Kurti insiston në Procesin e Berlinit (VIDEO) NULL NULL nga Besnik Tahiri 05.07.2022 19:19 nga Besnik Tahiri 05.07.2022 19:19 Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, të martën, ishte njëri nga folësit në panelin diskutues “Evropa juglindore: A mund të ketë stabilitet dhe prosperitet në rajon?” të mbajtur në Athinë të Greqisë. Në aspektin ekonomik, Kurti thotë që Kosova po përjeton rritjen më të madhe në historinë moderne. “Ne kemi 10.53% rritje të GDP-ës që është rritja më e madhe që nga përfundimi i luftës. Po ashtu ne kemi rritur investimet e huaja direkte me 22%, eksportet me 83 %, investimet kapitale me 10% dhe në krahasim me dy vjet më parë buxheti vjetor i shtetit tonë është 26% më i lartë”. Ai ka theksuar se republika kosovare është “shembull i madh sesi demokracia dhe ekonomia shkojnë së bashku”. Duke folur për luftën në Ukrainë, që e nisi Rusia më 24 shkurt, Kurti akuzoi Moskën për fashizëm rus, kurse akuzoi Serbinë për mosvendosjen e sanksioneve ndaj Federatës Ruse. “Fqinji jonë verior Serbia, përkundër të tjerëve, ka lidhje shumë të ngushta me Rusinë në ekonomi, ushtri, kulturë e kështu me radhë. Zgjidhja për Ballkanin Perëndimor natyrisht është Bashkimi Evropian dhe drejt kësaj neve na duhet “Procesi i Berlinit 2.0”, një fillim i freskët nga kancelari Olaf Scholz. Unë kam shpresa të mëdha në lidershipin e tij”. Kryeministri kosovar foli edhe për rëndësinë që e kanë Shtetet e Bashkuara të Amerikës për Kosovën. “Me presidentin Biden në Shtëpinë e Bardhë dhe me kancelarin Scholz në Berlin ne mund ta rigjallërojmë urën trans-atlantike e cila në shekullin 21 është edhe më e rëndësishme sesa në shekullin e 20-të”. Në panel krahas Kurtit, mes tjerësh, ishin edhe kryeministri i Malit të Zi Dritan Abazoviq, i dërguari i Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor Stuart Peach dhe ish-kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev. Ngjarja në Athinë tradicionalisht organizohet nga prestigjiozja britanike “The Economist”.