“Grande Calabria” nuk ia dha qytetares veturën që pretendon se e fitoi, gjykata merr vendim! NULL NULL 07.07.2026 16:41 07.07.2026 16:41 Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën për caktimin e masës së përkohshme të sigurisë ndaj kompanisë “Grande Calabria” në Gjilan duke ndaluar përkohësisht organizimin e shpalljes së fituesit të një loje shpërblyese të planifikuar për 8 korrik 2026. Sipas aktvendimit të gjykatës, të cilin e ka siguruar Klan Kosova, masa është caktuar pas padisë së ngritur nga një qytetare, e cila pretendon se kompania nuk e ka përmbushur premtimin publik për ndarjen e çmimit kryesor në një lojë shpërblyese, përkatësisht një veture Citroen C3. Në vendim thuhet se gjykata ka vlerësuar se ekzistojnë kushtet ligjore për caktimin e masës së përkohshme, me arsyetimin se lejimi i organizimit të një tjetër shpalljeje të fituesit mund të vështirësonte realizimin e kërkesës së paditëses në procedurën gjyqësore. “Aprovohet i bazuar propozimi për caktimin e masës së përkohshme të sigurisë të paditëses dhe caktohet masa e përkoshme, ashtu që i ndalohet kundërshtarit të masës “Grande Calabria SH.P.K”, mbajta e organizimit më datë 08.07.2026, me fillim në ora 14:00 për shpalljen e fituesit të çmimit kryesor të lojës shpërblyese “Blej në Grande Mall dhe fito”, vetura Citroen C3 me ngjyrë të kuqe, 00 km”. Për këtë arsye, gjykata ka vendosur t’ia ndalojë përkohësisht kësaj kompanie organizimin e shpalljes së fituesit të çmimit kryesor të lojës shpërblyese “Blej në Grande Mall dhe fito”. Në aktvendim thuhet se masa e përkohshme do të mbetet në fuqi deri në përfundimin e kontestit me vendim të formës së prerë ose deri në një vendim tjetër të gjykatës. Gjykata ka theksuar se kjo masë nuk paragjykon epilogun e çështjes, por është vendosur për të parandaluar dëme të mundshme deri në shqyrtimin e plotë të rastit./Klankosova.tv