Ekspertiza gjermane në Ballkanin Perëndimor është e kërkuar - Klan Kosova

Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Ekspertiza gjermane në Ballkanin Perëndimor është e kërkuar

123
string(11) "Faruk Ajeti" string(64) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2020/11/faruk-ajeti.jpg"
1 week më parë

Politika ndaj Ballkanit është një konstante themelore e politikës së jashtme të Gjermanisë, në të cilën Berlini – veçanërisht pas ribashkimit gjerman – ka luajtur prej dekadash një rol prijës. Menjëherë pas luftës së Kosovës – kur aleanca e NATO-s, duke përfshirë Gjermaninë, u detyrua të ndërhyjë ushtarakisht kundër regjimit serbo-jugosllav, për të ndaluar spastrimin etnik ndaj shqiptarëve të Kosovës – politika e jashtme gjermane, së bashku me atë të SHBA-së, nisën iniciativën për krijimin e Paktit të Stabilitetit për Evropën Juglindore. Në periudhën pasuese ka pasur gjithmonë impulse të reja nga diplomacia gjermane, si krijimi i Procesit të Berlinit në vitin 2014, i cili synon të avancojë intensifikimin e bashkëpunimit rajonal ndërmjet shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Pavarësisht sfidave globale, Ballkani Perëndimor vazhdon të mbetet një prioritet për qeverinë federale të përbërë nga tri partitë qeverisëse. Marrëveshja e koalicionit të Semaforit parasheh qartë që “ne mbështesim procesin e anëtarësimit në BE-së me gjashtë shtetet e rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe reformat e nevojshme për të përmbushur të gjitha kriteret e Kopenhagës.”

Koalicioni qeveritar trengjyrësh ka vendosur synime të qarta për republikën e re kosovare të Ballkanit Perëndimor: objektivi tjetër i rëndësishëm është liberalizimi i vizave për Kosovën. Kjo u konfirmua gjatë udhëtimit në Ballkanin Perëndimor nga Annalena Baerbock dhe Olaf Scholz, ku Prishtina ishte ndalesa e parë e udhëtimit.

Edhe sikur Gjermania të kishte pak interes ose të mos kishte fare interes për të qenë politikisht më aktive në Ballkan, ekspertiza e saj është domosdoshmërisht e kërkuar. Së fundmi, por jo më pak e rëndësishme, sfidat dhe problemet e pazgjidhura në Ballkanin Perëndimor mund të kapërcehen me ndihmën e Gjermanisë, duke formësuar dimensionin transatlantik dhe duke vazhduar traditën e ndërtuar të historisë së suksesit të dekadave të angazhimit të përbashkët në Ballkan.

Të mbrohen vlerat perëndimore

Në fakt, pritet që ministrja e Jashtme Baerbock t’i përmbahet parimit të vazhdimësisë së politikës gjermane të paqes. Ngjashëm me paraardhësin e saj (nga partia e Gjelbër) Joschka Fischer – për shkak të luftës në Kosovë – ministrja e re e jashtme po ballafaqohet edhe me luftën e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës qysh në fillim të mandatit të saj.

Ajo që i lidh këta dy politikanë të gjelbër nuk është vetëm sfondi i tyre politik, por edhe qëndrimi ndaj një “politike të jashtme të bazuar në vlera”, siç deklaroi para pak kohësh Baerbock. Në këtë kuptim, roli udhëheqës i Gjermanisë në Ballkanin Perëndimor është ende sot i kërkuar dhe paraqet padyshim një dëshmi të kompetencës gjermane ndaj këtij rajoni.

Kështu që, Berlini tani mund të luajë një rol prijës në koordinim me partnerët evropianë për të çuar përpara procesin e anëtarësimit në BE të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Kjo është një mundësi që nuk duhet humbur, veçanërisht kur e dimë se kemi të bëjmë me një rajon që është kthyer në një skenë gjeopolitike ndërmjet aktorëve perëndimorë dhe joperëndimorë. E këtu vlen, para së gjithash, që vlerat perëndimore të vlerësohen dhe të mbrohen. Është koha e duhur – siç e tha edhe kancelari Scholz para pak ditësh në Prishtinë – “për të vendosur një shenjë të re shprese dhe besimi”.

 

Faruk Ajeti është ambasador i Republikës së Kosovës në Berlin që nga dhjetori i vitit 2021. Ky artikull është botuar në “Berliner Zeitung”.