Ana qorre e Evropës 123 string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg" nga Blerim Shala 27.07.2026 19:01 27.07.2026 19:01 Lufta në Kosovë ka marrë fund 27 vjet më parë. Me hesape të pakryera në mes të Kosovës dhe Serbisë, nga perspektiva e Beogradit. Një deklaratë brutale e një ministre në Qeverinë e Serbisë ku flitej për Spastrimin etnik, dhe për më shumë, qëndrimet e vazhdueshme të Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vučić, në të cilat ai nuk heq dorë nga rrëfimi zyrtar i Serbisë sipas të cilit Perëndimi ia ka grabitur Kosovën Serbisë me një luftë, janë dëshmi se në çfarë shkalle kanë rënë relacionet e Kosovës dhe Serbisë. Ato, siç e dimë të gjithë, qysh nga ditët dhe javët e para të dialogut të nisur në pranverën e vitit 2011 (tre vjet pasi Kosova u bë shtet i pavarur), me lehtësimin e Bashkimit Evropian dhe me përkrahjen e SHBA-së, është dashtë të mbërrin stadin e një normalizimi të plotë, përmes një Marrëveshje ligjërisht detyruese. As Kosova dhe as Serbia, u tha atëherë, nuk mund do të bëhen pjesë e BE-së, pa arritur cilësinë në marrëdhëniet e tyre që do të mund të krahasohej me relacionet në mes të shteteve të Evropës. Kjo fjali ishte një tjetër konfirmim që Agjenda e Samitit të Selanikut të BE-së (2003), është në fuqi, apo që shtetet e Ballkanit Perëndimor kanë perspektivë evropiane, dhe që të gjitha do të bëhen pjesë e familjes evropiane. Ky zotim është bërë 24 vjet më parë, pra. Që nga atëherë, vetëm Kroacia ka arritur (mezi, madje), të bëhet pjesë e familjes së madhe të BE-së (në vitin 2013), teksa tani po flitet që Mali i Zi (një herë), dhe edhe Shqipëria (më pas), do të mund të jenë dy shtetet e para nga gjashtëshja e mbetur e Ballkanit Perëndimor. Çfarë do të ndodhë me katër shtetet e tjera të kësaj ane (qorre) të Evropës, këtë mbase kush nuk e di. Natyrisht, do të ketë (me bollëk), deklarata paralajmëruese kuazi-optimiste nga Brukseli për zgjerimin e BE-së me shtetet e mbetura nga Ballkani Perëndimor, do të ketë takime dhe konferenca të ndryshme në të gjitha nivelet, do të ketë Agjenda të reformave në Kosovë dhe gjetiu, do të ketë Raporte vjetore të Komisionit Evropian, do të ketë po ashtu vizita prej këndej kah Brukseli dhe anasjelltas, por, sipas të gjitha gjasave, do të vazhdojë që ngecja apo vendnumërimi i procesit të integrimit të këtyre shteteve në BE, të përcillet me hutinë dhe lëkundjet si qasje mbizotëruese evropiane. Kosova, në këtë rrëfimin e madh për zgjerimin e BE-së, e ka gjendjen dyfish më të ndërlikuar se sa shtetet tjera, për shkak të qasjes së njohur të pesë shteteve të BE-së, të cilat nuk kanë njohur pavarësinë e saj të shpallur në vitin 2008. Për më shumë, vetëm mund të spekulohet se çka duhet bërë Kosova në ndërkohë, edhe kur flitet për temën e dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë, që Spanja, Greqia, Sllovakia, Rumania dhe Qipro ta pranojnë shtetin e Kosovës. Zaten, ky rrugëtimi ndërkombëtarë i Kosovës, që prej vitit 2008 e këndej, ka qenë i ngadalshëm dhe problematik, më së shumti si pasojë e këtij fakti që vinte brenda BE-së. Mund të merret me mend se çfarë bisedimesh do të bënin Kosova dhe Serbia, sikur të gjitha shtetet e BE-së, apo, BE-ja si tërësi, do ta kishin njohur pavarësinë e Kosovës. Do të mund të konstatohej, pa bërë asfare gabimi që tashmë ky dialog do të kishte marrë fund, apo që Kosova dhe Serbia do t’i kishin normalizuar qëmoti marrëdhëniet në mes tyre. Kosova pastaj, do të dukej ndryshe sot, teksa Serbia, po ashtu, do të detyrohej të kishte politikë krejt tjetër fare, jo vetëm ndaj Kosovës, por edhe ndaj shteteve të tjera në rajon, mbase, edhe në atë rrafshin më të gjerë ndërkombëtarë. Natyrisht, nuk duhet pritur që BE-ja do të konstatojë diçka të tillë. Naive është të presësh këtë vetë-vlerësim të BE-së. BE-ja për shumë shkaqe e di që nuk mund dot t’i lë shtetet e Ballkanit Perëndimor në këtë gjendjen e sotme, pa e përputhur hartën politike me atë gjeografike, apo, pa integruar të gjitha shtetet e kësaj pjese të Evropës. Dhe anasjelltas. Këto shtete e dinë që nuk kanë ku të shkojnë tjetër pos në BE. Sipër këtyre të vërtetave të pakontestueshme nuk do të duhej të ishte vështirë të kryhet puna që e pret Brukselin dhe shtetet e Ballkanit Perëndimor.