22:32, 18 Dhjetor 2019 Autor: Shkëlzen Maliqi

Samiti i liderëve të Ballkanit Perëndimor që do të mbahet në Durrës me 20 dhe 21 mund të shihet si vazhdimësi e samiteve të ngjashme që janë mbajtur viteve të fundit në kuadër të të ashtuquajturit Proces i Berlinit, që e ka pas ecurinë e dobishme (ndonëse jo spektakulare sipas pritjeve) për shtendosjen e përgjithshme në rajon dhe avancimin e raportëve të ndërsjella mes Shqipërisë, Kosovës, Serbisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Bosnjë-Hercegovinës.

Në ndërkohë, janë mbajtur dy samite gjysmake të liderëve të vetëm tri vendeve, Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonis së Veriut, ku është promovuar një nismë më e konkretizuar e bashkëpunimit dhe krijimit të tregut të përbashkët në rajon çuditërisht pa prezencën dhe miratimin e tre vendeve tjera. Në të vërtëtë, nismëtarët nuk e ideuan projektin si të cunguar, përkundrazi e shohin si projekt që përfshinë 6 shtete, ku edhe ato që nuk morrën pjesë  në dy samitet e para, parashihet të përfshihen në nismë.

Këtë projekt, pasi që bazohet në modelin e përshtatur për rajon të integrimeve europiane, shtypi e ka quajtur “Mini Shengen ballkanik”. Megjithatë, Kosova, Mali i Zi dhe pjesërisht Bosnjë-Hercegovina, reaguan ndaj kësaj nisme me kundërshtime dhe refuzime të pjesëmarrjes. As tani para samitit të Durrësit nuk është aspak e qartë a do të jetë samiti i plotë me gjashtë pjesëmarrës, apo gjysmak. Sidomos është e komplikuar çështja e pjesëmarrjes së Kosovës në Durrës ngase Kosova ende nuk ka Qeveri të re funksionale, dhe për opinion nuk është sqaruar formati dhe agjenda konkrete e samitit dyditor në Durrës. Nëse bëhet fjalë për vazhdimin e samiteve të treshës nismëtare që janë mbajtur në Novi Sad dhe Ohër, mendoj se të paktën Kosova dhe Mali i Zi nuk do të janë të përfaqësuara në Durrës. Ndërkaq, nëse samiti i rradhës është paramenduar pa imponimin e nismës së treshës që po kontestohet fuqishëm, dhe për qëllim e ka kthimin në kornizat e Procesit të Berlinit, ndoshta mund të ketë pjesëmarrje të plotë në binaret jokontestuese.

Roli i Kosovës në procesin e shtensionimit të rajonit

Nëse je përkrahës i bashkëpunimit të ngushtë të vendeve të Ballkanit Perëndmor nuk mund të mohohet rëndësia e samiteve, edhe të këtij në Durrës, por është vështirë të ketë pajtim me nismën gjysmake që shkaktoi çarjen në dy blloqe të rajonit. Nisma gjysmake kontribuoj në diçka që është absolutisht e kundërta e intencave të mira, sepse fuqizoi mosbesimin dhe dyshimet se pas ngutisë së treshës Vuçiq, Rama, Zaev fshehet një rrezik që nuk mund të neglizhohet me besimin të verbër se projekti është frymëzuar nga intencat e mira.  Mendoj se Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia gabuan që në Novi Sad, ndonëse në atë moment të motivuara me permbushjen e interesave të tyre të veçanta në raport me BE-në, inauguruan projektin e “mini Shengenit” pa koordinimin paraprak me tri vendet tjera.

Vetë ideja e nevojës së bashkëpinimit më të ngushtë mes gjashtë vendeve në parim nuk është e keqe e mbase as e dëmshme siç po alarmohet, por duhet pranuar se inicialisht është bërë gabimi në hapa dhe pastaj, kur u shfaq zhurma kundërshtuese, nuk ka pas përpjeke që të sqarohet mirë dhe në detaje se cilat do të ishin përfitimet konkrete afatëshkurta dhe ato afatgjata për të gjitha vendet, si dhe me çfarë ecurie do të arrihej një dakordim i përbashkët për projektin pa shkaktuar disbalancat në përfitimet dhe dëmtimet eventuale në ekonomi, politikë dhe sferat e tjera të bashkëpunimit.

Më delikate në këtë proces është pozita e Kosovës. Nuk mund të anashkalohet çështja e statusit të Kosovës në projektin se a do të bëhet pjesë e nismës pa njohjen e pavarësisë së saj nga Serbia, apo do të jetë krejtësisht e barabartë në çdo aspekt të negociimit të marrëveshjeve. Supozohet se Kosova dhe Serbia do të duhej të kishin arritur një marrëveshje finale të normalizimit të plotë të marrëdhenieve të ndërsjella. Kosova eventualisht do të mund të ishte pjesë e procesit nismëtar në fazën e konstruktimit ideor të projektit, por jo pa garanca se nuk do të jetë kështu në fazën e zbatimit të tij. Statusi i parashikuar i Kosovës në stadin e zbatimit do të duhej të ishte i barabartë me atë të Serbisë dhe të shteteve tjera të Ballkanit Perëndimor.

