Gërmimet për varrezë masive në Zubin Potok, arrestohet edhe një i dyshuar NULL NULL 02.08.2026 09:05 02.08.2026 09:05 Policia e Kosovës ka arrestuar edhe një person të dyshuar për krime lufte kundër popullsisë civile në komunën e Zubin Potokut. Arrestimi është kryer nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës, me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës. Sipas njoftimit të Prokurorisë Speciale, i arrestuari është identifikuar me inicialet J.R. dhe dyshohet për veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”. Prokuroria Speciale thekson se arrestimi është rezultat i një pune të gjatë hetimore. “Arrestimi i të dyshuarit është rezultat i një pune intensive hetimore, të zhvilluar nga hetuesit policorë dhe Prokuroria Speciale, në kuadër të përkushtimit të vazhdueshëm institucional për hetimin dhe zbardhjen e krimeve të luftës”, thuhet në njoftim. Autoritetet kanë bërë të ditur se hetimet për këtë rast do të vazhdojnë edhe në periudhën në vijim. “Lidhur me rastin, Policia e Kosovës dhe Prokuroria Speciale do të vazhdojnë të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, për çka publiku do të njoftohet me kohë”, thuhet më tej në njoftimin e Prokurorisë Speciale. Tash e disa ditë po zhvillohen kërkimet për mbetje mortore në fshatin Kalludër e vogël të Zubin Potokut. Këto mbetje dyshohet se iu përkasin viktimave të luftës së fundit në Kosovë. Me këtë arrestim, numri i të dyshuarve shkon në tre. Varreza masive në Zubin Potok, nga një muaj paraburgim dy serbëve të dyshuar