Rasti i madh i Isa Mustafës 123 string(15) "Blerim Xhemajli" NULL nga Blerim Xhemajli 01.09.2015 17:24 01.09.2015 17:24 Katër marrëveshjet e fundit të arritura në Bruksel, ashtu si ajo themelorja e dy viteve më parë, janë zgjidhjet më të mira që ka mundur t’i nxjerrë Qeveria e Kosovës nga dialogu me Serbinë, me ndërmjetësimin europian. Këtu nuk po i referohem vlerësimit tim personal. Por, vetëm po i sjell deklaratat e kryeministrave Hashim Thaçi dhe Isa Mustafa që në mandate të ndryshme i vunë firmat e tyre në këto ujdi. E tash, pa iu vënë asnjë pikë dyshimi vendimeve që këtu na u interpretuam si triumfaliste, mendoj se nga tani e tutje është momenti kur ky triumf mund të dëshmohet edhe në vepër. Ky rast është në duar të vetë Isa Mustafës, kryeministrit aktual. Shefi i Qeverisë tani e ka shansin ta dëshmojë zotshtëpillëkun e tij në Kosovë, kur homologu i tij serb, Aleksandar Vuçiq e ka paralajmëruar një vizitë këtu, në javët në vijim. Si nënshkrues i aktit, që nga ndërmjetësuesja Federika Mogerini dhe kancelarja Angela Merkel u cilësua si trimëri e dy kryeministrave, Mustafa ka obligim që për të mirat e këtyre marrëveshjeve t’u japë sqarime qytetarëve, sidomos pjesëtarëve të pakicës serbe, që janë përfituesit më të mëdhenj nga ujditë. E derisa Vuçiq e ka paralajmëruar vizitën si mision bashkëbisedimi me serbët e këtushëm, nuk i takon askujt më shumë se Mustafës që ta shoqërojë në këto takime. Për më tepër, kryeministri kosovar duhet t’i paraprijë me ftesë zyrtare homologut të tij, me të cilin përveç në Bruksel, po takohet edhe nëpër kryeqytete të tjera të Europës. Kështu si nikoqir, me kompetencën që nuk mund t’ia kontestojë askush, e që Brukseli dhe Uashingtoni si mbështetës të dialogut do të duhej edhe ta mbështesnin, Mustafa e ka rastin që edhe Vuçiqit, edhe serbëve të Kosovës, por edhe opozitës që po e kritikon, t’ua tregojë zbatimin në vepër të marrëveshjeve, që sipas tij, nuk janë të dëmshme. Nëse Mustafa e bën këtë hap, duke u mbështetur tamam në Kushtetutën, ligjet dhe protokollin e shtetit, atëherë i mbetet kryeqeveritarit serb ta pranojë ose jo pritjen që i përgatitet këtu. Në këtë moment kur po e kërkon pajtimin e bashkëkombësve të tij me shqiptarët, Vuçiq nuk do ta ketë të lehtë ta refuzojë. Aq më pak kur po ankohet se fqinjët janë duke ia refuzuar dorën e shtrirë. Por, mbi gjithë këto qëndrime të tij që shumëkush i ka parë vetëm si demagogji, Vuçiq dhe Serbia gjenden në një moment delikat në rrugën e integrimeve europiane, e që është fillimi i negociatave për anëtarësim në BE. Në këto negociata është një kapitull që kërkon qartësimin e raportit të Serbisë me Kosovën, e reagimi me kohë i Mustafës do t’i bënte gjërat më lehtë të shpjegueshme për Brukselin. Ky është momenti kur edhe miqtë që vazhdimisht na kanë bindur në kompromise për të mirën e vendit, do të përballen me një qëndrim të zotit të shtëpisë. Mustafa nuk duhet të ketë frikë nga pasojat – ato mund t’i ketë vetëm ai që e refuzon mikpritjen. Duke e kushtëzuar Vuçiqin në vizitë ndërshtetërore, ai mund të dëshmojë se është vërtet kryeministër, dhe se Kosova është vërtet shtet, ashtu siç u prezantua hiq më larg se javën e kaluar në Samitin e Vjenës, karshi vendeve tjera të Ballkanit Perëndimor. (Autori është kryeredaktor i lajmeve në Klan Kosova) *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.