GJND-ja pesë vjet pas 123 string(16) "Shkëlzen Maliqi" NULL nga Shkëlzen Maliqi 31.07.2015 14:12 31.07.2015 14:12 Në opinionin tonë nuk është shënuar pothuajse fare pesëvjetori i vendimit të GJND-së, i cili i rrëzoi pretendimet e Serbisë që shpallja e pavarësisë së Kosovës të vlerësohet si shkelje e së drejtës ndërkombëtare. Krijohet përshtypja sikur kjo datë kujtohet vetëm si një verdikt që është pritur të jetë historik, kurse ai doli zhgënjyes. Mbizotëron bindja e një lloj vendnumërimi, se asgjë pozitive nuk ka ndodhur në këto pesë vite. Këtij përfundimi zhgënjyes i mëshonte pa ndërprerje sidomos pjesa e opozitës në Kosovë, e artikuluar më ashpër tek Lëvizja Vetëvendosje, e cila që nga fillimi shfaqte dyshime mbi efektet e vërteta të verdiktit të GJND-së. Sidomos sulmohej rekomandimi i OKB-së (i përkrahur nga fuqitë perëndimore) se procesin duhet vazhduar me organizmin e dialogut Kosovë – Serbi, të ndërmjetësuar nga BE-ja. Madje, gjatë kohës, hapat në dukje të vegjël me të cilat përparonte dialogu i Brukselit, prezantoheshin sikur masa që zbehnin dhe demantonin GJND-në. Në këtë kontekst, as Marrëveshja e Brukselit e vitit 2013 nuk vlerësohej si instrument dhe argument që përfundimisht dhe pakthyeshëm çonte drejt vulosjes së sovranitetit të Kosovës, por që promovonte të kundërtën. Ky përfundim dilte i pashmangshëm përderisa dialogu vlerësohej si një proces që i siguronte koncesione të mëdha Serbisë. A qëndron çështja kështu? A kanë qenë pesë vitet e fundit vërtet – vite të zhgënjimit? Assesi. “Të zhgënjyer” mund të jenë vetëm ata që proceset historike i perceptojnë në mënyrë të thjeshtëzuar, pasi zakonisht ato i shikojnë dhe i vlerësojnë duke u nisur nga pikëvështrimet dhe qasjet lokale, që politikisht dhe strategjikisht janë miope. Për shembull, pjesa dërmuese e opinionit tonë kurrë nuk e ka kuptuar esencën e verdiktit të GJND-së. Ky verdikt ka qenë vërtet një gjykim juridik tejet i rëndësishëm, por jo edhe një vulë që me automatizëm ia ka siguruar Kosovës sovranitetin. Nuk bëhej fjalë për verdikt me karakter ekzekutiv, në kuptimin që e obligonte OKB-në ta njihte pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës. GJND-ja vetëm konstatoi se me shpalljen e pavarësisë nuk ishte shkelur e drejta ndërkombëtare. Pra, GJND-ja tha se shpallja ka qenë e ligjshme, por nuk ishte në kompetencat e saja që të njihte pavarësinë e Kosovës. Në rendin aktual ndërkombëtar njohja është një proces i ndarë, për të cilin vendos OKB-ja, sidomos Këshilli i Sigurimit, ku fjalën kryesore e kanë pesë fuqitë e mëdha me të drejtën e vetos. Vendimi i GJND-së ka qenë me rëndësi jetike, sepse pamundësoi bllokimin e pavarësisë. Kjo pasojë do të ishte pothuajse e pashmangshme nëse GJND-ja do ta merrte vendimin se shpallja e pavarësisë ka qenë cenim i së drejtës ndërkombëtare. Me këtë do të fuqizohej qëndrimi i Rusisë kundër pavarësisë së Kosovës. Ndërkaq, verdikti afirmativ i GJND-së hapi rrugën të procedohet tutje me njohjen universale të pavarësisë së Kosovës, përkundër bllokadës së Rusisë. Duhet rikujtuar se rendi aktual botëror i jep Rusisë fuqinë e vetos në Këshillin e Sigurimit dhe kjo ishte arsyeja pse u pat bllokuar aprovimi i Planit të Ahtisaarit në këtë instancë, gjë që do ta mundësonte sovranizimin imediat të Kosovës. Në situatën e bllokadës, tri anëtaret tjera të Këshillit të Sigurimit me të drejtën e vetos – SHBA-ja, Britania e Madhe dhe Franca (anëtarja e pestë, Kina, u deklarua neutrale), shfrytëzuan moskontestimin e pavarësisë së Kosovës nga ana e GJND-së për ta përdorur një model alternativ të afirmimit të pavarësisë së Kosovës. Ato menduan se çështja e Kosovës nuk duhet të mbetet si një plagë e hapur dhe në mëshirën e Rusisë, gjë që në aspektin afatgjatë do ta rrezikonte stabilitetin dhe