Kapiteni iranian me kritika ndaj ShBA-së: Jemi në tension që nga momenti i ardhjes NULL NULL 15.06.2026 08:19 15.06.2026 08:19 Kapiteni i kombëtares së Iranit, Mehdi Taremi, ka shprehur pakënaqësinë e tij lidhur me organizimin e Kupës së Botës FIFA 2026, duke vlerësuar se atmosfera e këtij edicioni nuk është në nivelin e Botërorëve të mëparshëm ku ai ka marrë pjesë. Në prag të ndeshjes hapëse të Iranit kundër Zelandës së Re, Taremi foli për vështirësitë dhe tensionet që, sipas tij, kanë shoqëruar turneun që nga fillimi, duke ndikuar negativisht në përvojën e skuadrave dhe tifozëve, transmeton Klankosova.tv. “Kam ndier tensione që nga momenti kur mbërrita. Nuk kam përjetuar të njëjtën atmosferë të bukur që kam përjetuar në Kupat e Botës të mëparshme”, deklaroi sulmuesi iranian për mediat. Sipas Taremit, problemet nuk kanë prekur vetëm përfaqësuesen e Iranit, por edhe kombëtare të tjera pjesëmarrëse, si dhe zyrtarët e ndeshjeve. “Irani nuk ishte i vetmi që u prek. Edhe të tjerët u përballën me vështirësi, përfshirë gjyqtarët. Disa shtete hasën probleme me procedurat e vizave dhe u detyruan të ndryshonin kampet e tyre stërvitore”, theksoi ai. “Edhe para se të arrinim ne, njerëzit nuk e kishin atë ndjenjën e zakonshme të pritjes dhe entuziazmit për një Kupë Bote. Këto tensione e zvogëlojnë gëzimin dhe dëmtojnë mesazhin që promovon futbolli, një sport që duhet të sjellë paqe, unitet dhe bashkim mes popujve”, u shpreh ai. Deklaratat e tij vijnë në një periudhë kur organizimi i Botërorit 2026 është shoqëruar me kritika të ndryshme që lidhen me çështjet logjistike, procedurat e vizave dhe lëvizjen e delegacioneve ndërmjet vendeve organizatore.