Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Sulmi ndaj zyrtarëve të KKZ-së në veri: Apeli ia ul dënimin nga 2 në 1 vit burgim Dejan Pantiqit

NULL NULL
07.07.2026 17:16
Dejan Pantiq

Gjykata e Apelit ka ndryshuar pjesërisht aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë për rastin e sulmit ndaj zyrave të Komisionit Komunal Zgjedhor (KKZ) në Mitrovicën e Veriut në dhjetor të vitit 2022, duke ia zbutur dënimin Dejan Pantiqit nga dy në një vit burgim.

Ndërkaq, Apeli ka lënë në fuqi pjesën tjetër të aktgjykimit, me të cilin Milun Milenkoviq dhe Aleksandër Vllajiq janë dënuar me nga pesë vjet burgim, ndërsa Miomir Vakiq është liruar nga akuza.

Vendimi i shkallës së dytë është marrë nga trupi gjykues i përbërë nga Ferit Osmani, kryetar i kolegjit, si dhe Albina Shabani-Rama dhe Avni Mehmeti, anëtarë.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë më 28 korrik 2025 kishte shpallur aktgjykim dënues ndaj Dejan Pantiqit, Milun Milenkoviqit dhe Aleksandër Vllajiqit. Pantiqi ishte dënuar me dy vjet burgim, Milenkoviqi dhe Vllajiqi me nga pesë vjet burgim, ndërsa Miomir Vakiq ishte liruar nga akuza.

Kujtojmë se Aleksandër Vllajiq më 5 qershor 2026 është shpallur fajtor nga Gjykata Themelore në Prishtinë edhe për veprën penale të spiunazhit, për të cilën është dënuar me pesë vjet burgim, pasi kishte pranuar se kishte vepruar si agjent i BIA-s.

Lidhur me rastin e sulmit ndaj zyrave të KKZ-së, Gjykata e Apelit kishte mbajtur seancë më 28 prill 2026 për të shqyrtuar pretendimet ankimore të palëve.

Sipas vendimit të Apelit, pretendimi i mbrojtjes së Milenkoviqit se në dispozitivin e aktgjykimit nuk është përcaktuar forma e fajësisë është i pabazuar.

Gjykata ka vlerësuar se dispozitivi nuk ka nevojë të përmbajë shprehimisht formulime si “dashje e drejtpërdrejtë” apo “dashje eventuale”, përderisa përshkrimi i veprës penale dhe rrethanat konkrete të rastit e bëjnë të qartë formën e fajësisë. Sipas Apelit, ajo nxirret nga mënyra e kryerjes së veprës, sjellja e të akuzuarit para, gjatë dhe pas ngjarjes, si dhe nga tërësia e provave të administruara.

Apeli ka konstatuar se provat e administruara në shkallën e parë krijojnë një zinxhir të pandërprerë provues, i cili dëshmon se Milun Milenkoviq ka qenë i pranishëm në të gjitha momentet vendimtare të ngjarjes, duke filluar nga grumbullimi i grupit, eskalimi i situatës pranë automjetit të emergjencës dhe deri te lëvizja e koordinuar drejt objektit të sulmuar.

Në vendim theksohet se Gjykata e Apelit i pranon në tërësi gjetjet e Gjykatës Themelore dhe konsideron se është provuar përtej dyshimit të arsyeshëm se Milenkoviq jo vetëm që ka qenë i pranishëm në vendngjarje, por ka marrë pjesë aktive në realizimin e sulmit të organizuar ndaj zyrave të KKZ-së në Mitrovicën e Veriut.

Po ashtu, Apeli e ka cilësuar të pabazuar pretendimin e mbrojtjes se fajësia e Milenkoviqit nuk mbështetet në prova materiale apo personale, duke theksuar se të gjitha provat, të analizuara në tërësinë e tyre, çojnë në përfundimin se ai ka marrë pjesë në kryerjen e veprës penale të terrorizmit.

Sa i përket Aleksandër Vllajiqit, Apeli ka vlerësuar se Gjykata Themelore ka vërtetuar bindshëm praninë e tij në vendngjarje më 6 dhjetor 2022, në bashkëkryerje me Milun Milenkoviqin dhe personat e tjerë të dyshuar që ndodhen në arrati.

Sipas vendimit, gjykata e shkallës së parë ka ndërtuar një gjendje faktike të qartë, të qëndrueshme dhe të mbështetur në prova që plotësojnë njëra-tjetrën, duke përjashtuar çdo dyshim të arsyeshëm se prania e Vllajiqit në vendngjarje ka qenë e rastësishme ose pasive.

Apeli ka vlerësuar se nga provat rezulton se Vllajiq ka qenë i pranishëm në vendngjarje, ka vëzhguar situatën, ka fotografuar, ka komunikuar me telefon në momentin e mbërritjes së policisë dhe zyrtarëve zgjedhorë, si dhe ka ndihmuar në mobilizimin e mëtejshëm të turmës.

Për rrjedhojë, Gjykata e Apelit ka konstatuar se gjendja faktike është vërtetuar në mënyrë të drejtë, të plotë dhe të besueshme, ndërsa pretendimet e mbrojtjes nuk kanë arritur të rrëzojnë përfundimet faktike dhe juridike të Gjykatës Themelore.

lajme të ngjashme