Dy motoristët u gjetën shëndosh e mirë, policia jep detaje NULL NULL 02.08.2026 09:40 02.08.2026 09:40 Screenshot Dy të rinj rreth moshës 20-vjeçare janë shpëtuar pas një operacioni disaorësh kërkim-shpëtimi, pasi kishin humbur orientimin dhe kishin mbetur të bllokuar në zonën malore mes Shtërpcës, Ferizajt dhe Suharekës. Sipas njoftimit të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Ferizaj, rasti është raportuar më 1 gusht 2026, rreth orës 20:40, kur policia është informuar se dy persona kishin humbur rrugën në terrenin malor. “Menjëherë pas pranimit të informacionit, janë njoftuar njësitë policore të stacionit të Ferizajt, të Shtërpcës dhe Suharekës dhe janë ndërmarrë veprimet e nevojshme për lokalizimin e tyre. Njëkohësisht është njoftuar edhe Shoqata e Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim, e cila ka reaguar menjëherë duke angazhuar ekipet e saj në terren”, thuhet në njoftimin e policisë. Pas disa orësh kërkime, ekipet e angazhuara arritën t’i lokalizonin dy të rinjtë rreth orës 01:00 të datës 2 gusht dhe t’i nxirrnin nga terreni i vështirë malor. Sipas policisë, ata kishin mbetur të bllokuar pasi ishin futur me një motoçikletë katër-rrotëshe (ATV) në një rrugë pa dalje. “Dy personat, rreth 20 vjeç, janë dorëzuar te familjarët e tyre në gjendje të mirë shëndetësore dhe pa asnjë lëndim”, bëhet e ditur në njoftim. Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj ka shprehur mirënjohje për kontributin e Shoqatës së Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim – dega në Suharekë. “Policia Rajonale e Ferizajt shpreh mirënjohje dhe falënderim të sinqertë për Shoqatën e Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim, dega në Suharekë, e cila edhe në këtë rast dëshmoi profesionalizëm, gatishmëri dhe përkushtim të lartë në shpëtimin e qytetarëve”, thuhet në njoftim transmeton Klankosova.tv. Në fund, policia ka apeluar që qytetarët të tregojnë kujdes gjatë lëvizjes në zonat malore. “Apelojmë te të gjithë qytetarët që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes në zonat malore, të mos hyjnë në shtigje apo terrene që nuk i njohin, veçanërisht në bjeshkë të thella dhe gjatë orëve të natës. Para çdo aktiviteti në natyrë rekomandohet planifikimi i itinerarit, njoftimi i familjarëve dhe Shoqatës së Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim për destinacionin, si dhe përdorimi i pajisjeve të nevojshme për orientim dhe komunikim”, përfundon njoftimi i Policisë Rajonale të Ferizajt. Pas disa orësh kërkimi, gjenden të sigurt dy motoristët e humbur në Jezercë