sigurinë e Ballkanit. Duke e trajtuar Kosovën si një çështje të sigurisë dhe stabilitetit të Evropës – para së gjithash të BE-së, Britania, Franca dhe SHBA-ja, të përkrahura edhe nga Gjermania, Italia dhe një varg vendesh anëtare të NATO-s, insistuan që çështja e Kosovës të trajtohet edhe jashtë strukturave të OKB-së, duke e deleguar atë si një çështje të brendshme të sigurisë dhe të stabilitetit të BE-së. Kjo edhe për arsye se Brukseli më parë e kishte proklamuar se i gjithë Ballkani do të duhej të integrohej në BE. Me këtë “europianizim” legjitim të Kosovës dhe rajonit, synohej edhe shmangia dhe largimi i Rusisë si faktor vendimmarrës në Ballkan. Moska nuk ka mundur që ta kundërshtonte hapur Brukselin në këtë çështje vitale për vetë BE-në. Aq më parë ngase edhe Serbia, e cila e pati humbur betejën juridike në GJND, zyrtarisht mori orientimin që të bëhet anëtare BE-së. Kuptohet, në Serbi ishin dhe ende janë aktive forcat antieuropiane dhe pro-ruse, por ato nuk arritën që ta ndalonin procesin. Të qenit e Serbisë në rendin e pritjes për anëtarësim në BE u shfrytëzua si platformë për ndjekjen e rrugës së ndërmjetme në zgjidhjen e statusit ndërkombëtar të shtetit të Kosovës, përmes organizmit të dialogut Kosovë – Serbi, të ndërmjetësuar nga BE-ja. Nëse nuk do të ekzistonte ky mekanizëm i ndërmjetëm, Kosova përkundër shpalljes së pavarësisë, dhe me gjithë verdiktin e GJND-së, do të mund të mbetej në një pozitë afatgjate vendnumëruese, pa anëtarësim në OKB dhe në instancat tjera ndërkombëtare, si një çështje e hapur që kërcënon stabilitetin e rajonit. Europa dhe Perëndimi nuk kanë mundur ta lejonin këtë, e as ta pengonte Rusia. Strategjia konsistonte në shmangien e Këshillit të Sigurimit, duke e bartur shqyrtimin e çështjes në debat/dialog brenda BE-së, dhe kur në këtë instancë të arrihej dakordimi se pavarësia e Kosovës është fakt i kryer, të rikthehej në OKB. Një problem tjetër që është dashur të zgjidhet me këtë strategji të ndërmjetme ka qenë ndikimi te pesë vendet anëtare të BE-së, që për shkak të raporteve të brishta të brendshme, edhe sot deklarohen kundër pavarësisë së Kosovës. Procesi i dialogut me përfundime të supozuara pajtuese kishte për qëllim zbutjen dhe ndryshimin e qëndrimit të këtyre vendeve, të paktën të Greqisë, Sllovakisë dhe Rumanisë, nëse jo edhe të Spanjës dhe Qipros. Logjika e kësaj ishte: nëse Serbia, e joshur nga perspektiva e anëtarësimit në BE, do të pajtohej rreth normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën e pavarur, pesë vendet e BE-së më nuk do të kishin asnjë argument të qëndrueshëm për mosnjohjen e sovranitetit të Kosovës. Kuptohet, dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, për të cilin thuhet se do të kurorëzohet gjatë muajit gusht të këtij viti, nuk pritet që të përfundojë me njohjen formale të Kosovës nga ana e Serbisë. Por, me marrëveshje, sikundër që kishte ndodhur në raportet mes dy Gjermanive në vitet ‘70 të shekullit të kaluar (model ky i shfrytëzuar për marrëveshjen e normalizimit të marrëdhënieve mes dy shteteve), Kosovës i hapet rruga që të anëtarësohet në të gjitha organizmat ndërkombëtare, duke përfshirë këtu kryeherës Kombet e Bashkuara. Kjo analizë e thuktë na kthen te pyetja që e shtruam në fillim. Pesë vitet nga vendimi i GJND-së nuk kanë qenë të kota dhe vendnumërim. Përkundrazi, shumë shpejt do të kuptohet se ky proces i zhvilluar pa bujë dhe senzacione të mëdha, në të vërtetë mundëson kapërcimin e atij hendekut që kërcënonte kthimin e Kosovës në një vrimë të zezë të Evropës. Në Vrimë të Zezë që do ta pamundësonte jo vetëm zhvillimin normal të Kosovës dhe Serbisë, por edhe të gjithë rajonit. Kjo kolumne është shkruar për klankosova.tv dhe nuk mund të publikohet në asnjë medium tjetër pa lejen e Klan Kosovës.