Funksionari italian që i shndërroi bukuritë shqiptare në kartolina NULL NULL 25.08.2015 16:00 25.08.2015 16:00 U dërguan nëpër të gjithë Shqipërinë fotografë të specializuar që fiksuan monumente, peizazhe, kostume në fotografi bardhë e zi dhe me ngjyra, që u shtypën dhe iu shpërndanë tregtarëve. Bëhet fjalë për një material me rëndësi të veçantë prej më se 500 fotografish dhe – me qëllim që të mos humbnin – u krijua Fondi pranë Arkivit Fotografik të Shoqërisë Gjeografike Italiane. Historia e funksionarit italian që i shndërroi bukuritë shqiptare në kartolina për të huajt. Si përfundoi Francesco Tagliarini në Shqipëri dhe si nisi të promovojë turizmin shqiptar në vitet ’40… Kartolinat e para me pamje të Shqipërisë datojnë në vitet ’39-’43, atëherë kur Francesco Tagliarini u shpërngul nga Italia në Tiranë për të punuar në Ministrinë e Kulturës Popullore të asaj kohe, me detyrën e Konsulentit për turizmin shqiptar pranë Presidencës së Këshillit të Mbretërisë së Shqipërisë. I biri, Franco Tagliarini i ka ruajtur në arkivin e tij jo vetëm si punë të babait gjatë kohës që ishte funksionar në Shqipëri, por edhe si dëshmi të një dashurie që preku, së pari, të atin e që më pas iu përçua edhe fëmijëve. “Duket e pamundur sa herë bie fjala për turizëm në këtë kohë, të pritet fjala me të njëjtat përgjigje që duan të tregojnë se turizmi sot nuk ka asnjë punë e kështu që, të flasësh për të, është një gjë e kotë, humbje kohe. Shkaqet që të shtyjnë ta çmosh fenomenin e turizmit si të pavend në gjendjen e sotme rrjedhin krejtësisht nga forma subjektive që i jepet fenomenit vetë. Në të vërtetë, dëshira për udhëtime për çfarëdo arsyesh që ato të kryhen, dëshira për të njohur vende dhe njerëz, gëzimi për të udhëtuar itinerare interesante janë të lidhura me dëshirat dhe mundësitë e njeriut. Turizmi është një fenomen i rrjedhur nga një grumbull aktivitetesh… Dallojmë sektorët e ndryshëm që duhet të bashkëpunojnë tue i dhanë me kuptue kështu lexuesit turizmin e vërtetë dhe se cilat janë elementet që në të duhet të kontribuojnë: Industria bujtinore – shërbimet publike – rrugët – bukurinat natyrore – përmendoret dhe vendet historike – zyrat për udhëtimet – folklori – zejtaria – higjiena – vendet klimaterike – qendra hidro-minerale – organizata dhe Ente lokale për përmirë- simin e vendeve etj”, shkruan Francesko në një artikull të vitit 1942. Por ku konkretisht u fokusua promovimi i turizmit në Shqipërinë e asaj kohe? “Një vëmendje e veçantë kushtuar promovimit të turizmit, përveç nismave të shumta, të karakterit administrativ, urbanistik dhe zhvillimit ekonomik, të ndërmarra në vitet kur Shqipëria iu aneksua Italisë, ishin edhe ligjet Nr. 546 i 7 dhjetorit 1940- XIX, i botuar në Tiranë në FLETORIA ZYRTARE (Gazeta zyrtare e Mbretërisë së Shqipërisë), Nr. 192 i 19 dhjetorit 1940-XIX për krijimin e Entit Botues “Distaptur”, ku im atë u emërua Administrator. Në dekretin e themelimit u përcaktua se do të kishte monopolin e tregtimit të kartolinave të ilustruara në Shqipëri. U dërguan nëpër të gjithë Shqipërinë fotografë të specializuar që fiksuan monumente, peizazhe, kostume në fotografi bardhë e zi dhe me ngjyra që u shtypën dhe iu shpërndanë tregtarëve. Bëhet fjalë për një material me rëndësi të veçantë prej më se 500 fotografish dhe – me qëllim që të mos humbnin – u krijua Fondi pranë Arkivit Fotografik të Shoqërisë Gjeografike Italiane. Përveç kartolinave fotografike u ngarkuan dy piktorë, një shqiptar dhe një italian, që të bënin skica të disa aspekteve të Shqipërisë. Dhe, si përfundim, u bë një seri me 21 kartolina të botuara nga Enti i Turizmit Shqiptar, në vitin 1940. Seritë u shpërndanë në të gjitha zyrat e Entit Kombëtar Italian për Turizmin (ENIT) në botë, nëpër Ambasada dhe shumë agjenci udhëtimesh”, tregon sot i biri, Franco Tagliarini. Sigurisht që kjo ide e tija kishte të bënte edhe me pasionin e hershëm për pikturën. Seria e kartolinave shitej në Shqipëri e Itali, madje ndonjëra prej tyre mund të gjendet ende sot, sado që e tjetërsuar nga njollat. Turizmi shqiptar në vitet ’40 Nga raportet e vitit 1939 del se gjendja e hotelerisë ishte shumë prapa në Tiranë dhe inekzistente në pjesën tjetër të vendit. Nuk kishte hotele, dhe ato të pakta ishin të nivelit shumë të ulët. Shqetësimi i parë i Tagliarini-t ishte të përgatiste dekretligje për normativat e hotelerisë. Të nxiste krijimin e hoteleve të rinj dhe përmirësimin e atyre që ekzistonin. Hartoi normativa për kushtet dhe pajisjet e hoteleve dhe më pas themelimi i E.T.A. (Enti Turistik i Hotelerisë) për të financuar modernizimin dhe ndërtimin e hoteleve dhe pensioneve të rinj”./ Mapo.al