Pra, në fillim Kosova do të mund ta “heshtte” taktikisht mosnjohjen e pavarësisë së saj nga ana e Serbisë (dhe, mos të harrohet, e Bosnjë-Hercegovinës), por vetëm nëse i garantohet obligimi i Beogradit që ta ndryshojë preambulën e Kushtetës së Serbisë që Kosovë e definon si pjesë të pandashme të këtij shteti, si dhe të zotohet për qasje konstruktive dhe jo opstuktive në përfundimin e dialogut për normalizmin e marrëdhenieve Kosovë-Serbi, që do të siguronte njohjen e ndërsjellë.

Krijimi i mirëbesimit

Për fuqizimin e mirëbesimit që është dëmtuar dhe ka rënë në pikën më të ulët që duket sikur po shëndërohet në një gjendje permanente vendnumëruese dhe vështirë të riparueshme, do të duhej të shmangeshin polarizimet e ashpra konfrontuese në trajtimin e interesit strategjik të vendeve të Ballkanit Perëndmor që prej kohësh perspektivën e tyre zhvillimore e kanë lidhur me integrimet euro-atlantike. por që kriza aktuale e BE-së e ka kthyer në një proces të kushtëzuar dhe të përmbysur: BE-ja pothuajse po heq dorë nga zgjërimi i saj me vendet e Ballkanit Perëndimor.  Prevalenca aktuale e doktrinës së Makronit “Be-ja duhet rregulluar vetën para se të shtrihet në Ballkan” ku integrimi nuk shihet më si i domosdoshëm por projktohet me kushtëzime shtesë dhe madje si ecuri reversibile, Ballkanin Perendimor po e kthen në një gropë gjeostrategjike me të ardhme të pasigurtë që godet fuqishëm ëndërrat evropiane të forcave demokratike në zonën e “Mini Shengenit”, ndërkaq që fuqizon ideologjitë dhe lëvizjet izolacioniste dhe antieuropiane.

Është interesante se si opozita djathtiste në Serbi po e kundërshton po aq ashpër “mini Shengenin” sa edhe kundërshtaret e këtij projekti në Kosovë, madje me argumente praktikisht të përkthyeshme të një kallëpi të mendimit.  Në këto qarqe antievropiane dhe proruse serbe po thuhet se projektimi edhe vetëm ideor i një statusi të barabartë të Kosovës në samitet e Balkanit Perendimor çon praktikisht te njohja e pavarësisë së Kosovës dhe, në një instancë të mëvonshme, krijimin e hapësirës së përbashkët ekonomike dhe politike për shqiptarët në rajon, që ata e quajnë afirmim dhe pranim nga ana e Vuçiqit për krijimin e “Shqipërisë së Madhe”. Këtyre prorusëve nuk u bën përshtypje që “mini Shengeni” e bën bashkë edhe pjesën dërmuese të trojeve ballkanase të banuara me serbë, e që e djathta në Kosovë, e edhe më gjërë, po e sheh si krijimin e një “Jugosllavie të re” që në thelb do të ishte dominion i “Serbisë së Madhe”. “Sërbia e Madhe” dhe “Shqipëri e madhe” në këto diskurse në të vërtetë janë gogolët që duhet t’i frikësojnë para së gjithash Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi, por edhe Bosnjë-Hercegovinën dhe Kosovën e “dardanizuar”, nga krijimi i një boshti dominues Tiranë-Beograd, si refleks i boshtit Berlin-Paris që ka qenë dhe mbetet ende kurriz i balanceve që e kanë mundësuar krijimin e BE-së dhe tani, pas Brexitit të pashmangshëm, sërish duhet të rivitalizohet si aks i stabilitetit dhe ardhmërisë së BE-së për t’i ikur domino efektit që do të mund ta shëmbte megastrukturën në lëkundje të dy shtyllave të saj me seli në Bruksel, të BE-së dhe NATO-s.

Mini-shengeni dhe marrëdhëniet Kosovë- Shqipëri

Përderisa ka ndodh gabimi në hapa, ai po ndikon keq dhe ua jep zjarr keqkuptimeve dhe keqinterpretimeve të shumta në raportet Kosovë – Shqipëri. Mendoj se këto mund të sqarohen në ndërkohë kur do të kemi qeverinë e re të Kosovës dhe bisedime sqaruese në relacionin Tiranë – Prishtinë. Për mua është indikative se emisarët special për Kosovën të SHBA-ve e kanë përkrahur nismën e “Mini-Shengenit”. Duhet të vlerësohet mirë dhe pa dyshime paragjykuese ose diskurse idhnake, edhe ky aspekt i suportit që vjen nga Washingtoni, si dhe, ndoshta jo në mënyrë aq të hapur, nga BE-ja.  Politika kosovare duhet ta ul topin në grindjet joparimore duke analizuar në hollësi dhe mënyrë kritike projektin. Gjithnjë ka kohë që ai të refuzohet me argumente që e tregojnë si proces dëmtues, ose të kërkohen korrigjime për pjesët që vlerësohen se janë rrezik për sovranitetin dhe zhvillimin ekonomik të Kosovës karshi ambicjeve “gëlltitëse”, nëse ekzistojnë si të tilla, të Serbisë, por edhe të Shqipërisë. Subjektësia politike, ekonomike e Kosovës duhet dhe mund të mbrohet, por jo në termet e izolacionizmit që dëmton fqinjësinë e mirë dhe ndërvarësinë e subjekteve të barabarta.

*Marrë nga blogu i autorit Shkëlzen Maliqi

Lajme të tjera