirë që me të vërtetë të zhvendosim cilësinë e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në nivel më të lartë”. Teksa ai ka komentuar edhe raportimet e mediumut serb, Danas, i cili publikoi ditë më parë një verzion të planit të propozuar për të dyja palët. ”Është i afërt por nuk është i njëjti, mos të luajmë me këtë, kjo është filozofia”. Megjithatë Lajçak nuk ndërron qëndrim, teksa thotë se propozimi është më i miri i mundshëm. ”Nuk do të komentoja të njerëzit tjerë, por kemi pasur një diskutim shumë serioz se përse ky propozim është i mirë, vërtetë besojmë se është propozimi më i mirë i mundshëm dhe çfarë do të sjellë? cilat do të jenë pasojat e arritjes së marrëveshjes dhe çfarë mund të presim nëse nuk arrihet marrëveshje”. ”Jam kthyer për të vazhduar diskutimet”. 20.57| Lajçak: Plani përmban 11 pika, filozofia e propozimit nuk ka për të ndryshuar Emisari special i Bashkimit Europian, Miroslav Lajçak, ka folur ekskluzivisht në Rubikon me Adriatik Kelmendin, rreth planit evropian, të propozuar për marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë. Ai ka thënë se propozimi përmban 11 pika, teksa kanë prezantuar verzionin e parë duke iu kërkuar të dyja palëve ta japin komentin e tyre, përcjell klankosova.tv. ”Mënyra më e mirë për ta quajtur është propozimi për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, unë e kam prezantuar planin në shtator dhe pastaj kishim diskutime me kryeministrin Kurti fillimisht dhe pastaj në dhjetor ia kam prezantuar një plan të azhurnuar me disa komente që i kemi pranuar nga Qeveria e Kosovës dhe gjatë javës së kaluar kishim diskutimin e parë substancial lidhur me planin, siç e dini takimi zgjati dy orë e gjysmë dhe ishte një diskutim i gjerë dhe i gjatë dhe ambiciet janë që të ndalet cikli i krizave që të përqendrohemi në normalizim”. ”Janë 11 pika”. Sa ka ndryshuar ky draft nga drafti i parë i planit? ”Kam parë disa tekste të prezantuara në media, që nuk ishin të sakta, të trilluara nga njerëz të caktuar, kishte ndryshime, sepse pas prezantimit të parë jam kthyer në Prishtinë dhe në Beograd kemi diskutuar dhe kemi kërkuar komentet, pastaj jemi munduar t’i inkorporojmë komentet, e kemi thënë shumë qartë që filozofia e propozimit nuk ka për të ndryshuar, sepse filozofia është hartuar me mirëkuptimin më të mirë se si të arrijmë te normalizimi, pra kjo është filozofia”. ”Ne e kemi prezantuar versionin e parë dhe kemi kërkuar të dy palët që të ofrojnë komentet e tyre dhe pastaj kemi akomoduar disa prej tyre, ato që nuk e ndryshojnë filozofinë e tekstit dhe kjo është shumë e rëndësishme është një diskutim natyrisht, ka qenë diskutim i joni i ndarë me Qeverinë e Kosovës dhe presidentin e Serbisë dhe qëllimi ynë është t’i sjellim të dytë në të njëjtën dhomë dhe të dakordohen për planin, prandaj e premtja e kaluar ishte e rëndësishme sepse kishim diskutime substanciale me kryeministrin Kurti dhe pastaj me presidentin Vuçiq”. Lajçak ekskluzivisht në Rubikon: Më pak mbështetje për palën që refuzon propozimin evropian 20.45| Ekskluzive në Rubikon: Miroslav Lajçak Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, është i ftuar në emisionin Rubikon me Adriatik Kelmendin. Sonte, ai ekskluzivisht do ta shpalosë marrëveshjen që po i ofrohet Kosovës dhe Serbisë për normalizim marrëdhëniesh. Për të mësuar detaje rreth propozimit të BE-së dhe për gjëra të tjera që e preokupojnë opinionin publik, ndiqeni intervistën e tij sonte në Klan Kosova duke filluar në orën 20:45.
Kosova Haradinaj reagon pas sulmit ndaj Valon Sylës: Fjala e lirë është garancë e demokracisë 2 months