Pse po e blen Elon Musku Twitterin? - Klan Kosova

Pse po e blen Elon Musku Twitterin?

123
string(16) "Andrew Mitrovica" string(61) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2022/05/Andrewww.png"
2 weeks më parë

Ky është një shkrim i publikuar nga gazetari Andrew Mitrovica në sajtin e mediumit Al Jazeera.

Klan Kosova e ka kontaktuar Mitrovicën, i cili ka treguar që ka prejardhje shqiptare.

Ai madje ka thënë që babai i tij është Xhelal Dervish Mitrovica (1916-1974), ish-drejtor i Radio Prishtinës.

Mitrovica është njëherësh nip i Dervish Mitrovicës, njërit prej nënshkruesve të pavarësisë së Shqipërisë më 1912.

 


 

Një rrëfim: E kam përdorur Twitterin, por s’e përdor më.

Nuk doja ta përdorja Twitterin. Kurrë.

E kam jetuar një jetë të plotë dhe për pjesën më të madhe të saj edhe të mirë, pa e ndarë një moment të asaj jete të plotë dhe për një pjesë të madhe të mirë, në Twitter apo në ndonjë platformë tjetër të medieve sociale.

Prapë, rreth nëntë vjet më parë, një redaktor në Otava, për të cilin shkruaja, më inkurajoi që t’i bashkohem Twitterit sepse ca gazetarë – miq të tij – kishin pyetur në Twitter se pse nuk ndodhesha unë aty.

Ai ishte i etur që ta “shtyja” prodhimin tim në Twitter, në mënyrë që të gjeneroja “më shumë trafik” dhe më shumë “hite” për atëbotë kolumnenë time javore.

Më shumë “hite” nënkuptonte “më shumë trafik”. “Më shumë trafik” zakonisht përkthehej në më shumë “ndjekës” në Twitter. Të tërheqësh më shumë ndjekës do ta bënte atë dhe “ndjekësit” e mi të lumtur që isha në Twitter.

Nuk doja as nuk kisha nevojë që të gjeja lumturi në Twitter. Perspektiva e të pasurit “ndjekës” ishte e çuditshme dhe e pakëndshme. Nuk doja as nuk kisha nevojë që dikush të më “ndiqte” online. Më lexoni: po, ju lutem. Të më ndiqni: Jo, ju lutem.

Sidoqoftë, me ngurrim, pranova që të ma krijonin një llogari dhe t’i “shtyja” letrat e mia zyrtare në Twitter.

Hej, mund të isha shpërblyer me një shenjë të kaltër verifikuese të profilit. Valid. Status. Ndikim. Twitteri mund të ju transformojë nga askush në dikush – menjëherë.

Twitteri po ashtu mund t’ju ndihmojë që ta ndërtoni “brendin” tuaj. Ndoshta, një ditë ju mund të shfrytëzoni “brendin” tuaj për para. Shumë emra të mëdhenj gazetareskë e bëjnë këtë. Shumë mirë për ta, supozoj. Një Zot e di, me kaq shumë punë që po zhduken, gazetarët kanë nevojë për mënyra të tjera që ta sigurojnë jetesën. Unë nuk isha i interesuar që ta shndërroja veten në një brend.

Në fillim, Twitterin e mendoja si të parrezikshëm. Shkrova një kolumne. E “shtyva” në Twitter. Shpejt, njerëzit filluan të më “ndjekin”. Me kalimin e kohës, mblodha më shumë “ndjekës” – disa prej tyre të cilët shkruanin fjalë të mira dhe me konsideratë për postimet e mia dhe për kolumnenë time. Të tjerat jo.

Dalëngadalë, fillova të tretem në vorbullën shpërfytyruese të Twitterit. Nëse jeni në Twitter, me shumë gjasë e dini se për çfarë e kam fjalën. Është ai vend dhe ajo gjendje mendore, në të cilën mund të biesh në Twitter – me apo pa nënvetëdije.

Aty përfundova.

