Pse do ta votoja Specialen? 123 string(15) "Blerim Xhemajli" NULL nga Blerim Xhemajli 26.06.2015 17:17 26.06.2015 17:17 Tracy Ann Jacobson do të duhej të ishte ulur në vendin e Isa Mustafës në Kuvendin e Kosovës, të premten. Përkrah amerikanes, në karriget ndara për anëtarët e qeverisë, do të duhej të zinin vend kolegët e saj diplomatë nga vendet që Kosova i quan mike. Tash dikush mund të reagojë dhe të thotë se një pamje e tillë në sallën e Kuvendit nuk është e lejuar me Kushtetutën e Kosovës, vendit që është i pavarur dhe sovran. E unë, me këtë ide, po e kontestoj argumentin e fundit. Kosova nuk është sovrane, në asgjë tjetër, përveç në keqpërdorimin e pasurisë nga udhëheqësit e saj. Nuk u dëshmua si sovrane as kur iu imponuan bisedimet me Serbinë, e cila ia mban të pushtuar një çerek të territorit. Nuk u dëshmua sovrane as kur pranoi që përskaj emrit t’i vendoset fusnota. E tillë s’po dëshmohet as kur po negocion për çështjet e brendshme, ani pse edhe sot shefi aktual i Qeverisë, por edhe paraardhësi i tij, mohojnë se po e bëjnë një gjë të tillë. E tash vjen momenti kur duhet themeluar edhe gjykata dedikuar krimeve eventuale të UÇK-së. Dhe në vend se të ishte punë e kryer në gjykatat lokale, tani u dorëzohet ndërkombëtarëve dhe atë jashtë Kosovës. Për të gjitha këto zhvillime, fillimisht ka pasur kundërshtim verbal nga drejtuesit e qeverisë. Bile, gjykatën speciale edhe sot e quajnë ofendim për Kosovën. Por, si arsyetim për pranimin e saj, dhe të gjitha këtyre vendimeve të imponuara e të përmendura më lartë, u dha fakti se janë sugjerime të vendeve mike, me Amerikën në krye. Unë me këtë shkrim, e pranoj, të frymëzuar nga debati kuvendar për Specialen, nuk dua dhe nuk mundem ta kontestoj faktin se është pikërisht Amerika ajo që na mundësoi ta kemi këtë liri që e kemi. Por, fatkeqësisht, më duhet t’i fajësoj krejt vendorët që e qeverisën Kosovën nga qershori i 1999-ës e deri më sot, se nuk i bënë detyrat e tyre si duhet, andaj u mbeti miqve të nxjerrin më të mirën nga ajo që mund të nxirrej nga Serbia këmbëngulëse, dhe Rusia e saj mbështetëse. Andaj, sot mendoj se të gjithë këta liderë duhet që t’i thonë këtij populli se dështuan. Dhe se për fajin e tyre edhe Kosova dështoi të bëhet shtet sovran, që vetë vendos për veten. Në rrethanat e krijuara në këto 16 vjet – kur edhe njohjet, edhe çdo e mirë që na vjen nga jashtë, janë vetëm meritë e këtyre miqve, e jo e liderëve kosovarë – nuk është aspak turp që sovraniteti t’i lihet në dorë Amerikës, po qe se ajo e pranon. Do të jem i pari që ta nënshkruaj një akt të tillë. Të paktën, do ta dimë nga fillimi se kush ka faj apo meritë për vendimet që merren për ne. Në debatin e së premtes në kuvend nuk është se e pata të qartë sa duhet. Autori është kryeredaktor i lajmeve në Klan Kosova. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.