Iluzionet e kanë emrin Escher NULL NULL 16.10.2015 14:20 16.10.2015 14:20 Maurits Cornelis Escher ishte njëri ndër artistët e parë të dizajnit grafik. Ai ishte holandez dhe ishte i njohur për punimet iluzioniste dhe konstruksionet e çuditshme prej druri. Për nder të tij tani në Londër do të hapet një ekspozitë ku do të prezantohen veprat më të njohura të tij, shkruan Al Jazeera, transmeton Klan Kosova. I lindur në vitin 1898 në Holandë ai kishte filluar të studionte arkitekturë por për shumë pak javë njëri nga mësuesit e tij e kishte vërejtur talentin e jashtëzakonshëm të Escher në të vizatuar dhe i kishte kërkuar të studionte dizajn grafik. Ai kishte jetuar edhe në Zvicër e Itali mirëpo ishte kthyer në Holandë në vitin 1941 ku edhe kishte vdekur në vitin 1972. Escher kishte vizituar Spanjën dhe pallatin Moorish në Alhambra që daton nga shekulli i 13-të e ishte mahnitur nga gjeometria islamike. Ajo lloj gjeometrie u bë model për projektet e tij të ardhshme. Atij i ishte ofruar që ta dizajnonte kopertinën e albumit të rok grupit Rolling Stones dhe të punonte në një film me Stanley Kubrick, por ai kishte refuzuar ta bënte këtë. Mirëpo tani puna e tij është duke u bërë shumë e njohur. Ai ka arritur të inspirojë video lojërat moderne dhe një numër i tyre janë prezantuar në muzeun Escher në Hagë.