Nuk është vend i lumtur fare. Është i zjarrtë , i lig, shpesh vend i shëmtuar dhe hapësirë ku ju shkruani dhe bëni gjëra, për të cilat mund t’i bini apo të mos i bini pishman që i keni shkruar apo bërë. Ndoshta, jo në atë moment, por më vonë, nëse jeni me fat, e merrni kohën e duhur për të menduar dhe reflektuar mbi atë se çfarë keni shkruar apo në atë në të cilin jeni shndërruar në Twitter.

Si shumë të tjerë në Twitter, ju i gjuheni dikujt, e ktheni goditjen, bëheni i keq dhe synoni t’i shponi njerëzit thellësisht.

Ata përgjigjen në masë dëshpërimisht të njëjtë. Disa i përdorin emrat e tyre të vërtetë, disa fshihen pas “emrave të tyre të luftës”.

Ju filloni të tërhiqni më shumë “ndjekës”, të cilët e shijojnë kur ju i gjuheni dikujt, ia ktheni goditjen, jeni të ndyrë apo synoni ta shponi dikë.

Ata duartrokasin dhe ju nxisin. Ata i “pëlqejnë” dhe i “ripostojnë” postimet tuaja. Është karburant. Andaj, ju postoni dhe postoni derisa një ditë, shikoni lart dhe e kuptoni që i keni kaluar orë të tëra brenda vorbullës. Aq shumë kohë e shkuar poshtë. Mund t’i kishit shpenzuar ato momente duke bërë diçka më të vlefshme dhe shpërblyese sikur leximi i një libri apo shijimi i një momenti palëvizshmërie.

Pastaj, ju e kuptoni që, në një mënyrë, jeni bërë të varur nga kjo gjë e përkohshme e quajtur Twitter. Është një varshmëri e pashëndetshme dhe shkatërrimtare. Ju nuk mund ta hiqni atë nga vetja. Pastaj ju hiqni dorë. E lini përnjëherë. E kryeni me Twitteirn. Postimet tuaja dhe “ndjekësit” zhduken në eter sikur një shkulm i pluhurosur ere.

Ju ndiheni të lirë.

Tashmë ju mund të hamendësoni se pse po e ndaj me juve këtë pjesë bajate të përvojës sime në Twitter.

Paj, siç e dini, Twitteri tashmë e ka një pronar të ri – Elon Muskun. Siç e dini, ai është njeriu më i pasur në Tokë. Musku thotë që e bleu Twitterin për ta mbrojtur demokracinë dhe lirinë e shprehjes. Ai do që, siç duket, ta “rregullojë” Twitterin.

Musku mund të jetë një “pramatar i mrekullueshëm dhe “vizionar”, por ai është një “rrenacak i keq”.

Nuk ka plutokratë dashamirës.

Musku po e blen Twitterin për 44 miliardë dollarë, jo vetëm pse ai është njëri nga pak burra të bardhë që mund të mbledhin një shumë marramendëse parash, por për ta ushqyer narcizmin e tij. Është linja e njëjtë korrozive e narcizmit që më bëri të qëndroj në Twitter për aq gjatë sa qëndrova deri kur e pata këtë epifani të vonuar.

Unë po ashtu mendoj që Musku po e blen Twtterin sepse dëshiron që të duhet nga njerëzit. The Beatles shkruanin që “paraja nuk mund të blejë dashurinë”. Mendoj që Musku e beson atë që përtej fuqisë, Twitteri mundet në fakt që t’ia blejë edhe atë.

Së voni, Musku po pranon shumë dashuri nga njerëzit që e përdorin Twitterin për t’i urryer njerëzit, idetë, faktet – “liberalët”, homoseksualët, minoritetet, shkencëtarët, doktorët, gazetarët dhe të gjitha llojet e njerëzve anonimë që e luftojnë padrejtësinë, pabarazinë dhe viruset vdekjeprurëse, e madje edhe fëmijët që e dinë se toka po digjet dhe duan që të ndërmarrin diçka.

Kjo është, me një referencë apologjetike për Led Zeppelinin, “një sasi shumë e madhe e dashurisë…së keqe”.

Është e vërtetë që shumë njerëz që e përdorin Twitterin duan të bëjnë mirë. Duket sikur Musku planifikon ta “rregullojë” Twitterin, duke i trimëruar urryesit që e përdorin Twitterin për të bërë dëm dhe krijuar rrezik në emër të “lirisë së shprehjes”.

