Birra, liria dhe libertopatët - Klan Kosova


Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Birra, liria dhe libertopatët

123
string(8) "Jon Leka" NULL
30.07.2016 11:37

“Kush ua mohon të tjerëve lirinë, nuk e meriton as për vete”, shkruan Abraham Lincoln në meditimet e tij për substancën e lirisë. Pikërisht ky paradoks është problemi më i madh i shumicës së predikuesve islamë edhe në shoqëritë shqiptare.

Incidenti i mbrëmshëm në “Beer Fest” të Prishtinës e shfaqi edhe njëherë më shumë natyrën agresive të këtyre formacioneve antiliri.

Pse mendojmë se ekziston një frymë liri-sabotuese, paranojake, psikotoksike që nëpërmjet frikës dhe kërcënimit donë ta krijojë masën e shtrydhur, skllave të doktrinave fetare?

 

II.

Ka vite që bashkësitë fetare na zënë sheshet e kryeqyteteve me gjimnastikën e tyre asketike për perënditë e tyre. Jo se vërtet nuk kanë vend me gjitha ata tempuj që ta zënë diellin kah ta kthesh kokën, por për më shumë të demonstrojnë fuqinë e tyre.

Qindra video në çdo kanal të mundshëm informimi u thonë përditë shqiptarëve se duhet t’i mbyllin pishinat; të bojkotojnë pushimet në det se cullakëria është haram; t’i mallkojnë femrat pa ferexhe; të mos masturbojnë se dora mbetet shtatzënë; ta mohojnë historinë që kanë mësuar në shkollë; ta tjetërsojnë identitetin; të ndjekin modën e beduinëve; të fusin fenë në shkolla; të mos festojnë me birra, por vetëm me salep; të mos festojnë në sheshe (këta madje sillen si të moderuar) por mundësisht jashtë, “te gropa e qenve” në periferi; kërkojnë nga politika t’ua qëndis sheshet me kaligrafi arabe për Ramazan; kanë zënë peng shtetin dhe shoqërinë me parulla të diskriminimit inekzistent që nuk i prek as atëherë kur shpërlajnë para sheikësh mafiozë të Lindjes me alibinë e ndërtimit të xhamive për besimtarë; as atëherë kur spitalet e vëllezërve të fesë ua shkepin organet shqiptarëve me skalpel për t’ua shitur mafive të organeve lartë poshtë globit; kërkojnë … dhe vetëm kërkojnë.

Gjitha këto i kërkojnë në emër të lirisë së tyre. Gjitha këto i bëjnë në emër të lirisë së shprehjes. Dhe gjitha këto janë kundër lirisë së tjerëve, atyre jashtë xhamive.

 

III.

Kush e përcakton si duhet të duket liria e një shoqërie? Imamët, xhamitë, propagandistët e islamit radikal, mediat që për click dhe like japin jetën dhe jo vetëm parimet? Kush u jep të drejtë këtyre emisarëve mesjetarë (predikimet nga lart nuk besoj t’i kenë bërë as në kohën e gurit) të ofrohen si instancë orientuese se ç’lirie duhet të ketë një vend me demokraci pluraliste? Mediat?

Jo. Lirinë e një vendi e përcakton Kushtetuta, ligjet në fuqi, demosi shumicë që ka zgjedhur parinë e tij. Askush tjetër nuk është instancë ta marrë guximin t’iu tregojë masave se kur duhet të shkojnë në det, tualet, si duhet të vishen apo zhvishen, me kë nga të gjakut të bëjnë orgji, apo cilën diktaturë ta konsiderojnë kalifat e cilën demokraci shejtanokraci. Kur ndodh një presion i këtillë permanent, kërcënues me “shpatën dhe xhehenemin” mbi kryet e një rinie në pjekje e sipër, mbi kryet e një mase jo aq të njohur për nga racionaliteti dhe arsimimi, duhet të intervenojë shteti, ngase kjo psikozë e çmend dhe ekstremizon edhe deven më indiferente e lere më njeriun e ndjenjave në luftën për orientim e ekzistencë.

Këta injorantë të thellë keqpërdorin një incident për të marrë turr t’u tregojnë njerëzve se vetëm liria e tyre – pa birra, me ferexhe dhe shamia – qenka udha që duhet të ndjekin të gjithë, pra në formën: “Nëse doni siguri, ikni tek gropa e qenve në periferi. Ne falemi në sheshe e ju ruajmë moralin, ekzistencën”, sikur asnjë kosovar mos ta kishte lexuar kurrë ndonjë Benjamin Franklin që thotë: “Kush e jep lirinë për ta fituar sigurinë në fund do t’i humb të dyja» (The Papers of Benjamin Franklin, Vol. 6: 1755).

 

IV.

U mbush kupa. Ky problem patjetër do një zgjidhje. Liria në frikë që ushtrojnë këta fetarë me çdo kusht e për çdo çmim është kërcënim direkt i sistemit dhe vlerave që ka përvetësuar Kosova si shtet.

Këta nuk kërkojnë më shumë liri për veten për të qenë të barabartë me tjerët, por duke u kërcënuar me sigurinë dhe xhehnemet duan t’ua suspendojnë tjerëve të drejtën për të qenë të lirë, sipas asaj siç duan dhe vendosin kur nuk kanë frikë – dhe atë në mënyrën më të vrazhdë të mundshme.

Është koha kur duhet t’iu thuhet shumë prerë; kështu jo! Rrini brenda nëpër xhami e kisha, e po plasi zjarri brenda shteti e ka për detyrë t’ua dërgojë zjarrfikësit.

Se si duket apo duhet të jetë liria e qytetarëve nuk e thoni ju, por shteti dhe shumica!

lajme të ngjashme