Izraeli merr përkohësisht nën kontroll zonën neutrale të Golanit pas rënies së regjimit të Assadit NULL NULL 09.12.2024 08:50 09.12.2024 08:50 Forcat izraelite pranë Majdal Shams në lartësitë e pushtuara të Golanit të dielën Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka njoftuar se ushtria izraelite ka marrë përkohësisht kontrollin e një zone neutrale të demilitarizuar në Rrafshnaltën e Golanit. Ai deklaroi se marrëveshja e vitit 1974 për çarmatim mes Izraelit dhe Sirisë ka “dështuar” pas marrjes së vendit nga forcat rebele. Netanyahu tha se kishte urdhëruar Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) që të hynin në zonën neutrale dhe në “pozita strategjike” në pjesën e pushtuar të Golanit nga Izraeli. “Ne nuk do të lejojmë asnjë forcë armiqësore të vendoset në kufirin tonë,” u shpreh ai. Ky veprim ndodhi pasi luftëtarët rebelë sirianë morën nën kontroll kryeqytetin e vendit, Damaskun, dhe rrëzuan regjimin e Bashar al-Assad-it. Forcat rebele, të udhëhequra nga grupi opozitar islamist Hayat Tahrir al-Sham (HTS), hynë në Damask herët në mëngjesin e së dielës dhe shpallën se Siria ishte “e lirë”. Netanyahu e përshkroi rënien e regjimit të Assad-it si një “ditë historike në Lindjen e Mesme”, njofton BBC, transmeton Klankosova.tv. “Rënia e regjimit të Assad-it, tiranisë në Damask, ofron mundësi të mëdha, por gjithashtu mbart rreziqe të konsiderueshme,” tha ai. Netanyahu shtoi se ngjarjet në Siri janë rezultat i goditjeve të Izraelit kundër Iranit dhe grupit të armatosur libanez Hezbollah, aleatët e Assad-it. Ai deklaroi se marrja e pozicioneve siriane në zonën neutrale ishte një “pozicion mbrojtës i përkohshëm deri sa të gjendet një zgjidhje e përshtatshme”. “Nëse mund të vendosim marrëdhënie fqinjësore dhe paqësore me forcat e reja që po shfaqen në Siri, kjo është dëshira jonë. Por nëse jo, ne do të bëjmë gjithçka që duhet për të mbrojtur shtetin e Izraelit dhe kufijtë tanë,” shtoi Netanyahu. Izraeli gjithashtu i ka paralajmëruar banorët e pesë fshatrave siriane brenda zonës neutrale që të qëndrojnë në shtëpitë e tyre derisa të ketë një njoftim tjetër. Forcat izraelite kanë shtuar praninë e tyre në Lartësitë e Golanit, të cilat janë një zonë strategjike rreth 60 kilometra në jugperëndim të Damaskut. Izraeli e mori Golanin nga Siria në vitin 1967 gjatë Luftës Gjashtëditore dhe e aneksoi njëanshëm në vitin 1981, veprim që nuk u njoh ndërkombëtarisht, përveç nga Shtetet e Bashkuara në vitin 2019.\Klankosova.tv.