Sigurisht, është “liri e shprehjes”, zotëri Musk. Por është shprehje e urrejtjes, po ashtu. Në secilin moment të secilës ditë. Ditë pas dite. Në Twitter. Urrejtje ndaj grave. Urrejtje ndaj imigrantëve. Urrejtje ndaj njerëzve me ngjyrë. Urrejtje e njerëzve që duan t’i duan dhe martojnë ata që duan t’i duan dhe martojnë. Urrejtje ndaj dashurisë, bamirësisë dhe dijes. Urrejtje ndaj përparimit. Urrejtje ndaj demokracisë. Urrejtje ndaj secilit që nuk mendon, vepron apo duket sikur ata.

Pranoje zotëri Musk, ju po e bleni Twitterin për ta mbrojtur shprehjen e urrejtjes. Apo? Mendoj që po, pasi çfarë do të ishte Twitteri pa gjirizin e urrejtjes që është një aspekt i pamohueshëm dhe përkufizues i sajtit tuaj të mikroblogimit, zotëri Musk?

Mos u ngutni, z. Musk. I pres përgjigjet tuaja, nëse ndieni detyrim t’i përgjigjeni një askushi pa shenjë të kaltër verifikuese të profilit që e braktisi Twitterin shumë kohë para se ju të vendosnit ta blinit atë.

Teksa po pres, mund t’jua kujtoj që të çmendurit e të djathtës ekstreme, të cilët kanë rënë çmendurisht në dashuri me juve në këta nëntë muajt e fundit, i kanë ndaluar mbi 1 mijë e 500 libra të distrikteve shkollore në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përfshirë edhe një roman grafik për Holokaustin.

Përgjigja juaj, me aq sa mund ta dalloj: Heshtja. Kjo paksa e çuditshme për shpëtimtarin mesianik dhe bajraktarin e “lirisë së shprehjes”. Më 4 korrik 2020, ju megjithatë postuat se ishte çmenduri për Amazonin që t’ua ndalonte një pamflet të hollë dhe të vetëpublikuar që akuzonte mediet e përgjithshme për “zmadhimin e kërcënimit” nga një virus që vrau gati një milion amerikanë.

Andaj jepini, z. Musk, pranojeni: si çdo plutokrat tjetër, ju keni nevojë ta blini një lodër të re kur ju ngacmon nevoja e parezistueshme. Lodra të vjetra – si veturat tuaja elektrike – e humbin shkëlqimin dhe pëlqimin e tyre. Madje edhe njeriu më i pasur në Tokë mërzitet. Andaj, vjen koha për një lodër të re për t’u ndier shpërthimi i gëzimit dhe i vëmendjes që i jep vlerë jetës – sikur manovrimi i një rakete vezulluese në hapësirë.

Më së shumti, mendoj që Musku po e blen Twitterin për të bërë më shumë para. “Ideologjia” që i udhëzon vendimet që i marrin plutokratët nuk është mbrojtja e demokracisë apo e lirisë së shprehjes. Oh, ju lutem! Është ndjekja e parasë dhe binjakut të saj, ndikimit – edhe nëse kjo nënkupton t’i inkurajoni dhe t’u ndihmoni demagogëve fashistë që të bëhen sërish presidentë.

Nëse besoni që kapitalistët laissez-faire si Musku janë altruistë, atëherë ju me shumë gjasë besoni, me dorë në zemër, që Amerika është një qytet i ndritshëm në kodër.

Musku duhet të nxjerrë fitim nga investimi i tij gjigant. Nëse nuk e bën, atëherë ai do të humbë para. Plutokratët nuk duan të humbin para.

Mënyra për të bërë më shumë para në Twitter është që të fusësh sa më shumë njerëz në vorbullën, në të cilën unë pata banuar njëherë. Më pas, duhet t’i mbani ata aty. Të varur. Kjo nënkupton që ta ushqeni atë bishë me më shumë urrejtje, zemërim dhe më shumë injorancë.

Thjesht pranojeni, z. Musk.

Mbrojtja juaj e marrë, sentimentale dhe dukshëm e kotë e lirisë dhe demokracisë është shumë e pahijshme.

©klankosova.tv