Kabineti pa vota: Dimal Basha u befasua pas propozimit edhe për ministër (VIDEO) NULL NULL 26.10.2025 20:22 26.10.2025 20:22 Pak kush e mendoi se Dimal Basha do të ulej në karrigen e kryeparlamentarit. Por, duket se edhe vet u befasua kur sot u propozua për ministër të Infrastrukturës në kabinetin “Kurti 3” Veçse ky dikaster u mendua të ndahet e pjesa e Mjedisit të drejtohet nga një tjetër bashkëpartiake e Bashës. Në vend të Faton Pecit tek ajo e Bujqësisë u propozua Armend Muja derisa pozitën Fikrim Damkës, me dy aktakuza që u propozua si zv.kryeminitër për pakica e ka Sejnur Veshall. Kolegia e tij nga kabineti i kaluar, Donika Gervalla, synoi të marrë atë të Ministrës së Drejtësisë derisa si zv.kryeministër Glauk Konjufca, të udhëhiqte diplomacinë. Andin Hoti do ta drejtonte Ministrinë e re të Familjes e Mirëqenies Sociale, ndërsa Lulëgzon Jagxhiu atë të Administratës Publike dhe Dixhitalizimit. Avni Zogjanit iu besua ta zëvendësojë Arbërie Nagavcin në Arsim e Shkencë, derisa Fatmir Spahiu u përzgjodh për Kulturë e Turizëm, Sportin e Rininë që u ndanë nga ky dikaster do t’i drejtonte Blerim Gashani, kurse Rasim Demiri Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal. Mimoza Kusari-Lila do ta linte legjislativin e do shkonte te Tregtia, pozitë që më parë e mbajti Rozeta Hajdarit. Nenad Rashiq që është i vetmi serb në listë, do vazhdonte si i pari për Komunitete e Kthim. Në postet e pandryshuara mbeten: Hekuran Murati në Financa, Xhelal Sveçla në Punë të Brendshme, Ejup Maqedonci në Mbrojtje, Arben Vitia në Shëndetësi dhe Artane Rizvanolli në Energji. Këta e përmbushin numrin e 20 ministrive që është 4 më shumë se në mandatin e kaluar./Klankosova.tv